Në kuadër të angazhimeve per të përballuar pasojat e rënda të termetit, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zhvilluar një takim me një përfaqësi profesorësh, akademikësh dhe ekspertësh të instituteve të rëndësishme universitare.
”Vlerësoj shumë idetë e tyre konkrete për rrugët e përgjegjshme që duhen ndjekur për rikthimin në normalitet, veçanërisht për minimizimin e pasojave të rënda që ka sjellë kjo fatkeqësi natyrore”,shkruan Meta në një shenim në facebook.
Ja postimi tij i plotë:
Sot zhvillova një takim të frytshëm me një përfaqësi të nderuar profesorësh, akademikësh dhe ekspertësh të instituteve të rëndësishme universitare, lidhur me situatën tepër të rëndë të krijuar nga tërmeti.
I falenderova për kontributin e tyre të vyer në kapërcimin e emergjencës dhe i inkurajova, jo vetëm të forcojnë bashkëpunimin me institucionet, por edhe të angazhohen maksimalisht për të informuar dhe qetësuar opinionin publik, që më shumë se kurrë ka nevojë për mendimin e tyre të kualifikuar.
Vlerësoj shumë idetë e tyre konkrete për rrugët e përgjegjshme që duhen ndjekur për rikthimin në normalitet, veçanërisht për minimizimin e pasojave të rënda që ka sjellë kjo fatkeqësi natyrore.
Është koha të forcojmë më shumë institucionet e këtyre fushave, por edhe t’i dëgjojmë këshillat e tyre shkencore në kohë.
Ramë dakord që së afërmi të zhvillojmë një konferencë ndërkombëtare me përfaqësues nga rajoni dhe më gjerë, për të forcuar bashkëveprimin në përballimin e fatkeqësive natyrore.