Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës njoftoi se Ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, sot do të takohet me Papa Françeskun në Vatikan.
“Ministri Pacolli, gjatë ditës do të pritet në audiencë private nga Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. Pacolli pritet të informojë Papa Franceskun për konsolidimin e shtetit të Kosovës, bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve dhe feve të ndryshme.
Ndërkohë mësohet se dy ditë më parë, Papa ka pritur një tjetër lider të rajonit: kryeministrin e Malit të Zi, Duško Markovi?. Bashkëjetesa ndëretnike e ndërfetare, projekti evropian, sfidat rajonale dhe fenomeni migrator: këto, tematikat ndërkombëtare, në qendër të audiencës tek Papa të kryeministrit të Malit të Zi, në detyrë nga nëntori 2016.
Gjatë bisedimeve - sipas një komunikate të Sallës vatikanase të Shtypit, u fol për marrëdhëniet e mira dypalëshe, me urimin që të forcohen më tutje. U vu në dukje, në mënyrë të posaçme, vlera e bashkëjetesës së harmonishme ndëretnike e ndërfetare, që karakterizon identitetin mijëravjeçar malazez.
Së fundi, u shkëmbyen mendime mbi disa tema me karakter ndërkombëtar, kryesisht mbi ardhmërinë e projektit evropian, mbi sfidat aktuale rajonale dhe fenomenin migrator.