Gjyqtarja Vjollca Spahiu i konsideroi të paligjshme disa prej arrestimeve të Prokurorisë dhe vendosi lirimin nga qelia për 23 nga 30 të ndaluarit për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019, gjatë seancës së masave të sigurisë që u zhvilluan në Gjykatën e Tiranës të shtunën. Gjyqtarja Spahiu kritikoi gjithashtu hetimin e Prokurorisë së Tiranës si të paqartë dhe të paplotë në lidhje me disa prej akuzave të ngritura ndaj të ndaluarve për dëmet e tërmetit në rrethinat e Tiranës dhe në Bashkinë e Vorës.
“Përsa i përket provave nga organi procedues, aktet e ekspertimit janë konstatuar nga unë si gjyqtare se janë të paplota,” tha gjyqtarja Spahiu në seancë.
Më 15 janar, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj dhe drejtues të Policisë njoftuan në një konferencë për shtyp ndalimin e 31 personave dhe procedimin e 11 të tjerëve për dëmet e tërmetit, mes të cilëve edhe ish-kryetarë të komunave të Farkës dhe Kasharit.
Por Gjykata e Tiranës rrëzoi shumicën e kërkesave të Prokurorisë dhe vlerësoi se 6 ndalime ishin kryer në mënyrë të paligjshme. Vetëm shtatë prej të ndaluarve u lanë në masën e “arrestit me burg”, mes të cilëve edhe dy ish-kryekomunarët Fatbardh Plaku dhe Besnik Fuçia.
Gjykata vendosi të dërgojë në shtëpi 11 prej të akuzuarve, duke vendosur ndaj tyre masën e detyrimit për paraqitje, ndërsa 12 të ndaluarit e tjerë do të hetohen në masën e “arrestit shtëpiak”.
Më herët, prokurorët e çështjes, Erion Imeraj dhe Alket Mersini kërkuan nga gjykata që t’i vlerësonte arrestimet të ligjshme dhe të vendoste qëndrimin në burg për 19 prej tyre. Prokurorët kërkuan gjithashtu caktimin e arrestit shtëpiak për 7 të ndaluar dhe “detyrim paraqitje” për 4 të tjerë.
Avokatët kërkuan nga ana e tyre lirimin e të gjithë të pandehurve, duke i konsideruar arrestimet të paligjshme.
“Ndalimet janë absolutisht të paligjshme. Prokuroria ka pasur të gjithë mundësitë që të pyesë e të individualizojë përgjegjësinë e gjithësecilit dhe nuk kishte pse operonte me ndalim masiv, mbi të gjitha selektive,” tha për BIRN avokati Vladimir Meçe.
“Dëmtime ka pasur edhe në Tiranë, edhe në ish-komuna të tjera siç është ish-Komuna e Dajtit, Kombinat, Vaqarr, etj,”shtoi Meçe.
Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtarja Vjollca Spahiu evidentoi paqartësi në veprimet e kryera nga Prokuroria kundrejt të proceduarve.
“Organi procedues ka qenë i paqartë në disa raste në: konfirmimin, komunikimin dhe qëndrimin për personat e dyshuar në lidhje me akuzat që u atribuohen dhe në lidhje me mënyrën se si ka komunikuar aktet proceduriale me cilësinë e personave të ndaluar,”tha gjyqtarja.
Gjyqtarja identifikoi disa nga verimet hetimore që duhet të kryejë prokuroria në vazhdimësi, konkretisht atë të plotësimit të akt-ekspertimeve të reja lidhur me analizat laboratorike të betonit, hekurit dhe përbërjes gjeologjike të ndërtimeve. Gjyqtarja Spahiu i kujtoi prokurorit të pranishëm, Erion Imeraj kërkesat për afatet e parashkrimit dhe kërkoi që prokuroria të kryejë hetime edhe në funksion të kësaj pjese.
Tërmeti shkatërrimtar me magnitudë 6.3 i shkallës Rihter i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima dhe më shumë se 900 të plagosur në Durrës, Krujë, Tiranë dhe Lezhë. Qindra ndërtesa u dëmtuan duke u kthyer në të pabanueshme dhe mijëra vetë mbetën të pastrehë.
Operacioni për ndalimin e 31 personave si përgjegjës për dëmet e tërmetit në periferinë e Tiranës dhe në bashkinë e Vorës përfshiu drejtues teknikë të firmave të ndërtimit, zyrtarë dhe ish-zyrtarë si dhe individë, që sipas akuzës kishin ndërhyrë në strukturat e godinave të ndërtuara para viteve ’90.
Prokuroria pretendon se në lejet e dhëna nga këta ish-zyrtarë mungojnë studimet sizmologjike, të cilat për një kategori ndërtesash, ato mbi shtatë kate është akt i domosdoshëm; si dhe dokumente të tjera në funksion të marrjes së lejes së ndërtimit. Për objektet e legalizuara, prokuroria thotë se mungojnë aktet për qëndrueshmërinë e tyre duke i cilësuar ato si të domosdoshme.
Hetimi i Prokurorisë përfshiu objektet e dëmtuara në ish-komunat e kryeqytetit, ndërsa la jashtë verifikimeve bashkinë e Tiranës apo zona të drejtuara nga socialistët.
E pyetur nga BIRN për mungesën e rezultateve të hetimit për pjesën qendrore të bashkisë së Tiranës, Imeraj tha se hetimi vazhdonte për çdo ndërtesë edhe në qendër edhe në periferi.
“Është konkluduar vetëm për atë pjesë që kemi akte ekspertimi. Presim aktet për pjesën tjetër dhe do veprohet në të njëjtën mënyrë”, shpjegoi Imeraj.
Masat e sigurisë për 30 të ndaluarit:
1– Anila Harxhi: ndalimi i paligjshëm, “detyrim paraqitje”.
2– Reis Muça: ndalimi i paligjshëm, “detyrim paraqitje”.
3- Merita Kushe: ndalimi i ligjshëm, “detyrim paraqitje”.
4- Hekri Disha: ndalimi i ligjshëm, “detyrim paraqitje”.
5- Bukurije Halili: ndalimi i ligjshëm, “detyrim paraqitje”.
6- Adhurim Qehajaj: ndalimi i ligjshëm, “detyrim paraqitje”.
7- Stela Maze: ndalimi i ligjshëm, “detyrim paraqitje”.
8- Zhaneta Tagani: ndalimi i ligjshëm, “detyrim paraqitje”.
9– Shpëtim Kërçiku: ndalimi i ligjshëm, “detyrim paraqitje”.
10- Jan Ikonomi: ndalimi i paligjshëm, “detyrim paraqitje”.
11- Ermir Cina: ndalimi i paligjshëm, “detyrim paraqitje”.
12- Mehmet Felai: ndalimi i ligjshëm, “arrest në shtëpi”.
13- Agim Eski: ndalimi i ligjshëm, “arrest në shtëpi”.
14- Pëllumb Korfuzi: ndalimi i ligjshëm, “arrest në shtëpi”.
15- Qirjako Gjergo: ndalimi i ligjshëm, “arrest në shtëpi”.
16- Asqeri Xhanari: ndalimi i ligjshëm, “arrest në shtëpi”.
17- Vjollca Hoxholli, ndalimi i ligjshëm, “arrest në shtëpi”.
18- Ali Dyrmyshi: ndalimi i ligjshëm, “arrest në shtëpi”.
19- Shefqet Doda: ndalimi i paligjshëm, “arrest në shtëpi”.
20-Gerti Çalliku: ndalimi i ligjshëm, “arrest në shtëpi”.
21- Luan Beta: ndalimi i ligjshëm, “arrest në shtëpi”.
22- Faik Fejza: ndalimi i ligjshëm, “arrest në shtëpi”.
23- Ndoc Pepkola: ndalimi i paligjshëm “arrest në shtëpi”.
24- Hodo Gjoni: ndalimi i ligjshëm, “arrest në burg”.
25- Artur Skela: ndalimi i ligjshëm, “arrest në burg”.
26-Fejzi Dyrmyshi: ndalimi i ligjshëm, “arrest me burg”.
27-Besnik Fuçia: ndalimi i ligjshëm, “arrest me burg”.
28-Naim Shehi: ndalimi i ligjshëm, “arrest me burg”.
29- Gëzim Shkalla: ndalimi i ligjshëm, “arrest në burg”.
30- Fatbardh Plaku: ndalimi i ligjshëm, “arrest në burg”.
Marrë nga BIRN