Strazimiri: Lefter Alla sot duhet të shkarkohej nga Rama, ja pse nuk është arrestuar ende

E Enjte, 23 Janar 2020 11:54

Ish-deputeti i PD, Gent Strazimiri thotë se sot Lefter Alla, kryebashkiaku i Bulqizës duhej të shkarkohej nga Rama sepse u kap në video duke pirë kokainë. Ai shkon më tej duke thënë se është faktuar tashmë që ai bashkëpunon me tregtarë dhe trafikantë të kokainës në Bulqizë.

Strazimiri thotë se as shkarkimi dhe as arrestimi i Lefter Allës nuk ka ndodhur pasi nga njëra anë Edi Rama e mbron, nga ana tjetër Rama ka kapur Drejtësinë.

Edi Rama i Tiranës mbron nga arrestimi dhe ndjekja penale Edi Ramën e Bulqizës, i kapur duke konsumuar kokainë në një mjedis publik. Kapja e drejtësisë dhe banditizimi i PS janë dy nga plagët më të mëdha të shkaktuara nga Edi Rama.

DEKLARATË NGA PARTIA DEMOKRATIKE, GENT STRAZIMIRI

Video e kryebashkiakut ilegjitim të Bulqizës, që konsumon kokainë në një mjedis publik është  pasqyra e shtetit që ka ndërtuar Edi Rama. Një i droguar, i lidhur me krimin dhe që nuk ndal së vjedhuri në krye të qeverisë. Një i droguar në krye të  bashkisë. Një hajdut në krye të një ministrie. Një shërbëtor bandash në krye të një drejtorie dhe një shërbëtor në krye të organeve të reja të drejtësisë.

Të vetmit që nuk janë skandalizuar nga video e publikuar nga televizioni Abc News, me bashkëpunimin e gazetarit Artan Hoxha, janë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Edi Ramës. Ata e dinë se në atë pozicion, fare mirë, mund të ishte filmuar kryeministri i vendit, i cili refuzon në mënyrë të përsëritur testin e drogës.Kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës duhej të ishte shkarkuar sot nga Edi Rama. Drejtësia duhet të kishte vepruar duke nisur ndaj tij ndjekjen penale për moskallëzim krimi, pasi është faktuar se kryetari i bashkisë bashkëpunon me individë apo grupe që tregtojnë kokainë.

Asnjëra nuk ka ndodhur nga këto të dyja, sepse Edi Rama i Bulqizës ka mbrojtjen e Edi Ramës së Tiranës. Kandidimi në 30 Qershor i individëve me të shkuar kriminale apo personave të lidhur me krimin e organizuar është strategjia e Edi Ramës për të vazhduar bashkëqeverisjen me krimin.

Edi Rama i Bulqizës nuk është arrestuar ende, sepse Edi Rama i Tiranës e ka kapur drejtësinë.

Prokurori që duhet të vepronte pret vettingun nga e motra e Belinda Ballukut, pret emërimin nga kunati i Mimi Kodhelit dhe i trembet inspektimit nga vëllai i Eglantina Gjermenit!  Të tre, në pozicionet më të rëndësishme të sistemit, të  emëruar në mënyrë të njëanshme dhe të paligjshme nga Edi Rama i Tiranës.

Kapja e drejtësisë dhe shndërrimi i Partisë Socialiste në një strehë për horrat dhe banditët janë dy prej plagëve më të mëdha që Edi Rama i ka shkaktuar vendit.

Kura e vetme është ndarja e politikës nga krimi! Shqiptarët kanë të drejtë të mos qeverisen nga narkomanë të korruptuar dhe banditë.  Largimi i Edi Ramës së Tiranës, i Edi Ramës së Bulqizës edhe i çdo Edi Rame nga zyrat e shtetit është emergjencë kombëtare!

Modifikuar më E Enjte, 23 Janar 2020 12:21
Login to post comments