“Përkeqësim dramatik, Shqipëria si Mongolia dhe Bregu i Fildishtë”- Basha reagon për raportin e TIA: Korrupsioni po kalb atdheun

E Enjte, 23 Janar 2020 11:52

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagon pas publikimit të raportit të Transparency International, ku thuhej se Shqipëria ka bërë hapa pas sa i takon luftës ndaj korrupsionit.

Basha shkruan në “Facebook” se korrupsioni i kësaj qeverie po shkatërron ekonominë dhe po kalb atdheun. Duke iu referuar raportit ndërkombëtar, kreu i demokratëve thekson se “Shqipëria po pëson një përkeqësim dramatik të gjendjes së korrupsionit duke zbritur edhe 7 vende të tjera vetëm gjatë vitit të fundit”.

Mesazhi i Bashës:

Degradimi i skajshëm dhe kriminalizimi kapilar i qeverisjes Rama, është një realitet i hidhur që provohet qartë nga raportet më të besueshme profesionale të organizatave prestigjioze ndërkombëtare sikurse është Transparency International. Korrupsioni i kësaj qeverie po shkatërron ekonominë dhe po na kalb atdheun.

Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të realizuar nga kjo organizatë, për shkak të qeverisjes aktuale, Shqipëria po pëson një përkeqësim dramatik të gjendjes së korrupionit duke zbritur edhe 7 vende të tjeravetëm gjatë vitit të fundit.

Në mesin e 180 shteteve të marra në shqyrtim për nivelin e integritetit, Shqipëria renditet në vendin e 106-të, në të njëjtin nivel me vende si Bregu i Fildishtë apo Mongolia. Ja pse i duhet qeverisë Rama paketa ligjore “Anti-Fjalës së Lirë”, për të penguar daljen në shesh të korrupsionit masiv qeveritar që po përmbyt Shqipërinë.

 

Modifikuar më E Enjte, 23 Janar 2020 12:17
Login to post comments