'Krenari i hashashit' na lajmëron se 'do vdesë në PS'/ Kush është njeriu i Tahirit që u përlas dje me Taulant Ballën

Premte, 14 February 2020 21:01

Mbledhja e Asamblesë së PS Tiranë ditën e djeshme është ndërprerë pas një debati me protagonist anëtarin e Asamblesë së Përgjithshme, Krenar Cenollari. Cenollari ka kundërshtuar me këmbëngulje të pazakontë një nga kandidatët për Asamblenë Kombëtare të PS që pritet të dalë nga kongresi. Kandidati që mbarti mërinë e Krenarit është një socialist i vjetër, i propozuar nga baza e PS-së në Kombinat.

Irritimi i Cenollarit ka qenë i menjëhershëm deri në pikën që Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla i ka kërkuar të ulet duke iu drejtuar Cenollarit me fjalët “Mos fol si horr”. Cenollari vazhdoi duke thënë se është “socialist i orëve të para” dhe se ka qenë “në ballë të PS në ditët e saj më të vështira”.

 

Po cili është “socialisti i orëve të para” Cenollari?

 
 

Krenar Cenollari është bërë i njohur për bazën socialiste dhe jo vetëm për të, në vitet e mbjelljes masive të hashashit. Ai është një nga emrat më të përfolur si i përfshirë në këtë trafik. Cenollari është akuzuar në vecanti për një sasi të jashtëzakonshme  prej 12 tonësh hashash të zbuluar në një magazinë në Përmet në 12 prill të vitit 2017.

 

Për të njëjtën ngjarje u akuzua edhe Gentian Alizoti, i dënuar në vitin 2012 për trafik droge. Në Kombinat Cenollari dhe Alizoti njihen si lidhje gjaku. Zyrtarë të policisë së shtetit u përfshinë gjithashtu në hetimin për mega-drogën e Përmetit, por hetimi nuk e pa dritën e gjykimit.

Cenollari në atë kohë ishte gjithashtu një person i akuzuar nga drejtues policie në jug të vendit për presion dhe shantazh të lidhur me selektimin e parcelave të drogës. Ai ka tentuar të diktojë cilat parcela duheshin goditur dhe cilat jo duke përdorur në bisedat me drejtuesit e policisë emrin e ish-ministrit Sajmir Tahiri.

Megjithëse një nga personat e akuzuar për impilikim në afera nga më të rëndat në masivizimin e hashashit, Cenollari u emërua më pas drejtor i Aluiznit për zonat rurale të Tiranës

Në qershor 2018 ai u shkarkua bashkë me disa drejtues të tjerë pas një kontrolli të kryer nga Drejtoria Antikorrupsion. Cenollari u kallëzua penalisht për korrupsion.

“Socialisti i orëve të para” nuk e justifikon sot standardin e jetesës me rrogën e zyrtarit. Provat për këtë mund të gjenden lehtë, sidomos në  këto kohë kur policia po vepron me dorë të fortë ndaj personave që lëvizin me Range Rover dhe kanë vila kodrinore me pishinë.

“Kush je ti që më thua të dalë jashtë mua. Nuk ke shans. Unë do iki nga PS kur të vdes” – replikoi Krenari me Taulant Ballën. Mbledhja nuk ka vazhduar më gjatë, shkruan "Gazeta Dita" në një shkrim të sajin ditën e sotme.

Në prillin e 2017-ës, ish kryeministri Sali Berisha, teksa citonte mesazhin e një oficeri policie, e akuzonte Cenollarin si të përfshirë në trafikun e kanabisit në vend. Bëhej fjalë për 12 tonelatat e drogës që u zbuluan nga Prokuroria në një magazinë në Përmet, që sipas denoncuesit, ishin të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe mikut të tij, Krenar Cenollari.

“Oficeri Dixhital denoncon: 12 tonelata drogë që u gjetën në magazinën shtetërore në një fshat të Përmetit i përkasin Saje qorrit dhe Krenar Cenollarit! Më poshtë keni mesazhin e tij!”, shkruante Berisha asokohe në Facebook.

Mesazhi i plotë i oficerit të Policisë:

“Përshëndetje Doktor. Jam oficer policie, desha t’iu informoj se droga 12 tonë e kapur në Përmet është e Saimir Tahirit dhe Krenar Cenollarit, ish-kryetar i Minibashkisë Nr.6 në Kombinat, miku më i ngushtë i Saimir Tahirit me origjinë nga Përmeti, i cili ka bërë shumë emërime në Polici në Tiranë dhe Përmet. Bashkëpunëtor mendohet djali i hallës së Krenarit, i cili quhet Gentian Alizoti, i cili është arrestuar në 2012 për trafik droge në Gjirokastër, aktualisht është banor i Kombinatit. Krenar Cenollari i ka shtëpitë afër me Sajmirin. Policia jo që nuk e ka zbuluar, por e kishte në ruajtje këtë magazinë të drogës. Eshtë Prokuroria, ajo mbi bazën e informacioneve të dërguara nga qytetarët që bëri të mundur kapjen e drogës në këtë magazinë. Por kjo është magazina vetëm e një fshati, sepse fshatrat e tjera e kanë të fshehur drogën në magazinat e tyre dhe tunele të ushtrisë. Me respekt të veçantë…” 

Login to post comments