Macron përgënjeshtron Ramën: Minishengeni projekt serb, jo evropian

Premte, 14 February 2020 19:02

Propozimi francez për një samit për dialogun Serbi-Kosovë është prova e pakundërshtueshme se Perëndimi është i ndarë në këtë çështje. Nëse sheh propozimet e bëra nga Richard Grenell dhe ato të cituara në letrën e Presidentit francez, Macron, kupton lehtë se ato janë thuajse të njëjta. Kemi pra të bëjmë me një lloj rivaliteti të dy boshteve të politkës perëndimore në Ballkan.

Duhet nënvizuar se Macron dhe BE-ja në përgjithësi ndajnë me SHBA optika të ndryshme, në mos të kundërta për çështje të tilla si Ukraina dhe Irani, pa folur për problemet e tregëtisë.

Në këtë kuptim fitorja në Ballkanin Perëndimor ka rëndësinë e vet në projektimin e dy vizioneve, që në fakt janë interesa që po shkojnë drejt antagonizmit.

 
 

Ky dualitet ka rëndësinë e vet jo të vogël në raport me marketimin e nismave politike të dyshimta si Minishengeni. Në një editorial të sotshëm në EurActiv, kryeministri Edi Rama thotë se ky projekt plotëson ambicien europiane të Ballkanit dhe nuk zëvendëson BE-në.

 

Ideja e një Shengeni rajonal përfshirës si dhe bashkëpunimi mes gjashtë vendeve tona bazuar në katër liritë e lëvizjes në Bashkimin Europian (lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit, shërbimit dhe forcës së punës) nuk është Plani B për ne, as nuk është çmim ngushëllimit për t’i treguar një publiku të zhgënjyer që mund të sjellim rezultate. Ne na bashkon qëllimi për integrim Europian dhe mënyra më e mirë për të përparuar drejt tij është të përgatitemi për të në mënyrë aktive duke i hapur ekonomitë dhe kufijtë tanë frymëzuar nga vetë parimet themelore të projektit Europian. Një Ballkan Perëndimor me lidhje me të mira mes vendeve të rajonit do të integrohet më shpejt dhe më me sukses në BE-shkruan ndër të tjera z. Rama.

Në të gjithë përmbajtjen e tij, editoriali nuk përmend fare mbështetjen e BE-së për Minishengenin, por synon të bindë audiencën europiane se kjo nismë është plotësuese e Integrimit në BE, jo një mini BE. Këtu pyetja lind natyrshëm:

Nëse Minishengeni është nismë e BE-së, apo mbështetet nga BE-ja, ç’nevojë ka z. Rama të bindë lexuesin europian se ajo nuk paralelizon BE-në?

Dhe nëse Minishengeni është projekt europian, pse duhet që Macron të flasë edhe në emër të Merkel dhe BE-së për një samit të ri për Kosovën? Vallë nuk do të ishte më praktike që Kosovës t’i kërkohej aderimi në Minishengen dhe vazhdimi më tej I dialogut?

A nuk do të ishte kjo një mënyrë më e mirë për të nënkuptuar heqjen e tarifave?

Sigurisht që po. Fakti që nuk ndodh lidhet pikërisht më mashtrimin që z. Rama u përpoq të mbronte në publik: se Minishengeni është projekt me mbështetej të BE-së dhe SHBA. Kjo thjesht nuk është e vërtetë dhe një gënjeshtër e tillë nuk përligjet në fakt as me nevojën që ka politika e jashtme për konfidencialitet.

Ky është një rast që institucionet që merren me politikën e jashtme t’i kërkojnë llogari një kryeministri që shpall si politikë të jashtme axhendat personale që i rakordon me nuk merret vesh se me kë./ Faktor.al S. Zaimi

Login to post comments