Siç kishte paralajmëruar, Presidenti i Republikës Ilir Meta dorëzoi sot në SPAK kallëzimin ndaj ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, të cilën e akuzon se ka shkelur ligjin lidhur me publikimin e vendimit të KED në Fletoren Zyrtare.
Meta qartësoi se ka kallëzuar për disa vepra penale Gjonajn, të cilën e cilëson si një celulë të strukturuar dhe bandë të rrezikshme. Meta tha se është duke vlerësuar prova të tjera kundër mazhorancës.
Por në kallëzimin e Presidenti të Republikës nuk është vetëm ministrja Gjonaj. Ai ka depozituar sot kallëzimin penal pranë SPAK, ndaj 3 funksionarëve të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, dhe konkretisht:
- Etilda Dalip GJONAJ, me detyrë Ministre e Drejtësisë.
- Gentian Fehmi DEVA, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë.
- Etleva Admir HAXHIA, me detyrë Drejtoreshë e Qendrës së Botimeve Zyrtare.
Ata akuzohen se në bashkëpunim, kanë konsumuar veprat penale të mëposhtme:
1. “Shpërdorim i Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
2. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal;
3. “Falsifikim i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal
4. “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penale.
Edhe këtë kallëzim Presidenti e depozitoi pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) jo vetëm nisur nga fakti që është një hap procedurial vijues në vijim të Kallëzimit të bërë në datë 19.11.2019 dhe Kallzimit Shtesë të bërë në datë 18.02.2020, por dhe për faktin se kompetenca lëndore i përket SPAK sipas nenit 148/4 dhe 135/2 të Kushtetutës dhe neneve 25/3 dhe 75/a të Kodit te Procedurës Penale.