Kulmi i paradokseve: Ramën e presin në Moskë me protestë për... lirinë e medias

E mërkurë, 26 February 2020 13:02

A e keni parasysh atë lojën e zakonshme se cili është kulmi i paradokseve? Këtë herë duket se kulmi i paradokseve ka ndodhur në Moskë, ku i pranishëm ishte kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Ai është pritur me një protestë të organizuar përpara Ministrisë së Jashtme.

Për ironi, protestuesit kishin dalë në mbështetje të agjencisë mediatike, Sputnik. Ata e dinin se do vinte Edi Rama si përfaqësues i lartë i OSBE, shkruajnë mediat ruse. 

Ky portal pro-qeveritar rus ankohet se gazetarët e tyre në Estoni janë kërcënuar me përfundim të kontratave dhe burgim deri në pesë vite.

Sputnik Estonia thotë se i kërkoi edhe Edi Ramës një reagim për këtë çështje, por Rama u tha se nuk është brenda mundësive të tij, por do e mbajë mend këtë gjë.

“Estonia është një kamp përqendrimi për gazetarët,” thuhej në pankarta. Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se do bëjë gjithçka që të sigurojë që gazetarët e Sputnik të kryejnë punën e tyre në vendet e huaja.

Ironia më e madhe është se Edi Ramën, të cilin e akuzojnë si sundimtar autokratik që po kërcënon lirinë e medias në Shqipëri, e presin me protesta për lirinë e medias në një vend po kaq të akuzuar për cenimin e lirisë së fjalës.  

Modifikuar më E mërkurë, 26 February 2020 14:28
Login to post comments