Hemoragji ciklike e provokuar prej mungesash thelbësisht alarmante, që ka rënë në zgafellën e një keqkuptimi perceptual të dhimbshëm, ç’ka paraqet në thelb tërë konturin e saj karakteror perversiv”. Kështu shkruan zëvendës kryetari i LSI-së Luan Rama teksa komenton deklaratat e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali për çështjen e mjekëve e infermierëve shqiptarë në Itali që hapi debat mbi kualifikimin e tyre.
Në një postim relativisht të gjatë, Luan Rama thotë se “pa e kuptuar pyetjen e tij ndaj kryeministrit, Spiropali flet për ‘zgavra në vend të gojës’, duke orgazmuar pavetëdijshëm e duke na e shitur këtë gjendje, gjithsesi të kuptueshme në rastin e saj, si revoltë të denjë për qënie të klonuara politikisht, më shumë se sa të botoksinuara fizikisht”.
“Padurimi për protagonizëm dhe mania për të ofruar shërbime të pakërkuara përmes vetpërdorjes, shpeshherë e bëjnë njeriun dhimbshëm krijesë të neveritshme, aq sa edhe keqardhja të bëhet e pamundur”, shkruan ai.
POSTIMI I PLOTË
Një shpjegim stilistik për zgaqërinë gjuhësore të Elisës…
Pa asnjë ngasje për sqimë e me shumë përulësi e nderim për tridhjetë mjekët dhe infermierët shqiptarë që dolën vullnetarë për të shkuar në Itali, për ata që si pëllumba të bardhë u bënë edhe heronjtë e mi njësoj si për të gjithë shqiptarët e tjerë në këtë kohë të vështirë me gjestin e tyre gjithë fisnikëri, më duhet të bëj një shpjegim stilistik, krejtësisht profesional dhe pa asnjë nënshtresë tjetër për zgaqërinë gjuhësore të Elisës.
Pse shpjegim stilistik?
Sepse më rezulton nga një shpërthim i saj leksikor i pakontrolluar, figurativisht thënë ndryshe, hemoragji ciklike e provokuar prej mungesash thelbësisht alarmante, që ka rënë në zgafellën e një keqkuptimi perceptual të dhimbshëm, ç’ka paraqet në thelb tërë konturin e saj karakteror perversiv.
Ajo, pa e kuptuar fare thelbin e pyetjes time, po nënvizoj: pa e kuptuar fare thelbin e pyetjes time, të cilën në fakt ia kisha drejtuar publikisht kryeministrit dhe jo asaj, merr përsipër (gjuha shqipe e ka edhe ndajfoljen përposhtazi, po në rastin konkret do të krijonte keqkuptime nëse do ta përdorja!), dhe flet për “zgavra në vend të gojës”, duke orgazmuar pavetëdijshëm e duke na e shitur këtë gjendje, gjithësesi të kuptueshme në rastin e saj, si revoltë të denjë për qënie të klonuara politikisht, më shumë se sa të botoksinuara fizikisht.
Padurimi për protagonizëm dhe mania për të ofruar shërbime të pakërkuara përmes vetpërdorjes, shpeshherë e bëjnë njeriun dhimbshëm krijesë të neveritshme, aq sa edhe keqardhja të bëhet e pamundur.
Do të doja të ishte keqkuptim i gjithë ai shpërthim elisëror patetikodeklamativ, por në fakt më rezulton bindje e deformuar qëllimshëm që prej ngjizjes.
Pa ndonjë shpresë të madhe për rikthim në normalitetin e perceptimit të krijuar mbi bazën e arsyes dhe analizës logjike, po bëj një shpjegim kontekstual të thjeshtëzuar, i shtyrë prej dëshirës vullnetmirë se mbase dicka racionale mund të bëjë efekt edhe mbi frymorë që e përdorin gojën dhe tërë aparatin fonetik si ajo.
Dje, edhe unë si shumë të tjerë, lexova lajmin e publikuar në disa portale, sipas të cilave, bashkë me mjekët e dërguar në Itali, ishte përfshirë edhe një punëtor i një pike karburanti!!!
Mu duk absurd për të qenë i vërtetë dhe me shqetësimin se dikush po e përbaltëte gjestin aq fisnik e krenaridhënës, nën pyetjen “Fisnikëri e përbaltur prej mashtrimit, apo baltë mbi një akt fisnikërie?”, i drejtohem publikisht kryeministrit se: “… e keni për detyrë të thoni si është e vërteta”.
Këtë kërkesë e bëra publikisht, siç mund t’a bëjë çdo qytetar i vendit për kryeministrin, pa asnjë tendencë e motiv politik, por thjeshtë dhe vetëm si detyrim për të sqaruar një të vërtetë e për ta vënë atë të vërtetën përballë mashtrimit, që sidomos në kohë të tilla është edhe më i patolerueshëm.
Unë nuk e njoh se cili është dhe nuk e di se ç’profesion ka Qazim Ismaili që u përgojua nëpër portale. Por, nëse shkrimi im që i drejtohej kryeministrit vetëm që të zbardhte të vërtetën e për asgjë tjetër e ka cënuar padashje sado pak emrin e tij, i kërkoj ndjesë publikisht dhe me shumë nderim, për atë që ai po bën bashkë me mjekët dhe infermierët e tjerë në shenjë solidariteti njerëzor dhe profesional në Italinë mike, pavarësisht se pyetja ime kishte krejtësisht tjetër kahje e nuk lidhej me të, por me të vërtetën mbi të. Pra me zbardhjen e të vërtetës dhe zhbaltosjen e saj, pa bërë asnjë koment e pa shprehur asnjë qëndrim.
Mirëpo, ja që shfaqet, jo papritur e as rastësisht ajo e jo ndonjë tjetër, Elisa, e vetëmjaftueshme për t’u identifikuar prej gjithësecilit edhe vetëm kështu.
Natyrisht, gabimi i saj nuk qëndron tek shfaqja, por tek roli përmes të cilit u shfaq, e prej të cilit më duhet ti bëj një shpjegim stilistik, me qëllim që edhe ajo të kuptojë se çfarë do të thotë pyetje në kuptimin që i drejtohet dikujt me gojë a me shkrim dhe i kërkohet përgjigje për diçka që do të dish prej tij; i bëhet pyetje dikujt dhe kërkon të thotë mendimin e tij, të sqarojë për diçka etj, dhe se kjo mënyrë e të drejtuarit mund të përdoret edhe në titillin e një shkrimi.
Titulli, që përkatësisht shpreh edhe thelbin e shkrimit tim është: “Fisnikëri e përbaltur prej mashtrimit, apo baltë mbi një akt fisnikërie?”.
Nuk ka asgjë të komplikuar e të vështirë që dikush të kuptojë, e mbi bazën e asaj që kupton, edhe të arsyetojë me logjikë dhe maturi, pa rënë në përroin e rrëshqitjeve për në theqafje etike më e pakta, si shenja e parë e respektit për veten dhe po aq, edhe ndaj atyre që synon t’u drejtohesh.
Më konkretisht po shpjegoj:
Fjalën fisnikëri e kam përdorur për të karakterizuar me një cilësim sipëror gjestin e mjekëve dhe infermierëve shqiptarë që shkuan në Itali, që në vlerësimin tim nëpër disa portale po përbaltej prej mashtrimit, dhe ndaj e ritheksoj në pjesën e dytë të pyetjes në titull kur shprehem, “… apo baltë mbi një akt fisnikërie?”.
Pra “baltë mbi një akt fisnikërie”.
Eshtë shqip dhe fare thjeshtë e kuptueshme ajo që kam dashur të them e të nënvizoj.
Çfarë ka ketu që nuk shkon dhe që provokoi shpërthimin gojor të dhe deformimin grimasor të saj?
Ndërsa, për kontrast me fjalën fisnikëri, fjalën baltë, që është edhe rrënja e fjalës përbaltur, e kam përdorur në kuptim të figurshëm, për diçka të ndyrë që po bëhej mbi një akt fisnikërie.
Gjithsesi, për të plotësuar shpjegimin e mësipërm dhe që ajo të kuptojë më mirë lajthitjen në objekt në rastin konkret, po referoj më poshtë edhe kuptimin sipas fjalorit të gjuhës shqipe:
Fjala FISNIKËRI, ka kuptimin e të qenit bujar, zemërgjerë e i ndershëm, do të thotë sjellje fisnike, ose sjellje prej bujari.
Fjala BALTË, përveç kuptimit të parë; dhe i përzier me ujë, tokë e qullët zakonisht në fushë, nëpër udhë etj, ka edhe kuptim të figurshëm për diçka të ndyrë, ndyrësi apo diçka e pandershme.
Nuk është mëkat të mos e kuptosh një fjalë, një fjali apo një shkrim. Nuk është mëkat edhe nëse nuk kupton asgjë fare nga kjo botë.
Por është mëkat të vetëshpërdorosh gjuhën, gojën apo edhe veten, duke sajuar një alibi për të ndërtuar një monolog aluçinant!
Gjithësesi, këtë shpjegim në ndihmë të asaj, që në fakt nuk është i pari, nuk do të doja ta përsëris më.
Sepse, jo gjithçka që ndan me dikë në kofidencë e privatësi, mund e duhet ekspozuar publikisht, pasi nuk përbën interes publik, siç mund të jetë fjala vjen debati mbi kuptimi i figurshëm të fjalës zgavër e me rradhë në vijim, zgavrim, zgavroj, zgavriq, zgavëruar, dhe për referencë të artikulimit elisëror, edhe kuptimin e fjalës gojë, për rrjedhojë edhe gojëtar, gojëtari, gojor, gojëdhënë, gojëhapur e me rradhë.
Goja dhe zgavra e kanë një lidhje edhe për Elisën, por jo në kuptimin që i jep ajo prej padijes ma do mendja, se nuk dua të besoj se ka ndonjë arsye tjetër për t’i përqasur në artikulimin e vet gojor, si reagim absurd ndaj një pyetje të bërë nga unë në formatin shkrimor.
Ka ndodhur dhe më parë që ajo merret publikisht edhe me mua personalisht, por nuk i jam përgjigjur publikisht.
Nuk i jam përgjigjur publikisht për arsye që i dimë vetëm unë dhe ajo, por edhe sepse më ka dhënë të drejtë e unë kam respektuar kofidencën e komunikimit tonë privat dhe ndjesën që më ka kërkuar në mirëbesim.
Por, që të mos ndodhë prapë e njejta gjë, që të mos më drejtohet më privatisht e të keqpërdorë për t’u justifikuar ndjenjën e respektit dhe të etikës që unë kam shfaqur në mënyrë konstante ndaj saj, u detyrova që sot, t’ia bëj këtë shpjegim publikisht.
Ndërkaq, në mbyllje të këtij shpjegimi, një ndjesë për të gjithë lexuesin, sepse jashtë standardeve dhe parimeve të mia të komunikimit, shpenzova kohë dhe shumë fjalë për një subjekt të kotë e të pavlerë.