Ish-Kryeministri Sali Berisha ka shprehur sot, ngushëllimet e tij më të thella, për familjet që kanë humbur të afërmit e tyre nga sëmundja e shkaktuar nga COVID-19 si dhe u ka uruar shërim të sëmurëve kudo. Por, në veçanti, ai i ka ftuar qytetarët të shprehin bashkë me të, mbështetjen dhe solidaritetin me personelin shëndetësor që po lufton kundër epidemisë.
Berisha shkruan sot në Fb:
“Një lajm i hidhur erdhi dje nga Spitali Infektiv. Mbasdite ndërroi jetë viktima e 15-të e COVID-19 dhe e katërta në 24 orët e fundit.
Me këtë rast le te shprehim, të dashur miq, ngushëllimet tona më të ndjera familjeve të 15 viktimave të kësaj sëmundje brutale të pabesë dhe të lutemi së bashku që shpirtrat e tyre të gjejnë paqen e merituar.
Gjithashtu ju ftoj ju, t’iu urojmë nga zemra, të gjithë të sëmurëve me këtë virozë kudo që janë në spital apo karantinë në shtëpi, shërim të plotë nga kjo sëmundje si dhe t’u shprehim ne mbështetjen dhe solidaritetin tonë më të plotë mjekëve dhe infermierëve, të gjithë personelit tonë shëndetësor në spitalet COVID dhe kudo që janë. Mirënjohje të pakufishme për punën e tyre.”