KLGJ-USAID krijojnë “trupë artificiale” për dosjet në Gjykatën e Lartë. Pikëpyetjet mbi ligjshmërinë

Premte, 01 May 2020 16:24

Nga BoldNews.al

Një marrëveshje ndërmjet Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe misionit amerikan USAID është nënshkruar së fundmi mes shumë pikëpyetjesh kushtetuese dhe ligjore, pavarësisht qëllimit pozitiv, që, sipas asaj që u deklarua, është ndihmesa që i duhet dhënë Gjykatës së Lartë në përballimin e fluksit të mbi 35 mijë dosjeve stok të krijuara në atë institucion.

Ambasada Amerikane në Tiranë njoftoi mbrëmjen e së Mërkurës në një status në rrjete sociale se, në bazë të kësaj Marrëveshjeje Mirëkuptimi “një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë do të punësohen për të ndihmuar gjykatën (e Lartë) që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që gjykatësit të marrin vendime sa më shpejt”.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Marrëveshja e Mirëkuptimit nuk ishte publikuar në faqen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe termat e saj nuk janë ende në dispozicion të publikut.

“Boldnews.al” mësoi nga burime zyrtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor se “ekipi i veçantë i juristëve”, për të cilin ende nuk është përcaktuar numri i saktë, do të jetë një trupë që do të paguhet nga USAID-i.

Pra, kjo trupë pritet të jetë në ndihmë të Gjykatës së Lartë, por nuk do të rezultojnë si nëpunës të shtetit, për aq kohë sa ata do të paguhen nga misioni i ndihmës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Këtu, situata duket se ndërlikohet disi.

Pikëpyetje mbi ligjshmërinë
Gjykata e Lartë, për më shumë se një viti është thuajse jashtë funksionit. Për muaj të tërë ajo kishte në zyrë vetëm kryetarin në detyrë, Ardian Dvorani. Në Mars 2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Presidenti i Republikës emëruan 3 gjyqtarë të rinj.

Por, vakancat e shumta dhe për një kohë të gjatë në gjykatën supreme shqiptare, kanë krijuar një stok prej mbi 35 mijë dosje që presin për shqyrtim.

Për të gjetur një zgjidhje emergjente, duket se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe USAID kanë hartuar një “masë ekstreme, për situatë ekstreme”. Por, kjo marrëveshje dhe veprimet në kuadër të saj, nuk gjejnë mbështetje në kuadrin ligjor, të miratuar si pjesë e Reformës në Drejtësi.

Ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri” parashikon se anëtarët e Njësisë së Shërbimi Ligjor (ndihmës-gjyqtarët) zgjidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nga dy kategori juristësh.

Pjesa më e madhe e ndihmësve ligjorë në Gjykatën e Lartë caktohen nëpërmjet skemës së komandimit nga shkallët më të ulta të gjyqësorit.

Ndërsa pjesa tjetër, emërohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nëpërmjet një procesi garues, në radhët e juristëve të spikatur.

Trupa e juristëve, e cila do të zgjidhet në bazë të Marrëveshjes së Mirëkuptimit mes KLGJ-së dhe USAID-it nuk i përket asnjërës prej dy kategorive të mësipërme.

Kjo trupë ndihmësish ligjorë pritet të përzgjidhen në bazë të një procedure të paparashikuar në ligj.

Pikëpyetje mbi statusin
Zyrtarisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor deklaroi se nuk kishte ende përgjigje për numrin e juristëve që do të jenë në këtë “trupë ndihmëse”, si edhe as për afatin se sa do të qëndrojnë në funksione pranë Gjykatës së Lartë.

Burime konfidenciale të “Boldnews.al” deklaruan se drafti i kësaj marrëveshjeje është punuar për gjatë disa muajve dhe mendohet që këta ndihmës, të zgjedhur sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit, të qëndrojnë në detyrë për të paktën 3 vjet.

Gjithësesi, në mungesë të një teksti të Marrëveshjes së Mirëkuptimit, por edhe të modaliteteve ende të papërcaktuara plotësisht, është e paqartë se cili do të jetë statusi i kësaj “trupe juristësh në ndihmë të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë”.

Siç u deklarua zyrtarisht, ky grup juristësh do të paguhet nga USAID, gjë e cila përcakton se ata do të jenë “të punësuar” të misionit të ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo të Gjykatës së Lartë.

Për shkak të këtij raporti kontraktual, është e paqartë se cili do të jetë statusi i kësaj trupe, krahasuar me ndihmësit e tjerë ligjorë që janë në detyrë apo që do të përzgjidhen në bazë të ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”.

Gjithashtu, kjo trupë, duke mos qenë formalisht pjesë e strukturave të shtetit shqiptar, mbetet për t’u konsideruar edhe fakti se cili do të jetë aksesi i tyre në dosjet në shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Një tjetër element në diskutim është edhe llogaridhënia e kësaj “trupe juristësh” që do të krijohet sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit KLGJ-USAID.

Ata do të funksionojnë si pjesë e Gjykatës së Lartë, ndërkohë që do të paguhen nga USAID. Pra, mbetet për t’u parë në modalitetet e mëtejshme se ku do të japin “llogari” për punën e tyre kjo “trupë juristësh”.

USAID-i është një mision që ka siguruar dhe vijon të sigurojë një mbështetje të madhe logjistike, ekspertize dhe infrastrukturore për institucionet shqiptare të drejtësisë.

Me Marrëveshjen e Mirëkuptimit të nënshkruar me Këshillin e Lartë Gjyqësor, USAID-i duket se do të marr edhe një rol tjetër, atë të rekrutimit dhe shpërblimit financiar për persona jashtë sistemit të drejtësisë.

Ky është një model për përballimin e krizës në sistemin e drejtësisë, por gjithësesi, i pahasur në asnjë vend me demokraci të konsoliduar apo vende në zhvillim.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...