Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar si “hipokrit” urimin që kreu i qeverisë Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu i kanë bërë sot infermierëve në Shqipëri me rastin e ditës së tyre ndërkombëtare. Sipas Berishës, “nderimi dhe vlerësimi më i madh për ta duhet treguar me trajtimin, pagat e merituara”.
“Kurrë nuk ka qenë kaq ndërkombëtare dita e tyre! – shkroi Rama sot në Fb. - Infermierët që kemi parë me sy të trishtuar, me vragat në fytyrë prej turneve të gjata si luftëtarët e pamposhtur me Covid-19, na mësuan se hero të bën sakrifica. Mirënjohje çdo infermieri në Shqipëri.”
Por, menjëhërë pas tij, Berisha ka replikuar në distancë me këtë mesazh:
"Urimi hipokrit i Edvin Hajdutit dhe ndrikull Hajni Flakës me infermierët!
Një mirënjohje të thellë infermiereve tona për punën e palodhur që bëjnë në përmbushjen e misionit të tyre human dhe fisnik. Por ata që në 7 vite, jo që nuk rriten, por ulen (për shkak të inflacionit) me 25%, rrogat e tyre, nuk kanë sy, faqe dhe as fytyrë apo moral të bëhen të njerëzishëm dhe t’i urojnë sot ato.
Detyra e infermieres është një detyrë humane e vështirë! Ato dhe ata që ushtrojnë këtë profesion të nderuar janë bashkeshorte, nëna, baballarë, kryefamiljarë.
Ata nuk kanë nevojë për urime hipokrite nga Edvin Hajduti dhe Ndrikull Hajni Flaka, që me PPP dhe vjedhjet në prokurime janë shkaku kryesor i varfërisë së tyre.
Nderimi dhe vlerësimi më i madh për ta duhet treguar me trajtimin, pagat e merituara.
U rritën me 150% në vitet 2005-2013 rrogat teje të ulëta që ato kishin. Por që nga viti 2013 dhe gjer sot, me akumulimin e inflacionit, pagat e infermierëve dhe mjekëve u ulën së paku me 25%, gjë që i detyroi mijëra e mijëra prej tyre të largohen nga Shqipëria.
Duke përfunduar, dënoj me ashpërsinë më të madhe qëndrimin çnjerëzor dhe cinik, hipokrit e mosmirënjohës të Edvin Hajdutit, Ndrikull Hajni Flakës ndaj bluzave të bardha dhe kërkoj rritjen urgjente të rrogave të tyre."