Ndërkohë që Këshilli i Lartë Gjyqësor emëroi 3 anëtarë në Gjykatën e Lartë nga radhët e juristëve të spikatur, procesi për përzgjedhjen e të katërtit, i hapur që në shtator të 2019- ës, ende nuk ka përfunduar.dvorani-meta
Përfundimi i kësaj procedure dhe emërimi i anëtarit të katërt nga radhët e juristëve të spikatur do të çonte dhe në largimin e Ardian Dvoranit nga detyra. Kujtojmë se mandati jashtë afatit kushtetues i këtij të fundit, ka çuar në përplasjen e Presidentit me gjyqtarin e lartë, ndërsa çështja është tashmë në KLGJ, ku Meta ka kërkuar ndërprerjen e mandatit.
Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk arriti të merrte dot një vendim për kërkesën dhe kërkoi opinionin e ndërkombëtarëve, ndërsa duket se tashmë ka në dorë një zgjidhje me të lehtë, përfundimin e procedurës për përzgjedhjen e kandidatit të katërt, çka do të çonte në largimin automatik të Dvoranit nga detyra.
Presidenti Meta me anë të një kërkese për informim, kërkon të dijë se në çfarë faze janë procedurat e përzgjedhjes, në kushtet kur vetë KLGJ i ka bërë të ditur më herët se procedurat janë në vazhdim. Disa ditë më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor njoftoi vazhdimin e procedurave për dy vendet vakante të hapura në shkurt të këtij viti, për anëtarët që do të përzgjidhen nga radhët e gjyqtarëve, ndërsa ende nuk ka bërë të ditur asnjë zhvillim për një procedurë të hapur më herët se kjo e fundit, që në shtator të 2019-ës.12
PËRBALLJA NË KLGJ
Ka qenë Presidenti Ilir Meta, i cili në 10 prill ka dërguar në Këshillin e Lartë Gjyqësor një shkresë ku kërkon nga KLGJ ndërprerjen e mandatit të Ardian Dvoranit, në kushtet kur janë emëruar 3 anëtarë të rinj në Gjykatën e Lartë. Kujtojmë se Dvorani ka qëndruar në detyrë 6 vite më shumë nga mandati 9- vjeçar i parashikuar, pasi nuk u zëvendësua asnjëherë. Sipas pikës 5 të nenit 136 të Kushtetutës, anëtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë, edhe pas përfundimit të mandatit deri në momentin e zëvendësimit me një tjetër anëtarë.
Meta në shkresën e dërguar pranë KLGJ, shkruan se mandati i Dvoranit ka përfunduar në vitin 2014 dhe në kushtet kur janë emëruar 3 gjyqtarë, atëherë ai duhet të lërë detyrën, pasi vendi i tij është plotësuar.
Nga ana tjetër, Dvorani duke e konsideruar shkresën e Presidentit si një ndikim të papërshtatshëm në institucionet e drejtësisë, shton se edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka asnjë kompetencë ta marrë këtë shkresë në shqyrtim. Dvorani më tej thotë se nëse shqetësimi për këtë çështje do të ishte real, atëherë Presidenti nuk duhet të emëronte tre anëtarët e rinj, por duhet t’i kërkonte KLGJ që të caktonte se kë zëvendësojnë këta anëtarë.
Mënyra e emërimit në Gjykatën e Lartë, njësoj si në gjykatat në Shkallë të Parë e të Dytë, nuk bëhet me zëvendësime, për qëllimin e vetëm që të mos mbesin vakanca, thotë Dvorani, duke shtuar se me emërimin e anëtarit të 4, që vjen nga radhët e juristëve, atëherë ai do të largohet.
“Vlerësoj se në rastin konkret, emërimi i tre gjyqtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë me dekret përkatës të Presidentit të Republikës nuk sjell si pasojë përfundimin e detyrës sime si gjyqtar i Gjykatës së Lartë, kjo deri në emërimin e gjyqtarit të katërt, që duhet të përzgjedhë e propozojë KLGJ dhe duhet të dekretojë Presidenti i Republikës nga radhët e juristëve të spikatur”.
Kandidati për Gjykatën e Lartë kërkon të dijë fazën e procesit
Presidenti Ilir Meta nuk është i vetmi që ka kërkuar të dijë se në cilën fazë të përzgjedhjes është Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi edhe një prej kandidatëve për vendin e katërt vakant, Darjel Sina, ka kërkuar informacion në rrugë zyrtare.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetës “Panorama”, Sina tha se në datë 29 prill i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor me një kërkesë për informim në cilësinë e kandidatit, për të ditur ecurinë e procesit. Sina tha se është në pritje të përgjigjes së Këshillit. “Referuar pyetjes suaj, ju sqaroj se unë, Darjel Sina, jam bërë pjesë e garës për anëtar në Gjykatën e Lartë, në datë 21.09.2019, duke dorëzuar çdo dokumentacion të kërkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, brenda afateve të vendosura nga ky organ. Në datën 29.4.2020, përmes rrugëve zyrtare, në cilësinë e kandidatit, kam kërkuar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor informacion mbi ecurinë e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për anëtar në Gjykatën e Lartë. Mbetem besimplotë se KLGJ do të më informojë lidhur me ecurinë e procesit brenda afateve ligjore, siç ka vepruar në çdo rast. Dëshiroj të falënderoj të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor për punën e bërë edhe në këtë situatë të jashtëzakonshme”, tha Darjel Sina