Prindërit e Erion Veliaj arritën ti blinin djalit të tyre një shtëpi tre ditë para se të merrte detyrën si Ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë por çudia me ish-Ministrin, sot kryebashkiakun e Tiranës, është se një muaj pas blerjes së këtij apartamenti ai bëri rivlerësimin e objektit duke dalë i fituar me rreth 62 mijë euro.
Në formularin e vetëdeklarimit të dorëzuar në ILDKPI vërehet se Erion Veliaj ka hyrë në qeveri i pasur nga puna e tij si aktivist i organizatës jofitimprurëse 'Mjaft'.
Para se të merrte zyrën si anëtar i qeverisë në portofolin gjendeshin rreth 70 mijë euro duke përfshirë edhe rivlerësimin si dhe dy automjete me vlerë 29 mijë euro.
Por pak muaj më vonë të ardhurat e Veliajt në krye të Ministrisë u tkurrën ndjeshëm, duke shkuar në rreth 8 mijë euro.
Por tatëpjeta monetare për politikanin e ri do të vijonte dhe në 2014, ku në llogarinë e tij bankare mund të numëroje jo më shumë se 7 mijë euro dhe një automjet ku mbetet e paqartë nëse e ka shitur apo blerë me vlerën 5 mijë euro.
Ajo çfarë vihet re është se llogaria bankare e Veliajt ishte shumë herë më e zbrazët sesa bashkëjetuesja e tij në atë kohë Ajola Xoxa e cila numëronte më shumë se 36 mijë euro dhe një investim në apartament me vlerë 27 mijë euro.
Por me të hyrë në Bashki, lali Eri i përmirësoi financat duke i dyfishuar ato.
Në 2015, kurba u rrit edhe për bashkëjetuesen e tij, ku sipas deklarimit të ardhurat rriteshin falë punës së saj si konsulente ligjore.
Në 2016 personat e së njëjtës familje marrin drejtime të ndryshme sa i përket pasurisë së tyre.
Veliaj vijoi ta përmirësojë arkën e tij në bankë, por duke mos deklaruar arsyen pse mori edhe një kredi rreth 50 mijë euro të rimbursuar në 2015 për ta paguar deri në vitin 2030.
Ndërsa Veliaj zhytej në kredi, Xoxa rriste numrat në llogarinë bankare si dhe një investim prej 88 mijë euro në një apartament.
Por një vit më pas edhe pse me kredi dhe të njëjtën pagë si kryebashkiak, Erion Veliaj kishte më shumë para në portofolin e tij, 33 mijë euro të deklaruara.
Në të njëjtat ritme ka vijuar edhe bashkëshotja e tij pro më shumë se trefishi i parave të Veliajt.
Në 2018, Kryebashkiaku ka një rënie të ndjeshme të të ardhurave me afro 5 mijë euro, por ka gjetur edhe mundësinë të shlyejë këstet e kredisë duke lënë një detyrim prej 43 mijë eurosh.
Gjatë këtij viti bashkëshortja e tij arriti të fusë në llogari 121 mijë euro si dhe një investim në një apartament prej 105 mijë eurosh.
Këto para sipas formularit erdhën edhe për shkak të të ardhurave mjaft të mira si konsulente përfaqësuese për Shqipërinë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, Agjensi e Komisionit Europian.
Formulari i vetëdeklarimit për 2019 i Erion Veliajt, i cili korrespondon edhe me një vit zgjedhor, nuk është ende i aksesueshëm për mediat pasi procedurat janë shtyrë deri në qershor për shkak të pandemisë.