Ndonëse kanë kaluar 8 ditë që kur Teatri Kombëtar u shemb nga ruspat e Bashkisë, ai vijon të jetë një nga atraksionet e kryeqytetit për të gjithë ata që vizitojnë Tiranën.
Të paktën kështu duket në faqen e tirana.al të Bashkisë së Tiranës kur Teatri prezantohet si një nga pikat e interesit dhe atraksione.
Në faqen e web, bëhet një prezantim me historinë e Teatrit Kombëtar që nga viti 1941 deri në ditët e sotme dhe më pas jepet adresa e e-mail-it dhe numri i telefonit.
E njëjta gjë edhe për Teatrin Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’. Për ironi të fatit tregohet dhe çfarë rruge mund të marrin turistët e huaj apo dhe qytetarët që vijnë nga rrethet dhe duan ta vizitojnë por tashmë iu duhet thënë e vërteta, se në destinacion do të gjejnë veç një pirg inertesh.
Ja çfarë shkruan Bashkia e Tiranës në faqen e internetit:
Teatri Kombëtar u ndërtua nga italianët në vitin 1941 si qendër komplekse kulturore: Kinema- Teatër ‘Savoja’. Për kohën ishte kinema – teatri më luksoz në Shqipëri, me 800 vende (plateja dhe lozha). Në vitin 1943 u riemërtua ‘Kosova’.
Pas çlirimit, në vitin 1945, këtu u zhvillua gjyqi i parë ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist. Më vonë në këtë ndërtesë u vendos teatri i parë profesionist shqiptar i quajtur ‘Teatri Popullor’ dhe që atëherë ka shërbyer si teatër.
Sot mban emrin ‘Teatri Kombëtar’.