Presidenti Meta:Kam vendosmëri për të qenë bashkëpunues me institucionet

Premte, 26 June 2020 14:54

Në komunikimin javor me gazetarët në lidhje me zhvillimet politike, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se do të jetë i palodhur për zbatimin e Kushtetutës. Ndërkohë, ka zbuluar se i ka dërguar një letër kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi për procesin e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese.

”Kemi përfundimisht të përkthyer raportin e Komisionit të Venecias. Kam vendosmëri për të qenë bashkëpunues me institucionet. Sot i kemi përcjellë shkresën kryetarit të Kuvendit për të zhvilluar një takim sa më parë të ketë mundësi, nga e hëna që vjen. Ju do të thoni pse nga e hëna? Sepse sot kemi të përkthyer në mënyrë të certifikuar dhe zyrtare raportin e Komisionit të Venecias. Ky është një dokument zyrtar dhe me përgjegjësi të plotë nga institucioni i presidentit, do t’u dërgohet të gjitha institucioneve, përfshirë edhe Kuvendit, nëse edhe ata kanë bërë një përkthim të certifikuar e mirëpresim, po ashtu do ia nisim edhe KED-së. Gjykata Kushtetuese duhet të jetë sa më shpejt funksionale, është kryekusht edhe për Integrimin”.
Ndër të tjera, kreu i shtetit tha se është i gatshëm për bashkëpunim për zbatimin kushtetues të Reformës në Drejtësi. Sipas Metës, ngritja e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë kushtetuese duhet të bëhet urgjentisht, pasi ky është kryekushti i Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian për integrimin e Shqipërisë në BE.

“Dua të përqendrohem mbi tre elementë kryesorë. Së pari po e nis me Komisionin e Venecias, për arsye të urgjencës që ka ngritja e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë Kushtetuese. Si President i Republikës, siç kam qenë gjithmonë i palodhur në kërkim të bashkëpunimit për zbatimin kushtetues të reformës në drejtësi, do të vijoj të jem kështu edhe pas raportit final të Komisionit të Venecias dhe sot i kemi përcjellë shkresën zyrtare kryetarit të kuvendit për të zhvilluar një takim sa më parë që ai të ketë mundësi, duke filluar nga e hëna që vjen.

Kjo është shumë e rëndësishme, sepse Gjykata Kushtetuese duhet të jetë sa më shpejt funksionale në interes të shqiptarëve, por edhe sa i takon procesit të integrimit, sepse është kryekusht nga PE. padyshim që edhe Bundestagu dhe KE, PE, Parlamenti Danez, etj, do ta marrin në variantin origjinal raportin e Venecias.

Shpreh vendosmërinë e Presidentit për të qenë gjithmonë bashkëpunues me të gjitha institucionet, siç kam qenë përherë, në mënyrë që në Shqipëri Reforma në Drejtësi të fitojë shpejtësinë e humbur dhe të rifitojë besimin e qytetarëve. Kjo realizohet jo përmes interpretimeve sipas dëshirave apo interesave të secilit, por vetëm përmes respektimit të Kushtetutës dhe ligjit nga të gjithë. Së dyti, implementimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias është e vetmja rrugë për të ecur përpara. Rekomandimet janë të qarta edhe në shqip”, tha Meta.

Situata politike në Kosovë, u trondit nga lajmi se zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka ngritur aktakuza ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill. Presidenti Meta, teksa e ka cilësuar si një zhvillim sfidant, e quan edhe si strategji për të njollosur UÇK-në.

”Çështja e dytë është për aktakuzat e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Natyrisht që është një zhvillim mjaft sfidant, i cili absolutisht që jam i sigurt, që do të përballohet me shumë urtësi, unitet dhe largpamësi nga jo vetëm këto dy personalitete por edhe nga presidenti i cili ka qenë udhëheqësi kryesor politik i UÇK, por edhe Veseli, që duke vlerësuar se nuk është një sfidë e tyre në planin individual, jam i bindur që do të përballohet me shumë dinjitet dhe përgjegjshmëri jashtë kalkulimeve afatshkurtra nga klasa politike në Kosovë.

Nuk është hera e parë që ndaj udhëheqësve të UÇK-së, të kemi aktakuza, të gjithë kemi eksperiencën e këtyre 20 viteve, ku pala që shkaktoi luftën dhe gjenocidin e ka kthyer në një strategji të sajën njollosjen e UÇK, por jo vetëm kaq, por edhe dëmtimin e funksionimit të shtetit të Kosovës, pavarësia e të cilit jo vetëm që është njohur nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë, por edhe ka treguar se është faktor stabiliteti për rajonin.

I shpreh solidaritetin tim edhe si president por edhe si mik dhe shok me presidentin e Kosovës, por edhe me kryetarin e PDK-së dhe jam i sigurt që ata do ta përballojnë me mjaft dinjitet për të konfirmuar edhe njëherë tjetër drejtësinë e luftës së UÇK-së dhe rrëzuar këtë strategji provokative që kërkon të mbajë peng rajonin dhe të minojë integrimin si në disa vende fqinje”.

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...