Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti zhvilloi sot një takim me Komisionerin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi. Padyshim që tema kryesore në këtë takim ishte procesi i liberalizimit të vizave, ndërkaq kryeministri Hoti ka thënë se ky proces duhet të përmbyllet urgjentisht.
“Temë kryesore e këtij takimi ishte procesi i liberalizimit të vizave. Kryeministri Hoti ka theksuar nevojën urgjente për përmbylljen e këtij procesi, si një ndër çështjet më me rëndësi të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian. Kosova dhe qytetarët e saj janë të përcaktuar në orientimin e tyre euroatlantik, prandaj kryeministri Hoti ka vlerësuar se është e rëndësishme që edhe Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapat e nevojshëm, që të sigurohet lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit Hoti.
Në takim po ashtu është biseduar edhe për zhvillimet politike në Kosovë, rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë dhe projektet e mëdha infrastrukturore.
“Kryeministri Hoti ka takuar për të dytën herë brenda pak ditësh Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, z. Oliver Varhelyi, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend, si dhe për procesin e rimëkëmbjes ekonomike pas përballjes me pandeminë Covid 19, duke përfshirë këtu edhe bisedën për projektet e mëdha infrastrukturore, të cilat janë pjesë e pakos së rimëkëmbjes. Në këtë takim u fol edhe për nevojën për strategji dhe protokolle të përbashkëta regjionale e evropiane për luftimin e pandemisë, ndërsa z. Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se Kosova si pjesë e kontinentin është dhe do të jetë pjesë e kësaj strategjie”, thuhet në njoftim.