Një lajm i bujshëm pushtoi faqet e para të medieve ndërkombëtare sot. Politikani rus i opozitës, Alexei Navalny është helmuar me agjentin nervor Novichok.
Kritiku më i ashpër i Vladimir Putin gjendet i shtruar në një spital në Berlin.
Ekspertët gjermanë thanë se kanë prova të padiskutueshme se Navalny është helmuar nga ky agjent nervor. Kurse kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se kjo ishte një tentativë vrasje dhe se Rusia duhet të japë përgjigje.
Navalny mendohet se është helmuar kur lënda kimike i është hedhur në çaj gjatë një ndalese në aeroport.
Novichok është një agjent kimik i prodhuar nga Bashkimi Sovjetik në vitet 1970 dhe 1980. Ky helm u përdor në vitin 2018 në Britani kundër një ish-spiuni rus, të quajtur Sergei Skripal. Ai u helmua bashkë me të bijën. Ndërkohë të tjerë kritikë të Kremlinit janë helmuar gjatë viteve të fundit.
Zyrtarisht Novichok nuk duhet të ekzistojë. Por në vitin 2018, gazetari i njohur i gazetës BILD, Peter Tiede, vizitoi vendin ku prodhohet kjo lëndë kimike në Kremlin.
Bëhet fjalë për Institutin Shtetëror të Kimisë Organike.
“Këtu është vendlindja e disa prej helmeve më të këqinj në botë, një laborator helmesh i Bashkimit Sovjetik për dekada dhe tani i Federatës Ruse. Kjo është: kuzhina e helmeve e Vladimir Putin.
Pikërisht këtu prodhohet një nga agjentët më të fshehtë dhe më vdekjeprurës të Rusisë: neurotoksina Novichok”, raportonte Tiede.