Ditën e sotme një skandal tronditës u publikua nga Partia Demokratike. Një kompani rezulton se ka përfituar miliarda lekë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe më pas 65 përqind të fondit ia ka kaluar Karlo Bolinos dhe bashkëshortes së tij.
Kjo ngre dyshime të forta për tendera fiktivë, me të cilët Rama paguan mediat e tij me paratë e taksapaguesve.
Kompania është në pronësi të Igli Gjelishtit, i cili ka bërë një reagim në median sociale. Ai në thelb praktikisht thotë se lekët Karlos ia ka dërguar me bankë dhe ‘jo me valixhe’.
Gjelishti thotë se Karlon e ka mik pasi “më ka dhënë ndihmë shëndeti në një moment kritik para 8 vitesh dhe që atëherë nga klient u shndërrua në mik që do i jep përherë mirënjohës”.
Në reagimin e tij ai paralajmëron se do të vazhdojë të fitojë tendera të tjerë.
Por si qëndron skandali me pak fjalë?
Kompania e Gjelishtit ka fituar 7.5 miliardë lekë tendera nga AKSHI. Por vetëm për shtatë muaj, ai i ka transferuar kompanive të Bolinos dhe bashkëshortes plot 1 miliardë lekë.
Ai thotë se këto lekë kanë shkuar për reklama. Por si mund të shpenzojë një kompani 65 përqind të të ardhurave për reklama te një grup i vetëm mediatik? Si është e mundur që kjo kompani bën reklama, kur e vetmja gjë që bën, është biznesi me qeverinë?
Çfarë pune ka bërë Bolino që ka marrë këtë shumë të stërmadhe?
Në fund të fundit, sa duhet të jetë norma e fitimeve nga tenderat e AKSHI në shtet, kur një kompani që bën biznes vetëm me AKSHI, shpenzon mbi 65 përqind të faturimeve vetëm për reklamë?
Kjo është gropa e fëlliqur ku ushqehet me paratë e taksapaguesve Bolino, për të kthyer mediat e tij në altoparlantë të Edi Ramës.