/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti dje në një takim për më shumë se 1 orë diplomatët përfaqësues të Bashkimit Europian, SHBA-së dhe Anglisë
Takimi i Sorecës, Norman dhe Leyla MosesOnes me kreun e PD-së erdhi vetëm një ditë pasi rifilloi puna në Këshillin Politik, por me akuza dhe pozicionime të pandryshuara.
As nga Partia Demokra tike, por as ndonjë prej selive diplomatike nuk pati reagime apo detaje zyrtare në lidhje me tematikën e këtij takimi. Nga sa mësohet, fokusi i bisedës së kryedemokratit Basha me trojkën e diplomatëve kishte të bënte me situatën politike dhe ecurinë e përmbylljes së ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për ta përshtatur me Kushtetutën e re, që u ndryshua në seancën e 30 korrikut në Kuvend.
FTESA
Fill pas mbylljes së takimit të Bashës me ambasadorët, opozita e bashkuar shpërndau për mediat një letër zyrtare, ku kërkonte mbledhjen e Këshillit Politik ditën e sotme, në orën 10:00. Në letrën e PD-së drejtuar maxhorancës socialiste, mbledhja kërkohej me motivin që për pikat, për të cilat palët nuk bien dakord, t’i drejtohen për marrjen e ekspertizës nga OSBE/ODIHR. Në letër opozita e argumentonte këtë kërkesë të saj, duke thënë se kjo ishte mënyra se si palët ishin dakordësuar në marrëveshjen e 14 janarit për pikat apo rastet ku nuk do të gjenin konsensus.
“Të nderuar kolegë! Në vijim të mbledhjes së ditës së hënë, me qëllim gjetjen e konsensusit për kërkesën e opozitës së bashkuar, për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR për çështjet që nuk biem dakord në Këshillin Politik, siç parashikohet edhe në marrëveshjen e 14 janarit, kërkojmë: Thirrjen e mbledhjes së Këshillit Politik nesër, e mërkurë, në orën 10:00. Në këtë mbledhje, opozita e bashkuar do të prezantojë kërkesën për marrjen e ekspertizës së OSBE/ODIHR. Për sa më lart, mbetemi në pritje të konfirmimit tuaj për mbledhjen e ditës së nesërme”, shkruhej në letrën e nënshkruar nga përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.
ÇËSHTJET E DISKUTUESHME
Në mbledhjen e parë të këtij sezoni të ri politik të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, palët u shfaqën me qëndrimet e tyre të muajit korrik, duke mos u pajtuar për çështjen e hapjes së listave 100 për qind, koalicionet parazgjedhore si dhe për shpërndarjen e mandateve.
Maxhoranca kërkon që listat të hapen në masën 70% për të rezervuar 30% për kuotat gjinore, si dhe një ndryshim për sa u përket koalicioneve zgjedhore bashkë me formulën e shpërndarjes së mandateve.
Nga ana tjetër insiston që listat të hapen 100%, ndërsa për koalicionet parazgjedhore dhe shpërndarjen e mandateve, kërkon që të mbeten të pandryshuara. Këto çështje pritet të jenë temat më të forta, ku do të përqendrohet edhe debati në Këshillin Politik gjatë këtij muaji.