Ndërkohë që krimi ka dalë jashtë kontrollit sidomos gjatë këtyre ditëve të fundit kur kanë ndodhur atentate me eksploziv dhe armë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, po punon fort për të pastruar biografinë e tij dhe për të vënë baste me median.
Lleshaj këmbëngul se makina luksoze me të cilën po lëviz këto kohët e fundit, nuk kushton më shumë se 49 mijë euro (sikur janë 49 mijë fara lule dielli) dhe nëse ata që e akuzojnë për të kundërtën vërtetojnë se kushton më shumë, ai është i gatshëm që të japë dorëheqjen.
Lleshaj deklaron gjithashtu se mjeti është blerë në emër të ministrisë që ai drejton, ndërsa ai vetë ka në përdorim një automjet Honda të blerë prej vitit 2010.
“Bëni mirë që bëheni zëdhënës i një personi të caktuar që e quani media. Unë nuk e konsideroj të denjë për t;i kthyer përgjigje. Ju thatë diçka të bukur në fund, që në vend që t’i turrem medias unë duhet të shkoj në gjykatë. Medias të cilës ju i referoheni nuk quhet media sepse është një instrument i mashtrimit publik, Ajo po mashtron publikun prej disa ditësh duke thënë që Lleshaj ka blerë makinë. Unë kam një makinë Honda që prej vitit 2010. Kjo media ka pasqyruar një fakt të rremë që kam blerë automjet 100 milionë euro. Mjeti ka kushtuar vetëm 49 mijë euro edhe është blerë për llogari të Ministrisë së Brendshëm. Nëse ka kushtuar më shumë se kaq, unë jap dorëheqjen”, tha ai sot përpara gazetarëve.
Gjithsesi, pavarësisht se sa është çmimi real i mjetit luksoz që po përdor së fundmi ministri Lleshaj, shqetësimi që është ngritur në publik nuk ka të bëjë edhe aq me shifrën reale të tij, por për guximin që në një kohë që vendi po vuan nga kriza ekonomike e pandemisë dhe pasojat e stërzgjatura të tërmetit, një ministër i kabinetit Rama blen makinë që shkon sa 2-3 apartamente, që mund të ishin vënë në dispozicion të të pastrehëve nga tërmeti.