Zyrtarisht nën diktaturë!

Hënë, 23 October 2023 11:15

Shqipëria aktualisht është nën kontrollin absolut të një personi-Edi Rama-i cili kontrollon me dorë të hekur pushtetin ekzekutiv, pushtetin legjislativ dhe fuqishëm pushtetin gjyqësor.

Ai dhe njerëzit e tij të afërt-përfshirë Erion Veliaj, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri, Ilir Beqja, e një rradhë e gjatë, janë të paprekshëm nga drejtësia, pavarësisht dyshimeve të forta që ekzistojnë mbi ta.
 

Dhe, nga ana tjetër, “dictatorship” ka në dorë masën represive, Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), e cila “merr porosi” për të goditur ata që hanë dardha, mollë e ftonj pas kurrizit të Liderit, por edhe për shkatërrimin e opozitës.

 
 
Në këto orë, u mësua se, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, është vendosur nën masën e “ndalimit për dalje jashtë shtetit” kryetari i Partisë Demokratike, forcës më të madhe opozitare në vend, Sali Berisha.
 

Prej vitit 2021, një lobim i Edi Ramës me ndërkombëtarë të ndryshëm, e vendosi Berishën në shënjestër-fillimisht me shpalljen “non grata” pa fakte të publikuara nga Departamenti i Shtetit, dhe, me fakte të sajuara, nga Home Office i Britanisë së Madhe.

Kjo goditje “diplomatike” nuk ishte e mjaftueshme për të dobësuar Berishën. Madje, ai nisi një rrugëtim politik, të quajtur Foltore, duke synuar Rithemelimin e Partisë Demokratike, pas përplasjeve të brendshme në formacionin politik opozitar.

Tashmë që opozita e drejtuar nga Berisha po i rikthehej rolit të saj kushtetues, kryeopozitari merr goditje nga SPAK-u.

Ndaj tij është vendosur masa ndaluese, për një histori që ka nisur mbi 10 vjet më parë, e që lidhet me privatizimin e truallit të ish-klubit “Partizani”.

Për momentin, priten detaje mbi akuzën që rëndon mbi Berishën, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe persona të tjerë. Megjithatë, ky zhvillim ishte paralajmëruar prej kohësh nga mediat pro Edi Ramës, çka krijon dyshimet se e gjitha ka qenë e paracaktuar dhe e parapërgatitur në kuzhinën qeveritare.

Veprimi i SPAK-ut koincidon me akuzat e Berishës dhe Malltezit për një operacion, që dyshohet se do të injektojë rreth 100 milionë euro në inceneratorin e Tiranës.

Për këtë histori, të akuzuarit kryesorë nga opozita janë Edi Rama dhe Erion Veliaj. Por, ndërkohë që kushdo mund të priste iniciativë të SPAK-ut ndaj këtyre të dyve, prokurorët e posaçëm kanë vendosur të penalizojnë denoncuesit.

Historia botërore njeh shumë raste, kur “dictatorship” përdor drejtësinë për të shkatërruar opozitën. Një rast i njohur botërisht është dënimi që drejtësia e Putinit i ka dhënë opozitarit Navalny.

Prej kësaj të shtune, edhe Shqipëria ka “Putinin e vetë”. Një “kopje të shëmtuar Putini”, por sërish “Putin”.

Modifikuar më Hënë, 23 October 2023 11:34
Login to post comments