Manjani: Kjo është hakmarrje politike! Firmosi Rama, korruptohet Berisha (!)

Hënë, 23 October 2023 11:24

Nga Ylli Manjani

Sinqerisht, mbase do pajtoheshim me socialistët, të cilët në shenjë hakmarrje për burgosjen pa të drejtë të Fatos Nanos, sot gëzojnë disi me "burgosjen" gjithashtu pa të drejtë të Berishës.

Mbase do binim disi në një mendje edhe me rilindasit dhe aleatët e tyre me pagesë në media, të cilët Berisha ua ka bërë gjyqin publik prej vitesh dhe, që gëzojnë me goditje që i bëjnë Atij po me gjyq publik.(se me gjyq juridik kanë 10 vjet që s'po ja dalin)

Por që të ishim në dakordësi me ta, do të duhej që pushteti të merrte përgjegjësinë publikisht si ideatori dhe goditësi i Berishës sot.
 
Qoftë edhe për aq sa u ka bërë Berisha atyre, duhet ta pranojnë se po ia kthejnë me të njëjtën monedhë.
 

Ta pranojnë kaq gjë dhe sa më takon do t'i mirëkuptoja, pavarësisht konstatimeve të mia profesionale, në reagimin e tyre hakmarrës. Kjo e fundit është pjesë e realitetit tonë edhe në politikë. Hakmarrja është instinkt njerëzor.

Ky popull fundja është i bindur se "këtu, në këtë dynja, lahen të gjitha"...

Por, do tu lutesha të na kursenin fyerjen që na bëjnë me "pavarësinë e SPAK" dhe me "bazueshmërinë ligjore" të budallëqeve që dalin prej aty.

Beteja hakmarrëse kërkon burrni. Përplasje sy për sy. Si ma bëre, do ta bëj. Jo firmos Rama, korruptohet Berisha e burgun e bëjnë familjarët. As të na quani "favor korruptiv" sorollatjen 15-vjeçare për të marrë tokën që ta jep ligji.

Na i kurseni budalliqet dhe fyerjet. Pranoni hakmarrjen politike dhe dakord jemi!

Nëse nuk pranoni hakmarrjen, pranoni se po terrorizoni shqiptarët me kësi ndërhyrjesh komuniste ku të kesh pronë quhesh kulak, të bësh biznes quhesh i korruptuar.

Pranoni hakmarrjen për politikë që të bëheni burra dhe, njerëzia të shohë punët e veta!

***

Ndërkohë teoritë me amerikanllëqe dhe Lulbashllëqe i neveris. Ata nuk hyjnë fare në këtë ekuacion hakmarrës.

Lulbashllëqet që thonë se Berisha u kthye "për të mbrojtur veten dhe familjen", besoj u sqaruan se vetja  e familja mbrohet duke heshtur e hapur rrugën e jo duke u përplasur.

Login to post comments