Genc Gjokutaj, i cili u prezantua sot në GJKKO si përfaqësues ligjor i kryetarit të Partisë Demokratike i ftuar në Syri Tv në 'Edicionin e Mesditës', u shpreh se absurdi më i madh në hetimet e SPAK për kreun e opozitës Sali Berisha dhe JamArbër Malltezi në lidhje me kompleksin Partizani është fakti se JamAbrër Malltezi po trajtohet si zyrtar i lartë apo i zgjedhur vendor, kur në fakt nuk ka qenë asnjëherë i tillë, por është një bashkëpronar në një pronë me katër familje të tjera.
Gjokutaj shtoi se as Malltezit dhe as liderit të opozitës Sali Berisha, për tre vite nuk ju kërkua të dëshmojnë asnjëherë që të përballeshin me akuzat, të cilat Gjokutaj thekson se nuk përbëjnë element të asnjë vepre penale, as elementë të një konflikti civil dhe çfarë është më kryesorja, aty nuk ka një dëm.
Akuza thotë se Fatmir Bektashi, një ndërtues ka korruptuar JamArbër Malltezin dhe ai në bazë të dispozitës neni 260, trajtohet si zyrtar i lartë apo i zgjedhur vendor, kur nuk ka qenë asnjëherë i tillë, ky është absurdi i gjithë kësaj historie. JamArbër Malltezi nuk është një person një biznesmen që ka ndërhyrë te një tokë.
JamArbër Malltezi bashkë më katër familje të tjera janë pronarët e tokës dhe ka dy kthime që nga qeveria Nano, viti 1999 dhe 2002 dhe për shkak të shtrirjes në kohë, 20 e ca vite, kujtojmë se Prokuroria thotë që ka ndikuar në përshpejtimin e kësaj procedure, përshpejtim 23 vjet?
Unë nuk di kë quajnë përshpejtim. Kjo histori është qepur keq juridikisht sepse e para JamArbër Malltezi nuk ka cilësi , e dyta tentativa për ta pleksur këtë punë me Berishën, si ish kryeministër po ju them që , ribërja e ligjit, amendimi i tij për komisionin e kthimit të pronave, ka kaluar nga një ligj liberal në një me filtra dhe kritere të forta, siç është për shembull mos konsiderimi i vërtetimit të faktit ku njerëzit me tre dëshmitarë bëheshin pronarë të tokës. Pra ky amendim nuk ka shkuar në lehtësim siç thotë Prokuroria që thotë e ka përshtatur. Kjo është bërë për gjithë shqiptarët. Sepse nuk kanë ndërtuar vetëm pronarët e kësaj prone, por është ndërtuar në gjithë Shqipërinë dhe janë trajtuar me këtë ligj.
Që nga ndërtuesit, deri te JamArbër Malltezi dhe deri te lideri Sali Berisha, ata nuk janë thirrur për tre vjet një herë, një korrespondencë nuk ka pasur, sepse e thotë ligji që ‘kushdo përpara se të dënohet dhe hetohet, ka të drejtë të dëgjohet’ , është një standard ndërkombëtar i ligjit.
Nuk janë pyetur njëherë në cilësinë e dëshmitarit që ata kanë detyrimin për të dëshmuar dhe nën betim, që të përballeshin me provat që këta hamendojnë se i kanë dhe që provojnë akuzat të cilat ua përsëris, nuk përbëjnë element të asnjë vepre penale dhe nuk përbëjnë as elementë të një konflikti civil sepse për hir të së vërtetës , nuk ka konflikt civil dhe çfarë është më kryesorja aty nuk ka një dëm.
Është një marrëveshje private e bashkëpronarëve me ndërtuesin, si në qindra e mijëra raste që ndodhin në Shqipëri.