Kryetari i PD, Sali Berisha, ka shprehur sot dhimbjen e tij për ndarjen nga jeta të një personaliteti të shquar të artit shqiptar, të z. Ali Oseku. Berisha e ka vlerësuar maksimalisht Osekun, duke e parë madhështor në vlerat e tij si njeri, si mendimtar, po aq edhe gjeni në pikturë.
"Dielli perëndoi përgjithmonë për Ali Osekun, - shkroi Berisha në Fb. - Ali Oseku njëri prej artistëve më të mëdhenj dhe më të talentuar i arteve pamore mbylli sytë përgjithmonë.
Ali Oseku në vitet më të para të karrierës së tij, për të qendruar besnik i të vërtetave që besonte dhe dinjitetit njerëzor zgjodhi sakrificën, burgun, Spaçin në vend të nënshtrimit, konformizmit dhe glorifikimit të së keqes me realizmin socialist.
Mendimtar, patriot, fjalëpak, piktori Ali Oseku ishte gjeni i vërtetë në pikturën shqiptare dhe do mbetet i përjetshëm në krijimet e tij.
Me këtë rast shpreh nderimin tim më të madh për burrin dhe artistin kolos Ali Oseku dhe ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve e të afërmëve të tij. Amin!"