Erion Veliaj u shfaq sot me mesazhet e koduara, sikundër ndodh rëndon në situata të tilla, ku i akuzuari kthehet në akuzonjës.
Mesazhin e parë, ia drejtoi Edi Ramës, si për ti thënë që dardhat pas shpine mund të hahen në Qeveri, por ama fiqtë hahen në Bashki. E ndërsa Rama ia ka hedhur paq përgjegjësive me dardhat e pas shpinës, Veliaj natyrisht që sheh si një mundësi shpëtimi në mos dardhat, fiqtë.
Mesazhin e dytë ia çoi drejtësisë së re, SPAK e GJKKO, që pas shumë e shumë kohësh vendosën të godasin gardhin e ngritur nga Kryebashkiaku, ti marrin disa ‘gjeneralë’ e ‘kapterë’ që krejt rastësisht, na ishin mbledhur rreth të kulluarit Erjon.
Por jo vetëm kaq, Kryebashkiaku vendosi të merrte edhe dy pozicione krejt të kundërta, duke e trajtuar zyrën e tij në Bashki si sallë gjyqi. Nga një pozicion, ai i prokuror-gjykatësit Veliaj akuzonte denoncuesit e aferës kriminale `5D´, i vendosi lloj lloj epitetesh dhe ndoshta po të vazhdonte edhe pak mund të arrinte deri atje sa ti bënte të ndjeheshin në faj që kishin denoncuar një grabitje ditën për diell.
Pozicionin tjetër që mori ishte ai i avokatit, ndonëse pa licencë, të anëtarëve shtabisto-drejtorë, të arrestuar nga SPAK, pikërisht për ´5D´.
E ndërsa një ditë më parë luajti rolin e një kllouni për të kënaqur pjesën tjetër të shtabistëve, që sërisht i ka nën hetim, duke bërë batuta, sot mori një hap më serioz, edhe pse nuk pati kurajon, të paktën si ‘çun Tirone’, të merrte përgjegjësitë që i takojnë.
Ata që sot ndodhen pas hekurave, Tushe, Qato e Molla, por edhe të tjerë me masa më të lehta sigurie, por të gjithë me një apo më shumë akuza mbi shpatulla, por edhe të tjerë që po hetohen nga SPAK, janë, kush më shumë e kush më pak, fytyra e Erion Veliajt.
Ajo fytyra që sot e keni me faktet dhe provat e ‘5D’, pasi lalin e Bashkisë shpesh e keni parë sa qesharak, sa gjynafqar, sa kërcënues e shantazuesh, por jo më pak gënjeshtar të rëndomtë.
Është shfaqur edhe si prokuror e gjyqtar sa herë e kanë denoncuar dhe sa herë është ndjerë nën presionin e së vërtetave, por sot mori rolin e avokatit, jo politik, por të atij avokatit pa liçencë, që mundohet të mbrojë klientët e kapur jo në faj, jo në gabim, por në grabitje.
Dhe këta grabitësit e fondeve publike ishin jo thjesht drejtorët e emëruar nga partia në Bashki, por ishin të përzgjedhurit e Erionit, ata që i garantonin votat në 14 maj, ata që lëviznin si bandë për ti garantuar kapos vazhdimin e punëve në metropolin shqiptar.
Jo rastësisht të gjithë ndodhen në një vend, jo rastësisht të gjithë i bashkonte godina e Bashkisë apo struktura e saj vertikale, jo rastësisht ata ndodheshin në postet e pozicionet kyçe, sikundër jo rastësisht ata kishin guximin për të krijuar kompani, për të caktuar kritere e kushte, për t´u shpallur fitues dhe për të fituar më pas jo thjesht miliona euro nga buxheti, por edhe status të veçantë.
Ata kishin garanci në çdo hap që hidhnin, madje një garanci të tillë ua dha një vit më parë pikërisht Erjoni, kur nga studio televizive, merrte në mbrojtje një nga këto personazhet që sot është në qeli, dhe përbetohej se jo që nuk kishte kompani, por ishte në dijeni edhe të padive që do të bëheshin në gjykatë ndaj denoncuesit.
Denoncuesi ishte Belind Këlliçi, i njëjti që për 1 vit arriti të faktonte aferën, madje jo thjesht ta faktonte, por që të bindte edhe SPAK me dokumentet e depozituara që të guxonte të hidhte një hap ndaj të paprekshmëve të Bashkisë.
Koha tregoi se 1 vit më parë Veliaj mashtroi, Mariglen Qato i akuzuar për ´5D´ ishte pjesë e kompanisë që grabiste paratë e qytetarëve dhe sot ka mbi kurriz akuzat e SPAK.
Pothuajse 1 vit nga deklarata që jepte garanci se drejtorët e tij nuk kishin kompani që fitonin tendera dhe rrjedhimisht miliona euro, Erjonit sot iu desh të dilte për të thënë se ata që ka arrestuar SPAK nuk janë ata banditët që kanë vjedhur, jo vetëm paratë e qytetarëve, por edhe dinjitetin e tyre. Madje i bëri një tjetër profil, i paraqiti si njerëzit e përkushtuar që me punën e tyre anekënd Tiranës, i kanë zbardhur faqen qytetit dhe për rrjedhojë edhe Kryebashkiakut.
Me pak fjalë, Veliaj e ka pasur dhe e ka për nder që në postet kyçe vendosi këta të ´5D´, që ka punuar me ta, madje edhe që ka bashkëdrejtuar me ta punët e qytetit.
Erjoni zgjodhi t´i mbrojë miqtë e tij, jo thjesht nga pozicioni i një administratori që duhej dhe duhet të kujdeset për çdo qindarkë që mbledh nga qytetarët, por edhe si avokat.
Dhe në fakt e ka si detyrim dhe këtu nuk ka pse të ndjehet keq. Atë mandatin e 3-të të Kryebashkiakut ia garantuan pikërisht këta të ´5D´, që sot ndodhen kush në qeli dhe kush me masa më të buta sigurie, por edhe një pjesë tjetër, po nën hetim, që duket se mbajnë me gajret Erjonin.
Në fund të fundit, tani Erjoni ka shansin t´i provojë atyre në SPAK nëse i ka prej ‘hekuri’ ose jo …