Nga Jamarbër Malltezi:
Përshëndetje Z. Dumani,
U njoha me vendimin tuaj për zgjatjen e hetimeve pasi kinse 6 muaj ishte e pamjaftueshme ngaqë hetimet janë komplekse.
Në fakt ju po hetoni për (1) kthimin e pronës tek pronari i ligjshëm pas vjedhjes së saj nga shteti hajdut komunist për 65 vjet, (2) privatizimin e detyruar të objekteve të rrënuara dhe të uzurpuara (në bashkëpunim me ata zyrtarë që paguheshin për të ruajtur dhe administruar) dhe (3) zhvillimin nga pronarët privatë të tokës së tyre.
Të gjitha këto procese që kanë zgjatur mbi 25 vjet (qysh nga 1995) janë në pronë private për të cilat ju nuk keni tagër ligjor pavarësisht keqperdorimit të ligjit për t’iu përshtatur interesave apo urdhrave politike të Taulant Ballës dhe Edi Ramës.
Ndryshe nga sa shkruani se kinse 6 muaj nuk kanë qenë të mjaftueshme, ju keni mbi 3 vjet që po hetoni me emër e mbiemër mua dhe fëmijet e mi (psh. shih shkresa 10598 dt.24.12.2021). Pasi që Edi Rama ju urdhëroi në Kongresin e PS me 09 Prill 2022 dhe në Asamblene e PS me 07 Maj 2022 të procedonit Sali Berishën pasi “po deligjitimohet SPAK-u dhe gjithë reforma në drejtesi” ju si prokurorë të nënshtruar nisët brenda pak ditësh 6 kërkesa hetimi për Jamarber Malltezin, gruan dhe fëmijët e tij duke hetuar deri mbesat e Berishës qysh nga koha kur nuk kishin lindur ende (shih shkresat me nr. Prot. 3607 deri 3612 të datës 29.04.2022).
Prandaj, nuk kemi të bëjmë me zgjatje hetimesh përtej afatit 6 mujor, por përtej 3 vitesh gjë që ju nxjerr si vegël në duart e Taulant Ballës dhe Edi Ramës për zvarritje të qëllimshme politike.
Pas më shumë se 15 viteve, qindra pronarëve – pinjollë të 5 familjeve pronare themeluese të Tiranës – ju kthye prona e tyre private pasi shteti jua vodhi për 65 vjet dhe në fund i detyroi të paguajnë 800,000 $ për disa objekte të rrënuara dhe të uzurpuara dhe SPAK ka dyshime për korrupsion pse ju kthye këtyre 100 familjeve toka e vet, pasi një ndër këta qindra ishte dhëndri i Berishës!
Berisha nuk ia dha dhëndrit me PPP apo VKM siç e bën Edi Rama për Olsin apo Bolinon por toka ju kthye në përputhje me ligjet pronarëve të ligjshëm. Sikundër ju kthyen në vitet 2005-2012 rreth 1.577.400000 m2 tokë mbi 510 mijë pronarëve legjitime. Ndërkaq, Edi Rama me firmën e tij vendos të bëjë milioner vëllain e tij duke i dhuruar repart ushtarak me 37,000 m2 tokë përfshi 5,160 m2 ndërtesa për vetëm 1 euro! (shih VKM 183 date 9.3.2016).
Pra, të të dhurojë vëllai 37,000 m2 tokë publike (toke private e familjeve Deliu dhe Lici por nuk ia kthyen pasi e quanin repart ushtarak në planin e perhapjes!) dhe 5,160m2 ndërtime mes Tiranës veç me 1 firmë të vet një dite të bukur dhe veç për 1 euro qenka normale (nuk paska vepër penale), ndërsa t’i kthehet prona në përputhje me ligjet qindra familjeve trashëgimtare pas 15 viteve rropatje nëpër dhjetëra institucione dhe të detyrohen të paguajnë edhe 800,000 euro për ato rrangullina të uzurpuara ka dyshime për korrupsion dhe duhet arrestuar shefi i opozitës! “Afërmendsh” standard i bukur i SPAK.
Edi Rama me një firmë të veten ka dhuruar 6 miljon m2 troje në bregdet për miqtë e të afërmit e vet dhe ju heq edhe taksat sipas qefit apo xhepit, ndërsa SPAK mbyll sytë dhe kthehet në vegël politike të qeverisë për këto vjedhje masive.
Deri tani gjatë hetimeve është vërtetuar se:
1. Taulant Balla ka depozituar kallëzim të rremë me shumë genjeshtra dhe vijonte të deklaronte në media se “kam sjellë dokumente se toka është shpronësuar nga Shefqet Verlaci dhe Jako Mane” (pasi si injorant e di Jakomonin për fshatar me emrin Jako Mane), por SPAK nuk guxon t’ia përmendë emrin. Depozitova padi për kallëzim të rremë ndaj Taulant Ballës por SPAK “afërmendsh” nuk guxoi të niste procedim penal;
2. Edi Rama ka shpërdoruar detyrën duke sjellë afro 320,000 euro dëm në financat e bashkisë por mbrojtësit e interesit publik nuk guxojnë të shprehen ndonëse kanë administruar si provë gjithë vendimet e gjykatave lidhur me shkeljet ligjore të Edi Ramës. “Afermendsh” nuk guxon SPAK të shprehet për urdhëruesit e vet.
Prokurorët kërkojnë zgjatje hetimi përtej 3 vite e 6 muaj që kanë deri tani, mbi dyshime për një nen i cili nuk më përket pasi nuk kam qenë kurrë as zyrtar i lartë e as i zgjedhur vendor. A ka rëndësi ligji apo është teknikalitet i kotë?
Për më tepër, a është standardi i SPAK që të kërkojë zgjatje hetimesh duke paraqitur gënjeshtra me fakte të njohura dhe të administruara në dosje? Po ju rendis disa:
Prokurorët gënjejnë sikur pronarët nuk e kërkuan pronën nga viti 1999 deri në 2006 kur në fakt janë me dhjetra kërkesa nga pronarët edhe në 2000, 2001, 2002, por ligji i kohës lejonte kthim fizik fillimisht deri në 5000 m2. Ligji i kthimit të pronave i vitit 2004 mundësoi (1) kthimin pa kufizim të pronave tek pronari i ligjshëm dhe (2) kthimin e tokës tek pala pronare pa pritur privatizimin, gjë që i mundësoi të gjithë familjeve pronare të kërkonin tokën e vet legjitime. Pronarët fisnikë pritën ligjin por kjo nuk do të thotë që nuk donin tokën që të parët e tyre e patën blerë me florinj siç i keni vërtetuar në dosje pasi po hetoni qysh ne 1935.
Se në cilin lokal janë takuar trashëgimtarët e 5 familjeve pronare është zgjedhja e tyre. Edhe që kanë bashkëpunuar për të marrë mbrapsht pronën e vjedhur nga hajdutët komuniste veç i nderon familjet pronare. Edhe fakti që kanë rënë dakort të mos nxjerrin në rrugë asnjë familje informale i nderon. Edhe që ndërtuam kopshtin dhe çerdhen më të mirë në Tirane falas për komunitetin prapë na nderon.
Prokurorët gënjejnë duke paraqitur ndërrimin e destinacionit të zonës nga sportive në banim sikur e kreu Berisha kur në fakt u krye nga 10 drejtorët e Edi Ramës (Këshilli Teknik i Bashkisë) me 12.05.2006 pa pasur fare kërkesë të pronarëve të tokës dhe pa firmosur ende pronarët e tokës kontratë me firmën ndërtuese. Kjo është administruar në dosje dhe fshehja e këtij fakti tregon që po ju drejton urdhëri politik dhe urrejtja ndaj pronarëve e jo faktet apo ligji. Vendimin e Këshillit Teknik të përbërë nga 10 drejtorë të tij, po Edi Rama e miratoi në KRT të Tiranës me 09.06.2006 dhe e çoi në KRRTRSH për miratim së bashku me një dyzinë tjetër vendimesh që ju miratuan të gjitha në fund të Nëntorit 2006. A e keni arrestuar Edi Ramën për këtë gjë? Apo ai është mbi ligjin?
Prokurorët vijojnë gënjeshtrën sikur ndryshimin e destinacionit të pjesës tjetër e kreu Berisha me Planin Rregullues së Tiranës në 2013 kur në fakt e ka kryer Edi Rama me drejtorët e tij dhe Këshillin Teknik të tij në 2008 me kompanine Urbaplan dhe vendimin 238 të dates 27.12.2008 të KKRT Tiranë. Këto vendime Edi Rama i ka marrë pa kërkesë të palës pronare të tokës dhe pa përfunduar procesin e privatizimit të objekteve të rrënuara.
Prokurorët gënjejnë lidhur me qenien apo jo të ish Klubit në Planin e Përhapjes të Forcave të Armatosura kur dokumenti zyrtar tregonte se nuk ishte dhe për më tepër as nuk posedoheshin pasi objektet e rrënuara ishin të uzurpuara nga 42 familje informale dhe dy biznese pa asnjë tagër ligjor, ndërsa zyrtarët shtetërore paguheshin nga shteti e mbyllnin sytë ndaj zaptimit mesa duket përkundrejt rryshfetit.
Prokurorët vijojnë gënjeshtrat sikur përdorimi i letrave me vlerë në privatizim u krye për favorizimin e dhëndrit të Berishës, ndërkohë që kjo ka qenë qysh prej 1995 dhe për më tepër edhe para pak javësh u fut përsëri në Kuvendin e Shqipërisë kjo nismë në 2024! Për me tepër Klubi Shumesportësh që kushtoi rreth 700,000 USD u pagua i gjithi me para veç 1 muaj përpara se të dilte vendimi për përdorimin e letrave me vlerë, ndërsa i Futbollit (që kish vec 1 ndërtesë) për të cilin u pagua me lekë dhe letra me vlerë ishte vetëm 100,000 USD!
Nese do kishte komunikim apo vullnet për të ndihmuar një pronar të veçante do prisnim një muaj më gjatë për të kursyer pagesën e 700,000 USD, pasi në total u pagua 720,000 USD me para në bankë dhe vec 80,000 me letra me vlerë nga të cilat personalisht kam përfituar gjithsejt 64 euro.
Prokurorët politikë nën urdhërat e Taulant Ballës dhe Edi Ramës në vend që të mbrojnë interesin publik shkojnë deri në mbrojtje të vjedhjes së pronës përmes uzurpimit ose rryshfeteve ndaj zyrtarëve duke injoruar shtetin e së drejtës. Ndofta prokurorët tuaj kanë shpikur mënyrë tjetër për fitimin e pasurisë përtej atyre që parashikohen në Kodin Civil.
Prokurorët politikë konsiderojnë presion inspektimin e ligjshëm për të parë keqpërdorimin e pozitës zyrtare pasi kish përfunduar çdo procedurë dhe pronarët e tokës kishin paguar edhe paratë por përsëri vijonte grabitja e pronës gjë përbënte dëm financiar pasi e ngarkonte shtetin për të paguar qira ndaj pronarëve private. A mbrojnë interesin publik dhe financat e shtetit apo urrejtja i ka zënë sytë? Janë të njëjtët prokurorë që kane kryer shkelje ligjore dhe kushtetuese qoftë me sekuestrimin e dosjes civile për shpifje ndaj Taulant Ballës që penguan të drejta kushtetuese për proces të rregullt gjyqësor të Prof. Malltezit, dhe qoftë me sekuestrimin e gjithë dosjeve të pronave të gjithe fisit Begeja në Kadastër! Dënime kolektive kishim parë veç në diktatura, por mesa duket “afërmendsh” ligji dhe shteti ligjor nuk përfillen kur bëhet fjalë për kundërshtarët politikë.
Më tej, krejt jashtë tagrit ligjor, për një investim krejt privat, ndonëse nuk tregojnë dot asnjë shkelje ligjore shprehin preferencë të tyre nëse duhet punësuar dikush si auditore apo kontabiliste. A kanë turp e cipë këta prokurorë politike, apo edhe turpin edhe cipën e kanë me karar, aq sa ua lejon Taulant Balla dhe Edi Rama?
Kapja e drejtesisë dhe keqpërdorimi politik nga Edi Rama ka bërë që keto 7 vitet e fundit të mos ketë asnjë vendim që bie ndesh me dëshirat e Edi Ramës. Ndërkohë që asnjë gjykatë Shqiptare nuk ka dhënë një vendim kundër qeverisë këto 7 vitet e fundit, Shqipëria është dënuar dhe gjobitur më shumë se kurrë në histori në arbitrazhet ndërkombetare që i paguajnë të gjithë shqiptarët.
“Afermendsh” që SPAK nuk ka pse heton përgjegjësitë penale se pse po paguajnë shqiptaret qindra milionë euro për arbitrazhet e humbura nga presioni politik si thëniet “nuk është ide e mirë të jesh kundër qeverisë” (Agaci) apo “po më detyroni të bëhem armiku juaj. Do keni gjithë qeverinë kundra” (Veliaj).
Në pyetjen për shkeljen Kushtetuese që u krye ndaj të nderuarit deputet dhe kryetarit të PD Prof. Sali Berisha, juve u përgjigjët që e vlerësuam që nuk ka nevojë për leje nga Kuvendi dhe fakti që dy gjyqtarë e mbajtën në fuqi na jep të drejtë. Nëse kjo është mënyra e arsyetimit edhe Enver Hoxha kishte 2000 prokurorë dhe gjyqtarë që i çertifikonin vendimet që caktonte Enveri në parti, por sa prokurorë e gjyqtarë i nënshtrohen vullnetit politik nuk ka lidhje me shtetin e së drejtës.
Një mendje e qetë e kupton menjëherë se çfarë motivi shtyn prokurorët e SPAK që të gënjejnë në dokument zyrtar. Avokatet e mi do e kundërshtojnë vendimin për zgjatjen e hetimeve përtej 3 vite e 6 muaj pasi kjo është jo vetëm antiligjore, por ndofta rekord botëror për një çështje ku shteti nuk ka humbur asnjë cent, përkundrazi ka fituar 800,000 $ nga ndalimi i paligjshmërisë që kryhej nga rryshfetcinj.
“Afërmendsh, gjykata vendosin gjithmone çfarë kërkojmë ne (SPAK)” – kam pasur rastin t’a përjetoj vetë personalisht por nuk është diçka që ju nderon.
Ju uroj punë të mbarë!
Prof. Dr. Jamarbër Malltezi