Veliaj vendos të prishë pallatin 5 vjet pas tërmetit! Banorët: S’ka shembje, duan tokën për ndërtim

E Enjte, 18 Prill 2024 19:20
Shteti është kudo. Në çdo sferë të jetës, brenda në shtëpi, në faturat që paguajmë çdo ditë, në taksat që japim, në muajin që e nisim me minus.
 

Është shteti dhe kur duam të lëvizim diku, të ikim jashtë, të dalim me makinë, apo kur duam të hapim një biznes dhe regjistrojmë një pronë për të cilën kemi punuar gjithë jetën. Nuk e gëzojmë dot pa shtetin. 

Shteti është kudo, por papritur mungon atëherë kur ne kemi nevojë për të. Nuk është kur duhet për të bërë dokumentat dhe nxjerrë pensionin. Radhë, gabime, gjyqe, vite të shkuara dëm!

Papritur shteti zhduket atëherë kur trokasim në derën e spitalit. “Na bëj derman i lutemi”, por aty nuk ndihet shteti. Bëhet i gjallë prapë kur duhet të marrim ndonjë rekomandim për t’u kuruar jashtë, aty na tregon shpatullat sa të forta i ka dhe ne duhet t’i nënshtrohemi. Ta sodisim, të ulim kokën e të dorëzohemi. “Na shpëto t’i themi mos na braktis. Ti që je kudo, rri me ne dhe në ditë të vështirë.”

Por në ditët e vështira, shteti zhduket. Sillet si njeri. Nuk ka guxim të të thotë në sy fatin që të pret, të të sqarojë, të të japë një zgjidhje.

Kështu po ndodh me jetën e dhjetra familjeve në rrugën Ferit Xhajko. Ata presin një takim me shtetin: Bashkinë e Tiranës. Si do të shkojë fati i tyre: Do të jetojnë të qetë në shtëpi, apo shteti do të marrë vendimin për t’i nxjerrë në rrugë?

Në datën 2 prill 2024, 55 familjeve në zonën e tregut të ish-Uzinës Dinamo, u shkon kjo letër nga Drejtoria e Objekteve në Bashkëproësi dhe ajo e Emergjencave Civile pranë Bashkisë Tiranë. Lajmërohen se nga dita në ditë pallati ku ata banojnë dhe kanë shtëpitë do të prishet!

Shkaku? Dëmtimet e tërmetit, 4 vjet e gjysëm më pas.

Ky pallat është i banueshëm. Kur ne nuk ankohemi, ne jemi banorë dhe themi le të vdesim këtu, përse duhet shteti ta shembë?” thotë një banor.

Nuk duam të lëvizim që këtu, ketu kemi lindur fëmijët dhe i kemi martuar dhe këtu duam të qëndrojmë derisa të vdesim” thotë një tjetër banor.

Hajde shiko shtëpinë time është kuti!” tregon një zonjë.

Nuk ndihemi të rrezikuar në këtë pallat, nuk kemi fare asnjë shembje te ky pallat dhe as dëm apo problem.” thotë Gertian Velo, banor dhe përfaqësues i familjeve në pallatin që pritet të shembet.

Vendimi është detyrues dhe u kërkon banorëve që të marrin masat menjëherë për të liruar ambientet, pasi përpara se të nisë shembja do të njoftohen vetëm 24 orë përpara.

“Ashtu siç ju kemi njoftuar, me Vendim të Këshillit Bashkiak nr.23, Datë 26.02.2024, është vendosur demolimi i detyruar i pallatit, bazuar në verifikimet dhe akt konstatimet paraprake të Institutit të Ndërtimit, grupeve të punës së njësisë administrative për dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 dhe rrezikun që paraqitej është kryer aktekspertiza e thelluar me operator ekonomik. Mbështetur në këto përfundime dhe oponencën e Institutit të Ndërtimit , ekspertët kanë dalë në konkluzionin se pallati duhet të demolohet.” thuhet në letrën dërguar banorëve nga Drejtori i Përgjithshëm i Objekteve në Bashkëpronësi, Kostandin Budurushi.

Askush nuk dinte asgjë! Banorët tregojnë se kishin dëgjuar për një vendim të Këshillit Bashkiak për shembje, por në asnjë rast nuk bënin lidhjen me pronën e tyre. Arsyeja është e thjeshtë: adresa që vendimi i Këshillit Bashkiak referon për nisjen e procesit të demolimit është e ndryshme nga ajo që kanë banorët.

Jetë e mot, që prej vitit 1978 kur kjo godinë është ndërtuar adresa ka qënë “Rruga Ferit Xhajko, pallati 63/3”, por letra e njoftimit drejtuar 55 familejeve, tregon një numër tjetër pallati: 39/43 (plani që tregon nr e pallatit)

Banorët thonë se  me vendodhjen 63/3 u shkojnë faturat e dritave dhe ujit, ku kjo e fundit, ndërmarrja e Ujësjellës -Kanalizimeve Tiranë është një kompani në pronësi të bashkisë. (print screen faturat)

“Dhe faturat dhe dritat dhe çdo gjë ka ardhur në adresën pallati 63/3. Nuk kemi ditur asgjë as kur u morr vendimi i Këshillit Bashkiak se do të prishet pallati jonë.” sqaron Velo.

Për ta i gjithë qëllimi ka qënë kryerja me shpejtësi dhe në fshehtësi e procedurave, për të eleminuar përpjekjet që do të bënin si në gjykatë dhe në insititucione për të kontestuar vendimin e prishjes.

Askush nuk i ka konsultuar për këtë vendim që ka miratuar Këshilli Bashkiak dhe askush nuk u jep përgjigje.

“Merrni masa thotë vendimi dhe do ju lajmërojmë 24 orë përpara që të dilni. Pyetëm me avokatin tonë te minibashkia por nuk na thotë asgjë, as për bonus as se ku do të na çojnë pas prishjes.” tregon Gertian Velo.

Sipas konstatimeve të kryera nga kompania që është kontraktuar nga bashkia për të bërë vlerësimin dhe verifikimin e dëmeve të ndodhura në ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, “Infrakonsult” shpk, është arritur në përfundimin se pallati duhet të prishet dhe ndërtohet nga e para.

Ky raport ekspertize i ka shkuar për miratim dhe oponencë teknike Institutit të Ndërtimit, i cili ka kërkuar thellime nga ana e firmës “Infrakonsult” për të dalë në këtë konkluzion.

Pas verifikimeve shtesë, Instituti i Ndërtimit është shprehur dakord për prishjen, por duke i lënë përgjegjësinë ekspertizës së firmës private “Infraskonsult”.

“Nga analiza e projektit të rishikuar dhe akt-ekspertizës së rishikuar, si dhe vlerës së punimeve të rikonstruksionit, rekomandojmë që objekti të prishet dhe ndërtohet nga e para. Mënyra e përforcimit, projekti i përforcimit, saktësia e matjeve dhe llogaritjeve si dhe preventivi i hartuar për këtë projekt, mbetet përgjegjësi e autoriteteve përkatëse.” thuhet në në vendimin e Instituti të Ndërtimit.

Banorët nga ana e tyre kanë kontraktuar vetë një ekspert për të kryer aktin e verifikimit të gjendjes fizike të ndërtimit. Ekspertiza ka dalë në konkluzionin se ajo që konstaton firma “Infrakonsult” shpk se pallati rrezikon shembjen dhe jetën e banorëve nga shtesat e bëra, lidhet me godinën e tretë, për të cilën nuk rekomandohet prishja.

“Ndërhyrjet e shumta me shtesa dhe hapjet në muret e ndërtesës e kanë cënuar strukturën mbajtëse të objektit.” thuhet në ekspertizën e kompanisë “INFRAKONSULT” sh.p.k.

“Po të shkosh te shkalla që ka shtesa më shumë nuk ka vendim për prishje, ndërsa ne kemi vetëm një tendë dhe strukturë metalike.” shprehet Velo.

Vetë familjet që jetojnë në dy pallatet 5 katëshe thonë se pas tërmetit vetëm 3 familje kanë patur dëmtime të vogla, për të cilat janë trajtuar me ndihmë të nivelit DS1, shkalla më e ulët e dëmit që konsiderohet nga autoritetet nga niveli 1 deri në 5.

Si qenka bërë tani pallati për t’u shembur? Neve i bie deri tani na kanë lënë të rrezikojmë jetën?” thotë një banor.

“Unë jam banor i lagjes ‘5 Maji’ dhe pas prishjes bleva këtu një shtëpi. Tani dhe këtu po na nxjerrin me forcë.” trego një tjetër.

Kam 4 vjet që kam motrën në shtëpi se iu prish shtëpia nga tërmeti, asnjë gjë nuk është bërë për t’I dhënë shtëpi, është 84 vjeç, kur do e marrë shtëpinë? Banon te shtëpia ime, tani të dyja ku do të shkojmë?” thotë një tjetër banore.

Eksperti bazuar dhe në analizën që është bërë nga inxhinierët pas tërmetit të vitit 2019, rekomandon vetëm përforcimin e mureve dhe suvatim të pjesëve të dëmtuara.

“Nuk konstatohen dëmtime të cilat quhen dëmtime konstruksioni, e të rrezikshme për qëndrueshmërinë e objektit, siç janë ndërtimet në fasadë, dëmtimet në soletë, dysheme, mure mbajtës, kolanash dhe trarësh në kati përdhe. Në inspektimin në terren nga ana jonë kryesisht dëmtimet në çarje e plasaritje të vogla në suva.” konstatohet në ekspertizën e kontraktuar nga banorët.

Por cilat janë planet dhe interesat që operatorë privatë kanë në këtë zonë? Kush po përpiqet të marrë apartamentet e vogla me sipërfaqe 30 dhe maksimumi 55 metra katrorë? Nga ajo që banorët kanë parë është një investitor i cili është parë të vizitojë pallatin me një grup inxhinierësh, por ata nuk janë të sigurtë nëse është ai apo dikush tjetër që ka vënë në lëvizje të gjithë zinxhirin drejtues të bashkisë për të marrë vendimin e prishjes së ndërtesës.

Banorët duhet t’i drejtohen gjykatës. Gjykata sipas procedurës duhet të përcaktojë ekspert të që të bëjë vlerësimin dhe të dyja palët duhet të çojnë në proces ekspertizën e tyre. Gjykata për një gjykim të drejtë duhet të caktojë një ekspertizë të re. Me çështjet e tilla që janë kontestuar në gjykatë kemi parë që gjykata është shprehur në anën e banorëve dhe nuk ka pranuar ekspertizat private e kontraktuara nga njësitë vendore, por dhe ato të Institutit të Ndërtimit janë rrëzuar në disa raste. Është shumë mirë që kanë marrë ekspertizë private këta banorë, ndërsa ka shumë të tjerë që nuk kanë mundësi të marrin.” sqaron Serjani.

Kronos ka arritur të sigurojë të gjithë dokumentacionin e pronave që janë të regjistruara përreth kësaj zone, ku përveç banorëve të pallateve që kanë çertefikatat e pronësisë, rezultojnë 3 biznese që kanë blerë tokë përreth. Të parët janë zotëruesit e kompanisë Instituti Profesional ATC, por dhe pse interesi për blerjen e tokës mund të jetë ndërtimi, që t’i hapet rrugë këtij projekti duhet që për nga pozicionimi i parcelës së tyre të prishet pallati me shtesa, për të cilin nuk ka vendim për demolim.

“Në Shqipëri janë 80 mijë familje të pastreha, dhe ka një kontradiktë të madhe këtu, në vend që të akomdohen të pastrehtët, nxirren ata që janë në banesa të pastrehë. Këtu ka një prapaskenë nga intersa të kompanive private për të ndërtuar në zona të dëshiruara për ndërtim. Kur ata nuk negociojnë dot me banorët, shohim që hyn shteti për t’i mundësuar ndërtimin e godinave të reja.” thotë avokati Gentian Serjani.

Një tjetër biznesmen është Kamber Zaimaj me 295 m2. Zaimaj rezulton pronar i firmës së ndërtimit AEK Z INVESTIMENT kompani e themeluar në nëntor të vitit 2022, por që nuk ka të dhëna mbi aktivitetin e saj.

Sipërmarrësi tjetër që rezulton të ketë prona përreth pallateve që do të prishen është Roland Hysa. Ai zotëron 50 m2 truall në afërsi të pallatit dhe disa parcela në ish-Uzinën Dinamo

Hysa është pronar i kompleksit të mallrave ushqimorë të Tregut Dinamo dhe firmës Miell Tirana. Më 30 janar të vitit 2023 ka themeluar kompaninë, 2L Ndërtim ku është aksioner me 51% të kuotave me objekt aktivitet në fushën e ndërtimeve civile dhe industriale.

Roland Hysa rezulton që me një tjetër firmë në pronësi të tij, të quajtur ROED shpk, emri i të cilës ka ndryshuar disa vite më parë në Dinamo Invest, të ketë hapur një kantier ndërtimi në afërsi të kësaj zone, mes lagjes 5 Maji dhe rrugës Memo Meto, ku po ndërton një rezidencë banimi.

Frika e banorëve është se fati i tyre do të jetë i ngjashëm me familjet e zonës së Kombinatit dhe rrugës Myslym Keta. Të dëbuar nga shtëpitë përmes akt-ekspertimeve të kontestuara dhe të mbetur në rrugë: disa me bonus qiraje e disa fare pa ndihmë, në pritje të pallateve në zonën “5 maji”.

E gjithë historia nis me një fatkeqësi natyrore që kthehet në një mundësi për t’u pasuruar disa zyrtarë dhe sipërmarrës. Menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri shpallet gjendja e emergjencës, mbledhje të shumta dhe fonde në miliona euro nisën të buxhetohen. Çdo gjë po ndodhte me shpejtësi, e justifikuar nga paniku i lëkundjeve të tërmetit, por kur shkundjet po harroheshin, fytyra njerëzore që vendosi qeveria për të shpëtuar familjet e goditura, nisi të venitej.

Në janar të vitit 2020 Këshilli Ministrave vendos që të shpallë zonë për zhvillim për të prekurit nga tërmeti njësitë administrative 4 dhe 8 në zonën “5Maji” dhe Bashkinë Tiranë njësi zbatuese.

Plani ishte ndërtimi i banesave për të dëmtuarit nga tërmeti, mbështetur në një projekt të hartuar nga arkitekti Italian Stefano Boeri dhe Son Engineering të quajtur “Tirana Riverside”.

Një tjetër vendim shpalli zonë për zhvillim atë të Kombinatit duke i hapur rrugë prishjes së 21 pallateve dhe nisjes së projektit Kombinart. Të dy këto projekte rezultojnë të shpallura në Planin Tirana 2030, të vitit 2017, kohë përpara se të ndodhte tërmeti i vitit 2019. Një pjesë e banorëve të Kombinatit kanë arritur që të hedhin poshtë ekspertizat dhe të fitojnë të drejtën e tyre në gjykatë, të tjerë, siç janë 90 familjet në pallatin e rrugës Myslym Keta nuk arritën të merrnin gjykimin në kohë, pasi prishja e banesave të tyre u bë gjatë natës, disa orë përpara se të mbahej seanca gjyqësore.

Në shtator të vitit 2020, Bashkia e Tiranës krijon shoqërinë “Tirana DC”, me objekt rindërtimin dhe zhvillimin e pasurive në pronësi të saj dhe në muajin shkurt të vitit 2022, Këshilli i Ministrave ndryshon vendimin dhe cakton kompaninë e bashkisë Tirana DC njësi zbatuese për projektin e zonës “5 Maji”.

Kryetari i bashkisë Tiranë merr vendim që administrator i kompanisë të jetë z.Redi Molla, i cili ngarkohet po ashtu dhe me detyrën e antarit të Këshillit Drejtues dhe atë të audituesit ligjor.

Përveç konfliktit të interesit, caktimi si ekspert kontabël i dikujt që nuk as licencë për të ushtruar këtë profesion është i paligjshëm, vendim i cili korrigjohet 2 muaj më pas, por Administratorit mbetet anëtar i Këshillit të Administrimit bashkë me Laura Deliun dhe Arbjan Maznikun. Deri më shtator të vitit 2023 në krye të Tirana DC qëndron Redi Molla, i cili zëvendësohet nga Mariglen Qato, dy anëtarët e tjerë të Këshillit nuk ndryshojnë.

Kapitali i financuar nga bashkia për kompaninë Tirana DC është 500 mijë euro, ndërsa rezulton se deri në fund të vitit 2022 kjo ndërmarrje është me humbje.

Tirana DC ka arkëtuar 0 të ardhura dhe ka shpenzuar 1.7 milion euro gjatë viteve 2021 dhe 2022 dhe është ngazhuar në marrjen e një huaje me vlerë 1.9 milion euro. Sipas të dhënave financiare që raportohen nuk ka sjellë asnjë përfitim për buxhetin e bashkisë, ndryshe nga qëllimi i themelimit të saj.

Po çfarë fshihet pas firmës Tirana DC?

Kjo firmë doli në pah menjëherë pas planeve për të zhvilluar zonat e ku do të ngriheshin banesat sociale për të dëmtuarit nga tërmeti. Mbështetur në planin e arkitektit Stefano Boeri në Tirana Riverside, e cila përkufizon bregun e Lumit, shtëpitë e banorëve që jetonin aty u shpronësuan për interes publik dhe shteti ka nisur financimin e ndërtesave të reja, një pjesë të të cilave do ta përdorë për të akomoduar familjet që iu morrën shtëpitë me dhunë dhe një pjesë tjetër do ta mbajë si pjesë të portofolit Tirana DC.

Në këtë kompani bashkohen të gjitha interesat. Drejtimin e saj që nga fillimi dhe për 3 vite në vazhdim e ka patur Redi Molla, ish-drejtori i Ujësjellësit të Tiranës i arrestuar nga SPAK për korrupsion si pronar faktik i firmës “5 D Konstruksion”. Drejtues i Inspektoritatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë ishte Mariglen Qato, gjithashtu  me anë të së cilës fitonte tendera publikë, gjithashtu i arrestuar si pronar faktik në aferën e kompanisë “5D”. Qato ishte përgjegjësi për prishjen e objekteve në të gjithë territorin e bashkisë e Tiranës.

Kronos ka zbuluar se veprimet e dyshes Qato dhe Molla në konflikt interesi me detyrën nuk lidhen vetëm me tenderat që renditen në kërkesën e SPAK për vendosjen e masës së sigurisë ndaj tyre, por përfshirja është direkte në procesin e rindërtimit.

Gjatë kohës kur emri i firmës “5D” ishte “Vas Konstruksion”, bashkia e Tiranës i ka dhënë dy kontrata me vlerë 630 mijë euro për prishjen dhe largimin e mbetjeve për 22 pallate mes të cilëve ndërtesa e prishur në rrugën Myslym Keta dhe dy godina në rrugën Ferit Xhajko afër lagjes ‘5 Maji’. Banorët thonë se mjetet dhe punonjësit që kanë prishur këto ndërtesa ishin të shtetit, duke hedhur dyshime se kompania e ka përfituar të gjithë shumën e kontratës si fitim.

Një pjesë e mirë e firmave me të cilat ka bashkëpunuar në tendera kompania “5 D” edhe gjatë kohës kur ka mbajtur emrin Vas Konstruksion, janë të njëjtat që kanë fituar kontratat për ndërtimin në lagjen “5 Maji”, kanë bërë akt-ekspertizat e pallateve të dëmtuara nga tërmeti, apo kanë qënë në bashkim operatorësh me të në procesin e demolimit.

Të gjithë kontribuesit e procesit të shembjes se banesave, si në demolim dhe në akt-ekspertizë janë shpërblyer me leje ndërtimi. Kështu pronari i gjysmës së aksioneve të kompanisë Infrakonsult sh.p.k që ka bërë ekspertizën për të rekomanduar prishjen e pallatit në rrugën Ferit Xhajko, Redi Struga, ka themeluar në vitin 2021 firmën Smart Construction Invest ku në bashkëpunim me firmë Progeen. Këto firma janë pajisur me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit për të ndërtuar dy kulla me sipërfaqe totale 101 mijë metra katrorë dhe gjatësi 44 e 41 kate në Bulevardin e Ri të kryeqytetit. Ironikisht projekti i Bulevardit të Ri bashkohet në pikën fundore me atë të zonës 5 Maji, ku shtrihet plani Tirana Riverside.

“Janë prishur banesa dhe nuk u janë dhënë aq metra katrorë sa kanë patur në proces legalizimi, siç thotë vetë VKM-ja dhe kanë patur dhe biznese dhe nuk ia kanë quajtur hapësirë biznesi. Po ashtu nuk kanë patur dhe as afat kur do të hyjnë në shtëpitë e reja.” thotë avokati Serjani.

Projekti i lagjes së re “5 maji” do të kushtojë 75 milion euro, para që financohen direkt nga buxheti i shtetit. Deri më sot, miliona euro janë paguar për bonusin e qirasë të familjeve që kanë mbetur të pastreha si pasojë e shembjes, ku jo të gjithë kanë fatin të gjejnë një shtëpi me qira për vlerën 220 mijë lekë të vjetra që i jep bashkia.

“Po të ma gjejnë një shtëpi për 4 veta që jam unë me 220 mijë që më japin do u kërkoj falje. Por nuk e gjen.” thotë Gjin Nikolli, ish-banor në lagjen ‘5 Maji’.

Gjin Nikolli sheh i dëshpëruar situatën se ku është zhytur dhe kujton me nostalgji shtëpinë. Ai vazhdon procesin gjyqësor për të fituar të drejtën në gjykatë, edhe pse e di mirë që shtëpinë nuk do ia kthejë më askush. Gjini është nga ata të paktit mes 135 familjeve që u dëbuan nga banesa e tyre që nuk e firmosi aktmarrëveshjen që i propozoi bashkia.

“Deri në momentin që u bë gjyqi i parë shkoi një vit e gjysëm, më pas gjykatësja u shkakrua nga vettingu dhe tani ka dy vjet që pres në dyert e gjykatave dhe asnjë zgjidhje nuk kam marrë. Dua të drejtën, por prona e di që nuk do më kthehet më.” tregon. Gjin Nikolli.

“Kompanitë private përveç interesit që kanë që e marrin truallin me pak lek dhe e shesin me shumë, ndërtojnë dhe me çmime shumë të fryra po të krahasojmë kostot me fondet e BE-së me ato të buxhetit të shtetit.” thotë avokati Gentian Serjani.

Ai e kujton si tmerr, mëngjesin kur e nxorrën nga shtëpia që e kishte ndërtuar me dhjetra vite punë, me gaz lotsjellës, si të ishte terrorist, e bashkë me të dhe dy të miturit mbesa dhe nipi në moshën 1 dhe 3 vjeç.

“Ka qënë data 22 shkurt kur na kanë nxjerrë të fundit ne nga banesat, me gaz lot sjellës. Nipi e mbesa 1 dhe 3 vjeç, nënën 91 vjeçe, na kanë arrestuar, dënuar, na kanë gjobitur, çdo gjë që kanë patur në dorë të bëjnë e kanë bërë. E pse? Sepse kemi dashur të rrimë në shtëpinë tonë.”

Gjin Nikolli sheh se si 2 vjet më parë shtëpia dhe gjithë jeta e tij u shemb, ndërsa rrënojat e lëna aty nga çfarë ka mbetur nuk i ka hequr njeri. Askush nuk është munduar dhe asnjë nuk po ndërton, duke mbajtur varur shpresat e dhjetra familjeve që kërkojnë të hyjnë në shtëpi.

“Asgjë nuk është bërë, as mbetjet e shtëpive që u prishën nuk janë hequr. Kam çuar kërkesë e pas 9 muajve më kthyen përgjigje pa më thënë se kur do të nisë ndërtimi e kur do të hyjmë në shtëpi.” thotë ai.

Që të mos përfundojnë kështu, banorët e rrugës Ferit Xhajko kanë këtë thirrje për bashkinë:

“ Na lini të qetë në shtëpitë tona!” bëjnë thirrje ata.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...