Në fjalën e mbajtur në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u ka bërë thirrje policëve që do të jenë nesër në protestë, që të heqin kapelet dhe ti bashkohen protestuesve që të çlirojnë bashkinë e Tiranës.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Por kjo urrejtje ndaj shqiptarëve, nesër të premten, në ora 11 merr fund.
Erion Veliaj, të paralajmëruam dy herë, nuk dhe dorëheqjen. Ke afat gjer nesër në ora 11.
Mos u fshih kot prapa policëve. I sigurt të jesh ti që ata do bashkohen me protestuesit.
Për ta mbyllur, kam një thirrje të veçantë për policët.
Të dashur policë, lejoni kushtrimin thirrës të qytetarëve të Tiranës, të kombit, të depërtojë te ju, në zemrat tuaja, në shpirtin tuaj.
Hapni veshët ndaj agonisë së qytetit tuaj.
Dhe shikoni se çfarë është katandisur Tirana dhe mos harroni se para se të jeni policë, jeni së pari shqiptarë.
Në protestën e fundit ju ishit përballë qytetarëve, por me zemër, me shpirt ju ishit me qytetarët dhe kjo dallohej qartë në sytë, në fytyrat tuaja.
Nuk mundeni kurrë ju, djem të rinj dhe të ndershëm t’i shërbeni një hajdut të shpifur, të pashpirt, antishqiptar si Erion Veliaj.
Nuk keni ju pse paguani asnjë kusur të tij. Ju që jeni aty në brendësi e kuptoni më mirë kalbësirën që ai institucion ka brenda dhe kundërmon.
Ndaj dhe ditën e nesërme bëni histori, hiqni kapelet dhe çlironi bashkinë nesër bashkë me qytetarët e Tiranës dhe do keni përjetë mirënjohjen e shqiptarëve.
Do frymëzoni brezat e ardhshëm me heroizmin tuaj.
Stop me farsa, stop me abuzime, stop me poshtërimet ndaj shqiptarëve.
Prandaj miq, nesër vazhdon beteja pa kthim,
E treta e vërteta, ta shporrim Erion Veliajn dhe me urgjencë të vendosim qeverinë teknike.
Të shkallmojmë diktaturën e Edi Ramës dhe t’u kthejmë shqiptarëve paratë e vjedhura, t’u kthejmë shqiptarëve dinjitetin, t’u kthejmë shqiptarëve bashkinë e tyre, t’u kthejmë shqiptarëve demokracinë dhe të shpëtojmë Shqipërinë.
O sot, o kurrë.
Fitore, fitore, fitore.
Rrofshi ju, rroftë PD, rrofshin qytetarët e Tiranës, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!