Përfaqësues diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian i kërkuan sot autoriteteve shqiptare, që të shtojnë më tej rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Diplomatë nga shtete dhe organizata donatore, me në krye SHBA-të dhe BE-në, diskutuan sot me përfaqësues të qeverisë shqiptare për të bashkërenduar ndihmën dhe mbështetjen për Shqipërinë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, një fushë ku, siç u theksua në tryezën e rrumbullakët, priten rezultate më të larta.
Zëvendës shefja e Misionit në detyrë e Ambasadës së SHBA-ve, Kathryn Hammand, theksoi në fjalën e saj se sundimi i ligjit nis së pari nga llogaridhënia, dhe se duhet bërë shumë më tepër për këtë detyrë të rëndësishme, në të cilën Shqipëria ka mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së.
Ajo tha se SHBA po investojnë në forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri, por shtoi se kjo është një detyrë që nuk mund të bëhet vetëm dhe kërkon veprime dhe përpjekje nga të gjithë institucionet dhe aktorët.
“Zyrtarë të korruptuar janë duke dhënë llogari para drejtësisë, anëtarë të krimit të organizuar po shkojnë në burg dhe po humbin pasuritë. Ky është një proces shumë i fuqishëm, që po ecën përpara, – tha zonja Hammand. – SHBA-të, – shtoi ajo, – do të vazhdojnë ta mbështesin fort Shqipërinë dhe përpjekjet e saj, të cilat janë thelbësore për anëtarësimin në Bashkimin Europian, çka populli shqiptar dëshiron”.
SHBA kanë dhënë në këtë fushë shumë trajnime dhe ekspertizë mbi hetimin e antikrimit, si dhe në analiza kibernetike.
Ndërsa drejtuesi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasador Silvio Gonzato, theksoi në takimin e donatorëve me autoritetet shqiptare se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE përfshin luftën kundër krimit të organizuar, rendin publik, sigurinë dhe menaxhimin e integruar të kufijve dhe migrimit, të cilat janë shumë të rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë, rajonit dhe BE-së.
“Reformat në fushën e sundimit të ligjit duhet të përmirësojnë standardet dhe praktikat në krijimin e një shteti më efikas, të garantojnë mbrojtje për gjithë qytetarët dhe turistët, si dhe të garantojnë më shumë respekt për të drejtat e njeriut”, tha ambasadori Gonzato.
Ai shtoi se Shqipëria po përballet me sfida si infiltrimi i grupeve kriminale sa i takon pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ku janë identifikuar banka dhe institucione financiare të përfshira në transaksione shitblerje pronash të brendshme dhe të jashtme.
Ambasadori Gonzato theksoi se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkojnë një përgjigje të koordinuar të shumë aktorëve, duke përfshirë sektorin privat, dhe shoqërinë civile.
Shqipëria është duke hartuar një strategji kombëtare për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit për periudhën 2024-30, po ashtu si edhe një ligj të ri për policinë e shtetit, që pritet të rritë profesionalizmin, integritetin, bazuar në meritat e karrierës.