Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, mbajti në fjalimin e tij gjatë tubimit maratonë në “Rrugën e Shpresës”, ku akuzoi qeverinë e Edi Ramës për krijimin e një regjimi të korruptuar dhe kriminal që bashkëpunon me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Berisha theksoi një raport të tronditshëm të Organizatës Botërore të Emigracionit, sipas të cilit Shqipëria renditet në krye të vendeve nga të cilat banorët janë larguar masivisht, me 66% të shqiptarëve që janë larguar gjatë tri dekadave të fundit.
Kryedemokrati, Sali Berisha e ka cilësuar një betejë për ekzistencën e kombit shqiptar, atë se çfarë po ndodh në vendin tonë me qeverinë e inkriminuar të Ramës.
Në ditën e 240 të qëndresës qytetare, Berisha tha se regjimi i pamëshirshëm vjedh qytetarët e saj deri në palcë, duke ndërtuar rrugë që tejkalojnë shifrat reale të saj, ndërsa fitimet i merr të gjitha për vete.
Sipas Berishës, në Shqipëri ndërtimi i rrugëve kushton 15 herë më shtrenjtë se sa para vitit 2013, apo se sa ndërtohet sot në Kroaci, Kosovë dhe në vende të tjera.
Gjatë fjalimit të tij gjatë ditës së 240 të tubimit maratonë në “Rrugën e Shpresës,” kryedemokrati Sali Berisha kritikoi qeverisjen aktuale dhe situatën e turizmit në Shqipëri. Ai theksoi se mënyra se si vidhen shqiptarët është bërë një mekanizëm kryesor për shkatërrimin e jetës së tyre.
Berisha u shpreh se pasuritë kombëtare të Shqipërisë, përfshirë potencialin turistik të brigjeve, liqeneve, Alpeve dhe maleve, janë shndërruar nga bekim në mallkim. Ai akuzoi qeveritarët dhe oligarkët për shfrytëzimin e turizmit si një ndëshkim për qytetarët, duke i bërë ata të paguajnë më shumë për turizmin, ndërsa përfitimet për çdo turist janë të ulëta.
Berisha tha se, Veliaj meriton varjen në shtyllën e turpit të historisë. Ai i ftoi të gjithë qytetarët nesër të bashkohen në protestë para bashkisë dhe të dëshmojmë shpirtin e pamposhtur qytetar.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta. Ju qendrestarë dhe qendrestareve, misionarëve të lirive, të të drejtave të shqiptarëve dhe interesit kombëtar të tyre.
Përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë, që me fjalën e tyre përcjellin në të katërta anët të vërtetat e mëdha që përballen me gjendjen me të cilët përballet sot shoqëria shqiptare.
Të vërteta të hidhura të narko-regjimit të Edi Ramës, të kësaj diktature bandash që bazohet në aleancën e pushtetit me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Të dashur miq, mediat dhe organizatat ndërkombëtare informuan ndofta lajmin më tronditës të 33 viteve. Sipas Organizatës Botërore të Emigracionit, Shqipëria renditet në krye të vendeve të braktisura nga banorët e saj. Sipas kësaj organizate, më seriozja në këtë fushë në botë, 66% e shqiptarëve në këto tri dekada janë larguar nga Shqipëria.
Sot në Shqipëri banojnë vetëm 34% e shtetasve shqiptarë që janë lindur dhe janë rritur në këtë vend. Mbi 1.6 milionë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. E vërteta është se në vitin 1991 shqiptarët të cilët kishin gjithësej 204 dollarë për frymë dhe dolën nga sistemi hiperkolektivist-socialist, si fantazma më shumë, se sa si njerëz, u takuan me lirinë, por dhimbjet e urisë, dhimbjet e mjerimit i detyruan ata masivisht të largohen nga Shqipëria.
Qindra e mijëra u larguan nga deti, nga toka, nga ky vend. Por e rëndë dhe e tmerrshme është se largimet më të mëdha, 40% të atyre që janë larguar nga Shqipëria këto 30 vite, u larguan pas vitit 2014. Në vitet 2005-2013, edhe pas heqjes së vizave kishte qarkullim, kishte edhe largime, por pati më shumë kthime në Shqipëri. 180 mijë familje shqiptare u kthyen nga emigracioni në Shqipëri.
Numri i shqiptarëve në Shqipëri u rrit nga viti në vit. Kurse nga 2014 dhe në vazhdim filloi procesi i zbrazjes masive të Shqipërisë, i zbrazjes së Shqipërisë nga shqiptarët sa kurrë ndonjëherë nga ndonjë luftë, sa kurrë ndonjëherë nga ndonjë tragjedi, zi buke, apo epidemi.
Gjatë këtyre viteve, sipas EUROSTAT nga 2014-2022 vetëm në vendet e hapësirës Shengen emigruan në total 35% e popullatës së vendit, apo 981 506 shtetas shqiptarë, nga të cilët po sipas EUROSTAT 991 670 kërkuan azil politik në vendet e hapësirës së Shengen. 311 650 qendrojnë ilegalë në këto vende, kurse 478 245 mijë arritën të marrin dokumente të rregullta, apo kishin marrë dokumente të rregullta.
Pra, shifrat e EUROSTAT vetëm në zonën e Shengen tregojnë se u larguan 35% e shqiptarëve, por në rast se shtojmë këtu të larguarit për në Britaninë e Madhe, 43 mijë të larguar me Green Card në SHBA me lotari, këto së bashku e çojnë në 38% numrin e të larguarve nga Shqipëria.
Dhe në rast se shtohen zona tjera Kanada, Australi, Norvegji, Zvicër, Lindje e Mesme dhe kudo, numri i të larguarve nga Shqipëria nga 2014 e gjer sot arrin në 40% të shqiptarëve.
Miqtë e mi!
Studiuesit ndërkombëtarë, organizata ndërkombëtare, studiues vendas kanë gjetur se shkaku i parë më madhor i largimit të shqiptarëve nga Shqipëria është varfëria e frikshme, varfëria në rritje dhe vrasja e shpresës për shkak të rristes së saj.
Në 2013 shqiptarët ishin qytetarët me rrogat më të larta në rajon. Rrogat e tyre tejkalonin edhe dy vende anëtare të BE, Bullgarinë dhe Rumaninë.
Kurse sot shqptarët marrin rrogat më të ulëta në rajon dhe në Europë dhe jetojnë në vendin në pasuri përrallore natyrore, por që plaçkiten çdo orë, çdo ditë nga qeveria e Edi Ramës që shndërrohet në një mallkim të vërtetë për qytetarët shqiptarë.
Të dashur miq!
Kjo betejë është betejë për jetën, ekzistencën e kombit shqiptar. Kjo betejë është betejë për jëtën, ekzistencën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Me të drejtë mund të shtrohet pyetja: po pse shqiptarët kaluan nga qytetarët me rrogat më të larta në qytetarët në rrogat më të ulëta. Pse në Shqipëri, në 8 vite mjerimi si varfëri e skajshme u rrit me 4 herë? Çfarë ndodhi?
Ndodhi sepse u instalua me shpejtësi të madhe një regjim i pamëshirë që vjedh gjer në palcë qytetarët e këtij vendi. U vendos një regjim i pamëshirë që ndërton 1 km rrugë 10 herë, 15 herë më shtrenjtë se sa ndërtohej para vitit 2013, apo se sa ndërtohet sot në Kroaci, sot në Kosovë dhe sot në vende të tjera.
Sepse për ndërtimin e një shkolle, shqiptarët paguajnë 10 herë më shumë se çdo europian dhe vidhen nga qeveritarët 80% të fondit, sepse 1 km rrugë te sheshi Shqiponja kushtoi 30 mln euro, në një kohë kur në asnjë vend të botës ai rindërtim nuk mund të kushtonte më shumë se 1 deri në 3 mln euro.
Miqtë e mi, ajo që ndodh, mënyra e pamëshirë që vidhen shqiptarët sot është shndërruar në mekanizmin kryesor të shkatërrimit të jetës së tyre.
Në Shqipëri pasuritë kombëtare shndërrohen nga bekim në mallkim. Pasuri kombëtare më e madhe, potenciali më i jashtëzakonshëm i Shqipërisë është potenciali turistik, është oferta e brigjeve të detrave dhe liqeneve të saj, oferta e Alpeve dhe maleve të saj.
Turizmi në Shqipëri nga një bekim, nga një motor i zhvillimit të vendit është shndërruar në ndëshkim për çdo qytetar shqiptar shqiptar i cili paguan në vit për turizmin nga taksat e tij 215 euro dhe merr me taksat e tij nga një turist gjithësej për frymë si banor 4 euro, jo për një, por nga të gjithë turistët.
4 euro për banor, shpenzimi është 215 euro, sepse miqtë e mi të gjithë çfarë vjen e s’vjen e vjedhin qeveritarët dhe oligarkët e tyre, narkotrafikantë dhe resortet e tyre.
Ndaj edhe Shqipëria është i vetmi vend në planet që bërtet se mora 10 mln turistë, por që fjetën gjithësej gjysmë nate për turistë në Shqipëri. Këto janë shkaqet.
Miqtë e mi!
Porti i Durrësit, port mijëravjeçar ka qenë në shekuj një bekim i madh për shqiptarët. Ka qenë porta e vërtetë e Shqipërisë drejt perëndimit, por edhe gjenerator i madh i të ardhurave, gjenerator i madh i punësimit për Durrësin.
Në pozicionin e tij gjeografik ai ka patur një ndikim shumë të madh në çmimin, në furnizimet dhe në të gjithë mirëqëniet e qytetarëve shqiptarë.
Porti, i cili ishte pra një bekim i Zotit për shqiptarët. Portin në të cilin mund të arrihej deri në 4 milionë ton mallra ngarkim e shkarkim, tani shndërrohet në Dubain e Edi Ramës dhe Alabarit.
Po shqiptarët çfarë fitojnë?
Shqiptarët paguajnë nga djersa dhe gjaku i tyre 1 mln euro për ndërtimin e portit të ri, sepse Edi Rama, Alabar, u grabi porti mijëravjeçar.
Kjo grabitje, kjo plaçkitje e tmerrshme jo vetëm rrënoi pagat dhe mirëqeniet, por shkatërroi përfundimisht shëndetësinë shqiptare.
Sot, vëllezërit, motrat, nënat, baballarët tanë, fëmijët tanë, nipërit, mbesat nuk mjekohen dot në spitalet e vendit, sepse mungojnë ilaçet bazë, sepse analizat iu bëhen me reagent të skaduar. Nuk operohen dot, sepse sendet e operacioneve nuk i blejnë dot nga firma e Ramës dhe e Beqës.
Nuk ka shkatërrim më të madh. Shqipërisë po i shkatërrohen një nga një shërbimet.
Po arsimi, si u katandis në 8 vitet e tyre?
Të dashur miq!
Në vitet 2005-2013, arsimi në Shqipëri arriti ngjitjen vertikale në testin e PISA. Ngjitje nga më të fortat në kohën e vet, dhe u desh që të vijnë 8 vitet e tyre pa efektin e viteve të mëparshme që ajo ngjitje vertikale të shndërrohej në rënie vertikale katastrofale, në rënien më të madhe në botë, në rënien me 62 pikë të nxënësve tanë në matematikë, në rënie në fundin e botës për mendimin krijues.
Pra de facto në rrëzimin përtokë të sistemit të arsimor.
Të gjitha këto miq, janë një faktor kryesor që përzenë shqiptarët nga Shqipëria, por mbi të gjitha vrasja e shpresës në rrëmbimin e votës, në burgjet politike, me persekutimet politike, të gjitha këto janë thirrje zemre e çdo fëmije, e çdo të riu, e çdo prindi, e çdo të sëmuri, e çdo mësuesi, e çdo të shëndoshi, e çdo mësuesi, e çdo shqiptari që e do Shqipërinë.
Të ngrihemi, të shpëtojmë Shqipërinë nga ky regjim i egër!
Nesër tek bashkia është protesta te bashkia kundër njërit prej hajdutëve më të shpërfytyruar të kohërave, hajdut që Tirana nuk e ka njohur kurrë më parë. Kundër një njeriu që vjedhjen, plaçkitjen ka moral, pasurimin me vjedhjen e ka ideal, fjalën e ka mashtrim.
Ai meriton përzenien për zverku nga bashkia, varjen në shtyllën e turpit të historisë!
Ndaj edhe ju bëj thirrje mbarë qytetarëve të Tiranës, nesër të gjithë tek bashkia në një protestë në të cilën ne duhet të dëshmojmë shpirtin e pamposhtur qytetar, vendosmërinë tonë në duar të sigurta drejt fitores, qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, ndryshimit të pushtetit, fitores së opozitës.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria! Fitore, fitore, fitore!