1- Gjyqi i Trumpit
Në vitin 2023 tre gjyqtarë amerikanë vendosën një “gag order” ose ndalim për të folur në publik ndaj të pandehurit Donald Trump, ish president i ShBA, në tre çështje gjyqësore të ndryshme. Ish presidenti Trump refuzoi këto gag ordersduke ju referuar Amendamentit të Parë të kushtetutës amerikane (shteti nuk mundet të kufizojë lirinë e shprehjes apo të medias); ai vijim i shkeli vazhdimisht ato megjithë paralajmërimin e gjyqtarëve se mund të ndëshkohej jo vetëm me gjobë por edhe me burg. Për secilën shkelje (deklaratë) ai u dënua me njëmijë dollarë gjobë.
Gag orders janë pjesë e jurisprudencës penale amerikane por ato lëshohen vetëm kur deklaratat rrezikojnë seriozisht procesin gjyqësor dhe formulohen me objekt të ngushtë. Në rastin tonë gag orderssynuan të ndalonin Trumpin të ekspozonte lidhjet e prokurorëve, gjyqtarëve, anëtarëve të jurisë e personelit mbështetës të tyre me Partinë Demokratike, kundërshtare politike e tij. P. sh. Letitia James, kryeprokurore (Attorney general) në New York, kishte qenë me dekada këshilltare bashkiake për Partinë Demokrate; ajo në fushatën e v2018 për postin e kryeprokurores (të financuar edhe nga George Soros) dhe më pas në këtë ofiq ishte shprehur disa herë se do t’a hetonte Presidentin Trump “çdo ditë e për lloj-lloj gjërash” deri sa t’a fundoste.
Akuza konkrete e saj ishte se kompania Trump Organisation kishte mbivlerësuar kompleksin rezidencial Mar-a-Lago si kolateral (70 milionë dollarë) për një hua biznesi nga Deutsche Bank. Në fakt banka kishte rënë dakord me këtë vlerë, kredia ishte dhënë dhe pastaj i ishte shlyer bankës e plotë dhe në afat, dy palët ishin deklaruar të kënaqura dhe Deutsche Bank ishte shprehur se qe e gatshme për kreditime të tjera për Trump Organisation. Megjithëse një mendje e shendoshë nuk mund të kuptojë se cfarë ka këtu për të hetuar e akuzuar, gjyqtari i çështjes Artur Engoron në shkurt 2024 dha një dënim me gjobë prej afro gjysëm milion dollarë me kushte të ashpra për apelim. Engoron, ishte anëtar e sponsor i Partisë Demokratike dhe kishte dhënë deklarata për Trumpin të ngjashme me ato të kryeprokurores edhe pse më të buta. Ata që në debatin publik shqiptar thonë për raste skandaloze “se kjo nuk ndodh as në Afrikën e Zezë” ju lutem të kenë parasysh se gjyqi i mësipërm ndodhi në New York City. Në favor të ShBA lipset të shtohet se bazuar në procesin e gjykatës së Apelit deri tashti ka shumë gjasë që verdikti Engoron do të anullohet.
2-Gjyqi i Berishës
Në tetor 2023 Prokuroria e Posaçme (SPAK) në Shqipëri mori aprovimin nga një gjyqtar i gjykatës së posaçme (GjKKO) për masa shtrënguese ndaj ish presidentit Sali Berisha (detyrim paraqitje dhe ndalim udhëtimi jashtë vendit). Berisha refuzoi zbatimin e këtyre masave duke ju referuar nenit 73/2 të Kushtetutës “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”. Prokurori, ndryshe nga raste të mëparshme, nuk kishte kërkuar autorizimin e Kuvendit. Berisha argumentoi se edhe pse kishte qenë dhe ishte për kufizimin e imunitetit parlamentar nuk mund të zbatonte vendime të marra në shkelje të Kushtetutës. Tolerimi i këtij precedenti do të mund të hapte udhën për shkelje më të rënda të Kushtetutës.
SPAK përsëriti kërkesën me masën shtrënguese të rënduar (arrest shtëpijak) dhe pa vështirësi mori autorizimin nga Kuvendi dhe aprovimin nga gjyqtari. (Këto ditë një tjetër gjyqtar i GjKKO shfuqizoi arrestin shtëpiak tashmë 11-mujor të z. Berisha. Gjykata Kushtetuese së fundmi nuk gjeti antikushtetueshmëri tek anashkalimi i Kuvendit nga SPAKu. Kritikët thonë se kjo gjykatë nuk e interpretoi nenin 73/2 por mori tagrat e kushtetutëbërësit dhe e ndryshoi atë nen).
Gjyqtari aprovues ka një jetë personale problematike: është shkarkuar për abuzim në v90 nga Presidenti Berisha kur ky ifundit kryesonte Këshillin e Lartë të Drejtësisë; është dënuar penalisht për fallsifikim dokumentesh në një shtet të BEsë dhe, duke mos e deklaruar këtë dënim në dosjen personale, ka kryer sipas ligjit shqiptar një tjetër vepër penale. Megjithkëtë asnje masë nuk është marrë ende për të, madje as pezullim nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Gjyqtari emëroi ex-officio avokat për z. Berisha një person që në rrjetet sociale kishte bërë thirrje për burgosjen e klientit të tij të ardhshëm.
Për akuzën korrupsion pasiv ndaj z Berisha në shënimin tim “Sfida konceptuale e dyshes Millona-Gjoka” në tetor 2023 jam shprehur se “Është hera e parë në historinë penale shqiptare, dhe me sa jam konsultuar edhe në atë botërore, që akte legjislative me natyrë normative të përgjithshme të konsiderohen si provë krimi për shkak të efektit që mund të kenë patur mbi një subjekt të veçantë ndër shumë syresh….sfida (e prokurorit) e kapërcen rastin konkret e përballet me traditën ligjore të kontinentit e më gjerë”. Prokurori pohon që nuk provohet se përfituesi J. Malltezi, dhëndër i z. Berisha, të ketë ndikuar në miratimin e këtyre akteve. Prova e akt-akuzës në gjyq është se e shoqja e J. Malltezit (e bija e z. Berisha) ka mbuluar shpenzimet e z. Berisha për çështje shëndetësore e avokatore.
Kush vazhdon të thotë “se kjo nuk ndodh as në Afrikën e Zezë” do t’i lutesha për më shumë objektivitet e respekt për standartet afrikane.
3- Gjyqi i ndërgjegjes
Dy rastet gjyqësore më lart dallojnë nga lënda, konteksti ligjor, personaliteti i të pandehurve, etj. Po këto dy raste ngjasojnë shumë nga devijimi e deformimi i qëllimshëm i procesit të drejtë nxitur nga motive kryesisht politiko-partiake. Arsyeja e këtij shënimi nuk është paraqitja e informacionit mbi këto dy raste që lexuesi e njeh ose e gjen kollaj. As vënia e në pah e ngjashmërive e dallimeve mes tyre edhe pse krahasimi është interesant.
Por shumë më me interes për një shoqëri e sistem demokratik është fokusimi tek refuzimi parimor i zotërinjve Trump e Berisha. Në çdo shtet të së drejtës ku institucionet gëzojnë besimin e publikut do të ishte normale të respektoheshin e të zbatoheshin vendimet gjyqësore; në rast kundërshtimi udha e vetme do të ishte apelimi.
Por kur këto vendime janë dukshëm të padrejta e të kundërligjshme dhe sidomos kur shkelin hapur kushtetutën ka gjithmonë një pikëpyetje se si lipset të reagohet. Trump e Berisha nuk zgjodhën opsionin formalisto-procedural; ata ecën në udhën parimore të refuzimit duke mbrojtur norma kushtetuese të cilat mbrojnë rendin demokratik e të drejtat njerëzore. Për këtë qendrim ata sakrifikuan: i pari financiarisht, i dyti me lirinë personale. Këto dy raste analoge janë shembuj të sprasëm në historinë njerëzore ku dilemës midis qasjes së kollajshme por imorale dhe asaj të drejtë, të moralshme e të dobishme për gjënë publike i është dhënë përgjigja e duhur.
Nga gjykimi sipas parimeve morale mund të përjashtojmë Perëndinë, i cili për besimtarët abrahamitë është absolut dhe i pagjykueshëm nga njeriu. Por në botën njerëzore askush nuk mund të përjashtohet a priori nga një gjykim sipas ndërgjegjes, morali i shëndoshë i së cilës buron nga Shkrimi i Shenjtë. Ose e thënë me fjalinë lapidare të Sali Berishës në fjalimin e parë të tij mbas lirimit nga arresti: “Ne shqiptarët nuk e deleguam kurrë ndërgjegjen!”.
Genc Pollo
Ish ministër e deputet
30 nëntor 2024