Një nga sfidat që qeveria e kryeministrit Edi Rama është duke kaluar në mandatin e saj të dytë në pushtet, është mosbesimi i qytetarëve.
Një fakt të tillë e ka pranuar Niko Peleshi, i cili gjatë mandatit të parë 4-vjeçar të qeverisë së majtë ishte zv.kryeministër, ndërsa tashmë mban postin e ministrit të Bujqësisë. Kjo ndodhi gjatë një raportimi që bëri para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, partisë së drejtuar nga Kryeministri Rama dhe të transmetuar Live në Facebookun e kreut të qeverisë, në televizionin online që Rama e ka “pagëzuar” me emrin e tij “ERTV” Live.
“Ajo që na ka sfiduar gjatë gjithë takimeve me fermerët deri tani, është mosbesimi i fermerëve, megjithëse i bëmë procedurat me zero dokumente. Kemi një politikë që s’ke ku ta çosh më pak se sa kaq, vetëm kartën e identitetit kërkojmë, dhe përsëri nuk na besojnë!”, u shpreh ministri Niko Peleshi para deputetëve të majtë.
Në këtë rast, Peleshi flet për procedura të lehtësuara ndaj fermerëve, por mesa duket zhgënjimet e shumta që qytetarët kanë marrë nga qeveria Rama, kanë sjellë mosbesim. Dhe zhgënjimet kanë qenë të shumta çka janë reflektuar edhe në protesta, siç janë më të fundit, ajo kundër taksës për rrugën e Kombit dhe për skemën e re të TVSH-së për biznesin e vogël.
Ministrat bënë një analizë të gjashtëmujorit të parë të mandatit të qeverisë Rama 2 përpara Grupit Parlamentar Socialist, ku gjatë ditës së djeshme raportoi Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi.