Akuzoi Tahirin, zyrtari i PD-së: Minutat e terrorit me pistoletë mbi kokë

Tuesday, 24 Prill 2018 12:50

Partia Demokratike denoncoi dje kërcënimin me armë që i është bërë zyrtarit të saj, kryetar i grupit të punës për organizimin e PD, Florian Xhuti. Ngjarja e rëndë ka ndodhur, pasi ai po kthehej i vetëm në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj nga një takim me strukturat e partisë në Tepelenë.

Z.Xhuti tregon për “Gazeta shqiptare” minutat e terrorit me pistoletë me kokë, mospërgjigjja e policisë deri në denoncimin e bërë në komisariatin e Fierit dhe biseda me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe deputetin e qarkut të Gjirokastrës, Tritan Shehu.

Z.Xhuti, PD-ja denoncoi kërcënimin që u është bërë juve nga dy persona, duke ju drejtuar pistoletën në kokë, por çfarë ka ndodhur realisht mesnatën e së enjtes?
Po kthehesha nga një takim me strukturat e PD-së në Tepelenë. Pas mbledhjes po udhëtoja i vetëm me mjetin tim në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj. Ishte ora 10 e natës dhe po kthehesha në shtëpi. Përbri meje ecte një makina që kishte dy persona brenda. Ndaloi para meje dhe njëri prej tyre zbriti nga makina, ndërsa tjetri qëndroi brenda.

I njihnit personat?
Jo, nuk i kisha parë asnjëherë dhe nuk munda t’i identifikoj.

Çfarë ndodhi më pas?
Njëri prej tyre më bëri me shenjë që të hapja rrugën dhe pasi më zunë rrugën, mu afrua dhe më tha të ulja xhamin. Donin të më zbrisnin nga makina. Më pyeti si e ke emrin…? Ia thashë emrin pa menduar se çfarë do të ndodhte më pas dhe kur iu përgjigja më tha: ‘Po ti vjen dhe na shan në shtëpinë tonë’… Pasi këtij momenti ai nxori pistoletën dhe ma vuri në kokë duke më thënë: ‘Mor shkër…’ dhe më kërcënoi që mos të kthehesha më në Tepelenë për të sharë qeverinë. Në këtë moment zbriti edhe personi tjetër dhe u afrua tek unë, por atë çast përballë erdhi një makinë tjetër dhe dritat e ndezura binin direkt mbi personin që po më kërcënonte.

Si mundët të largoheshit?
Në çastin që ra drita mbi personin që mbante pistoletën në dorë te koka ime, unë i shtyva krahun dhe i dhashë gaz makinës duke ikur me shpejtësi.

Arritën të fiksonit targën e makinës?
Nuk fiksova dot targën, pasi makina ishte paralel me mua dhe në momentin qe ika, nuk mendoja për asgjë tjetër veçse kam ecur me shumë shpejtësi. Mbaj mend që ai që më vuri pistoletën tek koka ishte rreth 35 vjeç, një trup i mbushur dhe dukej andej nga zona.

Kur e lajmëruat policinë?
I kam rënë telefonit të policisë sapo jam larguar prej tyre, por askush nuk më përgjigjej. I kam rënë sërish dhe herë dilte sikur nuk kishte valë, herë dukej sikur nuk duan të përgjigjen. Gjatë rrugës nuk kam parë asnjë patrullë policie derisa kam mbërritur në qytetin e Fierit. Vetëm aty kam mundur të shkoj në rajonin e policisë ku dhe bëra denoncimin.

Si reaguan policët ndaj jush?
U tregova të gjithë situatën dhe që nuk kisha mundur të lidhesha me policinë, edhe që nuk kisha parë asnjë patrullë policie gjatë rrugës. Njëri prej policëve më tha se atë zonën nuk e patrullojnë, ndërkohë që më këshilloi që të mos udhëtojë i pashoqëruar pas orës 10 të natës, pasi pas kësaj ore nuk ka shërbim policor. Madje më thanë se ku të kemi parë…? U tregova që jam zyrtar i PD-së. Pas denoncimit, udhëtova derisa mbërrita në shtëpi. Familja u trondit shumë…

Po kreun e PD-së, Lulzim Basha kur e njoftuar dhe si reagoi?
Z.Basha e kam njoftuar të nesërmen në mëngjes, ndërkohë që pasdite kishim mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së. Kur i tregova, z.Basha mbeti i çuditur, u alarmua, më tha kjo që të ka ndodhur është shumë e rëndë. Po ashtu kam telefonuar atë natë edhe deputetin e qarkut të Gjirokastrës, z.Tritan Shehu, por nuk kam mundur të lidhem me të dhe kur e mori vesh mbeti i shtangur se si mund të isha kërcënuar me pistoletë tek koka.

Po nga policia, keni informacion për kapjen e dy personave që ju kërcënuan?
Policia ka marrë deklarimet e mia si kanosje për shkak të detyrës dhe thotë se ka bërë veprimet dhe hetimet për ngjarjen. Por deri tani nuk janë kapur asnjëri prej tyre, ndaj dhe vendosëm ta bëjmë denoncimin publik.

Kërcënimi me armë ka ndodhur afër mesnatës të së enjtes. Përse nuk e denoncuat që atë momentin e parë, por pas 5 ditësh?
Ne nuk e kemi denoncuar publikisht këtë ngjarje kriminale për t’i dhënë kohë policisë të bëjë detyrën për zbulimin e autorëve, por deri tani i vetmi rezultat i saj është se autorët kanë ikur në drejtim të paditur.

Sipas jush për cilat arsye jeni kërcënuar?
Gjatë takimeve që kam zhvilluar me qytetarët në qarkun e Gjirokastrës, unë kam shprehur qëndrimin politik të PD-së. Ndaj mendoj se janë dy arsye, së pari kam thënë se kryeministri Rama është përgjegjës për situatën e rënduar ekonomike dhe sociale si dhe rritjen e kriminalitetit në vend dhe së dyti, kam përcjellë qëndrimin e partisë lidhur me çështjen “Tahiri”. Kam thënë se duhet t’i hiqet imuniteti dhe se Rama e mbron atë. Këtë e kam thënë edhe tani edhe para dy muajsh, para protestës së 27 janarit, kur kam zhvilluar takime. Mesa duket, është bërë sensitive, pasi Tahiri vjen nga ajo zonë. Takimet ishin me shumë njerëz. Jam shprehur publikisht, edhe në kafe.

Po më parë jeni kërcënuar?
Jo, asnjëherë nuk kam pasur asnjë kërcënim. Edhe më parë kam udhëtuar vetëm natën dhe ditën e nuk kam pasur asnjë shqetësim.

Do vazhdoni të shkoni sërish për takime në atë zonë pavarësisht kërcënimit?
Nuk më trembin dot. Jetën time e kam lidhur me këtë punë dhe i njoh vështirësitë. Nuk do e lëmë përgjysmë këtë punë, pavarësisht kërcënimeve.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...