Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme ka reaguar ditën e sotme pas zgjedhjes së Majlinda Bregut, në pozicionin e sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Në një njoftim për mediat, Ministria e Jashtme e drejtuar nga Ditmir Bushati, e ka uruar për detyrën e re Bregun, duke e siguruar për mbështetje të plotë në këtë detyrë.
“Takimi i Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP) vendosi sot të zgjedhë znj. Majlinda Bregu në pozicionin e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për periudhën 2019-2021.
MEPJ dëshiron të falënderojë vendet anëtare te SEECP për mbështetjen që i dhanë kandidaturës shqiptare, e para shqiptare në këtë pozicion, në këtë nivel dhe njëkohësisht edhe e para femër në atë detyrë.
MEPJ i uron suksese znj. Bregu në ushtrimin e detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, një institucion i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal që ka për mision kryesor mbështetjen, fuqizimin dhe shtrirjen e bashkëpunimit rajonal, mbështetjen e vendeve të Europës Juglindore në procesin e integrimit evropian, dhe e siguron atë për mbështetjen e plotë në ushtrimin e detyrës së lartë.”, -thuhet në njoftimin për mediat të MEPJ.
Ditën e djeshme, Bregu njoftoi se ishte zgjedhur si sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ku për këtë detyrë falënderoi edhe Bushatin.
Bregu nga ana tjetër, në reagimin e gjatë që pati në një status në Facebook nuk tha asnjë fjalë falenderimi për Partinë Demokratike, ku ajo u rrit politikisht dhe u bë ministri për disa vite. /55News.al/