Në momentin e ngritjes së grupit të punës për ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike, mësohet janë zhvilluar negociatat me të gjitha grupet brenda PD-së të cilët kishin propozimet e tyre. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, ka qenë personi i cili ka kontaktuar me të gjithë ata që cilësohen si kritikët për tu njohur me propozimet e tyre sa i takon statutit të ri.
Në emisionin ‘Real Story’ të së hënës, ku po diskutohej rreth statutit të PD-së dhe i gjithë procesit që u ndoq deri sa u arrit në ngjizjen e tij, gazetari Sokol Balla zbuloi se Jozefina Topalli refuzoi takimin me Arben Ristanin. “Topalli e ka refuzuar takimin”, u shpreh Balla ndërsa në studio i pranishëm ishte edhe Ristani.
Ndërkohë, po mbrëmjen e djeshme, në Ora News, ish-zëvendësministrja e Jashtme, Edith Harxhi, zbuloi se edhe ajo kishte marrë një telefonatë nga Ristani por që nuk i ishte përgjigjur. “Një ditë pas njoftimit të ngritjes së punës, mua më ka ardhur një telefonatë nga Arben Ristani. Unë nuk i jam përgjigjur”, tha Harxhi.