Ka pasur një reagim të ashpër nga ana e tij ministrit të Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës, Bajram Hasani, sipas të cilit autoritetet e Shqipërisë tregojnë një neglizhencë dhe u bëjnë barriera të panevojshme disa bizneseve kosovare. Ai thotë se ky është një shqetësim të cilin e ka shprehur disa herë edhe zyrtarisht por nuk është marrë seriozisht nga qeveria shqiptare.
“Ndoshta nuk po i marrin seriozisht shqetësimet tona. Autoritetet në Tiranë duhet të reflektojnë, në të kundërtën do të detyrohemi ta zbatojmë ligjin ndaj produkteve të tyre. Kemi disa produkte nga Shqipëria që hyjnë me çmim më të lirë sesa mund të prodhohen në tregun tonë dhe kjo po i dëmton prodhuesit kosovarë”, ka pohuar Hasani në një intervistë për gazetën “Zëri”.
Ai ka paralajmëruar se nëse tregu i Shqipërisë nuk hapet për prodhimet kosovare, atëherë jemi të detyruar të vendosim barriera, pasi që, siç thotë ai, duhet t’i mbrojmë prodhuesit vendorë.