Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, e cila është edhe nënkryetare e kësaj force politike, ka shprehur indinjatën e saj për faktin që Saimir Tahiri, i cili duhet të ishte prapa hekurave, gjen akoma mundësi të dalë në media. Sipas znj. Mehmetaj drejtësia duhet të veprojë.
“E pamoralshme që njeriu që do duhej të ishte sot pas hekurave për shpërdorim detyre, kriminalizim të vendit, kanabizim të Shqipërisë ka uzurpuar gjithë ditën familjet e shqiptarëve. Nuk mundet t'ju drejtohet qytetarëve njeriu që është kthyer në pengesën e Shqipërisë drejt integrimit Europian. Asnjë sponsorizim i Edi Ramës për ta viktimizuar Tahirin dhe nxjerrë veten të palarë, nuk zë më vend ndër shqiptarë.
Edi Rama të japë dorëheqjen! Drejtësia të veprojë! Boll më me Tahirin. Turp kush i mundëson kohë, turp kush përpiqet të na e sjellë brenda familjeve tona.
Ps. Thirrje për median: Investojeni këtë kohë për të ndihmuar shqiptarët të largojnë nga familjet vesin e konsumit të lëndëve narkotike që u mësuan Tahiri e Rama të rinjve shqiptarë”, shkruan në postimin e saj në rrjetet sociale, nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, deputetja Kejdi Mehmetaj.