Fondacioni gjerman ‘Konrad Adenauer’ i partisë së kancelares Angela Merkel-CDU, në një raport të sapopërfunduar, ‘u sugjeron’ deputetëve të Bundestagut që t’i thonë ‘Po’ hapjes së negociatave me Shqipërinë, por t’i vendosin një ‘Por’ kushtëzues qeverisë së Kryeministrit Rama. Në përfundimet e Ëalter Gloss, kreu i Fondacionit në Shqipëri, nuk mungon as fakti se kryetari i partisë opozitare, PD, Lulzim Basha, ka lobuar pro hapjes së negociatave gjatë takimeve në Gjermani. Raporti, gjithashtu vëren, ato që quhen kritere të paplotësuara nga qeveria socialiste.
“Deri tani nuk ka suksese të mjaftueshme. Hapja e negociatave duhet të vendoset në bazë të kushteve të formuluara qartë, të cilat duhet të plotësohen më parë dhe pastaj të mund të hapen kapitujt fillestarë të negociatave”, përfundon raporti. Politiko.al ka siguruar raportin në gjermanisht dhe ka përkthyer Përfundimet që e përmbyllin, një variant i koncentruar, atë në shqip. Fondacioni Konrad Adenauer (KAS), përfaqëson demokristianët gjermanë (CDU) dhe ka zyra në shumë vende të botës, përfshirë këtu edhe Tiranën. KAS operon si krahu ideologjik i partisë së kancelares Merkel dhe e merr emrin nga Konrad Adenauer, një prej kancelarëve më të suksesshëm dhe jetëgjatë të demokristianëve gjermanë.
Përfundimet e plota të raportit të Fondacionit Konrad Adenauer: Hapja e negociatave për anëtarësim në BE është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Veçanërisht për brezin e ri, negociatat mund të krijojnë orientim të ri dhe perspektiva për të ardhmen. Shqipëria, në vitet e fundit ka luftuar gjithnjë e më shumë me faktin se fuqia punëtore e kualifikuar po largohet nga vendi për shkak të mungesës së perspektivave të mjaftueshme për të gjetur një vend pune. Në vitet e fundit, rreth 300,000 njerëz janë larguar nga Shqipëria. Hapja e negociatave me BE mund t’i japë Shqipërisë shpresë të re për shumë njerëz dhe mund t’u largoje atyre frikën e mungesës së perspektivës.
Dëshira e popullsisë për t’u bërë një pjesë e integruar e Bashkimit Europian nuk është e përhapur vetem te të rinjtë. Eshtë për të patur frikë se, refuzimi i hapjes së negociatave do të ishte një goditje e madhe për shqiptaret dhe do të çonte në humbje të shpresës.
Lideri i partisë opozitare, PD, Lulzim Basha, përdori vizitën e tij në mes të prillit në Berlin edhe në kuadër të pjesëmarrjes në një takim të grupit të punës të grupit parlamentar të CDU / CSU në Bundestagun gjerman, për të kërkuar mbështetjen e deputetëve gjermanë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Pas paraqitjes së problemeve aktuale në lidhje me disa kritere, Basha bëri fushatë për hapjen e negociatave.
Nisja e negociatave mund të shërbejë si mjet presioni efektiv dhe instrument kontrolli, të cilat do të inkurajonin përpjekje më të mëdha në zbutjen e mangësive në kriteret kryesore. Kështu do të nxitej edhe progresi i mëtejshëm i reformave- tha ai. Analiza tregon se, pavarësisht rezultatit pozitiv të raportit të progresit të Komisionit Europian të datës 17 prill 2018, disa aspekte brenda pesë kritereve kryesore dhe pritshmërive shtesë, siç janë reforma zgjedhore dhe dekriminalizimi, janë për t’u vlerësuar në mënyrë kritike. Objektivat e vendosura që nga Raporti i fundit i Progresit 2016, të cilat janë një parakusht për hapjen e bisedimeve të pranimit, nuk janë përmbushur plotësisht ose është bërë pak përparim. Kryesisht për shkak të vonesave, të cilat shpesh ishin të motivuara politikisht. Duke u nisur edhe nga fakti qe partia qeverisese, PS ka që nga shtatori 2017 shumicën në parlament, duhej bërë më shumë dhe duhej të kishte pasur më shumë përparim. Për fat të keq, shumë prej dispozitave të reja dhe pozitivisht të vlerësuara, nuk gjejnë aktualisht ende zbatim efektiv. Kështu, pavarësisht disa përmirësimeve dhe progreseve që janë për t’u përshëndetur, nevojiten përpjekje të tjera të mëdha, për të përmbushur pritshmëritë në secilën fushë.
Një “Po! Por … ” për hapjen e negociatave të pranimit me BE duket të jetë një përgjigje e përshtatshme për atë që është arritur dhe nuk është arritur deri më tani që nga raporti i progresit i vitit 2016. Po, sepse hapja do t’i ofronte popullit shqiptar, i cili e mbështet fuqimisht BE-në, shpresa dhe perspektiva të reja dhe, sepse mund të motivojë përpjekje të mëtejshme krahas progresit të arritur në fusha të veçanta. Por, sepse ende nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përmbushur pritshmëritë në secilën nga pesë kriteret kryesore dhe dy pritshmeritë si reforma zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE / ODIHR-it dhe dekriminalizimi. Deri tani nuk ka suksese të mjaftueshme. Hapja e negociatave duhet të vendoset në bazë të kushteve të formuluara qartë, të cilat duhet të plotësohen më parë dhe pastaj të mund të hapen kapitujt fillestarë të negociatave.