Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj, ishte e pranishme ditën e djeshme në tryezën e deputetëve të opozitës me Sindikatat e Arsimit për të diskutuar çështjen e Kontratës Kolektive. Në fjalën e saj në këtë aktivitet Mehmetaj tha se qeveria po bën gjithçka për ta shkatërruar sistemin e arsimit. Sipas saj ky buxhet është më i ulëti i viteve të fundit.
Fjala e plotë
Falënderoj të gjithë përfaqësuesit në tryezë, sepse gjykoj se në këto ditë të vështira, të cilat po kalon Shqipëria duhet një ndërgjegje shumë e lartë qytetare për të ngritur probleme dhe për të kërkuar zgjidhje, sidomos për një fushë siç është arsimi, që në fakt ka qenë e harruar, jo vetëm nga kjo qeveri, por unë mendoj që e gjithë klasa politike duhet të bëjë më shumë dhe të investohet më shumë. Dhe më vjen gjithmonë mirë kur ka jo vetëm organizime të kësaj natyre, por çdo lloj nisme që vjen nga sindiktatat, nga mësuesit, nga studentët, qoftë edhe nga politika, në lidhje me arsimin është vetëm një tullë e mirë që vëmë në murin për të pasur Shqipërinë që duam dhe siç e kërkojnë brezat e ardhshëm. Disa ditë më parë, ka pasur një studim nga Organizata e Shoqërisë Civile, nga Koalicioni për Arsimin dhe ajo që vihej re dukshëm ishte që sa më shumë vite kalonin, nëse, qoftë edhe për shkak të indeksimit, duhej të rritej buxheti për arsimin. Në fakt ajo që ka ndodhur është e kundërta. Buxheti i arsimit ka pasur rënie, sidomos nëse krahasohet me vitet 2012-2013 dhe për të cilat kurba ka qenë më e lartë dhe investimet kanë qenë më të larta.
Nëse strategjia për arsimin, e miratuar nga vetë qeveria, thotë që deri në 2020-ën për arsimin, duhet të shkojë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku 3% do jetë për arsimin parauniversitar, sot, siç e përmendët dhe ju, nuk lëvizim përveçëse nga shifrat 2.2% deri në 2.7%, duke parë dhe ato tabelat konfuzuese, që Ministria e Arsimit na i servir të tilla, për të krijuar në opinionin publik se ka një buxhet të lartë, por që nëse e merr në zëra konkret, kupton që është më i ulët se në vitet e kaluara. Dhe ky buxhet është i padrejtë për tju dhënë familjeve shqiptare, duke parë nga një studim i bërë nga Bashkimi Europian se familjet shqiptare investojnë për arsimin e fëmijëve të tyre katër herë më shumë se vendet e rajonit dhe dy herë më shumë se vendet e Europës. Pra, dëshira e familjes për të investuar te fëmija dhe te arsimi i fëmijës, është aq e madhe, saqë kursejnë nga buka, kursejnë nga veshja, kursejnë nga jetesa për të dhënë maksimumin për fëmijët, ndërkohë që qeveria nuk bën as minimumin që është të japi tekstet falas, sidomos duke pasur parasysh që ekonomia shqiptare është çdo ditë në rënie.
Nga ana tjetër, unë e shoh që Ministria e ka shumë të vështirë që të përballet sidomos me mësuesit, sepse ajo që ka bërë për mësuesit në vite është shumë pak, madje ka qenë në regres. Rasti i portalit ‘Mësues për Shqipërinë”, që ju përmendët përveçëse e paligjshme ka krijuar konfuzion, aq sa përditë lexojmë në lajme, edhe në televizionet që të janë të blera nga qeveria, të shikojmë në lajme mësues të dhunshëm, mësues të pakualifikuar, mësues që krijojnë presion te mësuesit. Një javë më parë ne kishim një takim me maturantë të Tiranës, të cilët ankoheshin për presionin e vazhdueshëm, pikërisht sepse mësuesit e rinj që janë futur në sistem nuk janë përgatitur për tu përballur me ta. Vetë UNESCO, në studimin e bërë me kërkesë të Ministrisë së Arsimit, përveçëse kritikon mënyrën se si kurrikula e re është implementuar, tekstet të cilat janë përkthyer keq, tekste të cilat nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën nga viti në vit, por një nga gjërat kryesore që dilte nga studimi i UNESCO-s, ose një nga rekomandimet kryesore është trajnimi i mësuesve, që pikërisht duhet të ulen ato orët. Pra të ketë më pak orë për ti dhënë mësim fëmijëve, gjimnazistit, nxënësve, dhe më shumë orë për tu kualifikuar dhe për tu trajnuar që të arrijë standardin që po kërkojmë ne, standardin europian dhe botëror.
Pastaj po të fillojmë me problematikën, infrastruktura, largësia që ju duhet të shkoni në shkollat ku jepni mësim, problemet që ju hasni me tekstet, mënyrat e ndryshme që ju kërkojnë të zbatoni në mes të viteve shkollore, siç është për shembull tre lëndë brenda 6 orëve, të papërgatitur, e ardhur brenda ditës, bëjeni si të doni, vetëm kështu do ministrja, edhe kështu do kryeministri, pa asnjë logjikë, pa asnjë studim, pa asnjë pilotim të mëparshëm, gjëra që Shqipëria nuk i ka parë, jo në kohë të komunizimit, jo e jo, por as në ditët e saj më kritike të tranzicionit. Megjithatë unë nuk do të zgjatem, sepse fjala është e juaja. Ju keni qenë disa herë në komision, edhe në vitet e mëparshme. Besoj që e keni ndjerë përkrahjen e vazhdueshme, por të jeni të sigurtë që ne si deputetë, të paktën ne që e duam arsimin, edhe këtë po e them edhe në emër të kolegëve të LSI-së, në Komisionin e Arsimit, si zysh Nora ashtu edhe Profesor Shezo, vijnë nga fushat e arsimit, kanë kaluar të njëjtat probleme si ju që jeni këtu, dhe ne do të kemi maksimumin e angazhimit tonë që e para kontrata kolektive, por edhe të gjithë çështjet që do të ngrihen sot, të gjejnë një zgjidhje, dhe një zgjidhje sa më të shpejtë. /55news.al/