Partia Demokratike ka publikuar ditën e sotme një audio, për të cilën thuhet se është vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, që flet me një person për punë droge.
Përmes një deklarate për mediat, deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj, është shprehur se Xhafaj ka shfrytëzuar postin publik dhe pushtetin politik për t’i siguruar paprekshmëri nga ligji vëllait Agron Xhafaj, i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge.
“Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka shfrytëzuar postin publik dhe pushtetin politik për t’i siguruar paprekshmëri nga ligji vëllait Agron Xhafaj, i dënuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge me 7 vjet e 2 muaj burg. Janë 3 fakte të rëndësishme sesi Fatmir Xhafaj, në detyrën e Ministrit të Brendshëm shkeli ligjin duke penguar çdo veprim për ekstradimin e të vëllait.”, tha Alibeja.
Pa ka publikuar një audio, ku dëgjohet biseda mes dy personave, ku për njërin thuhet se është Agron Xhafaj.
Alibeaj: Janë 3 fakte të rëndësishme sesi Fatmir Xhafaj, në detyrën e Ministrit të Brendshëm shkeli ligjin duke penguar cdo veprim për ekstradimin e të vëllait.
- 1. Agron Xhafaj nuk e vuan dënimin, nuk bën asnjë ditë burg, sepse Fatmir Xhafaj nuk përmbush përgjegjësitë ligjore të Ministrit të Brendshëm:
• Për të verifikuar dhe identifikuar identitetin e ri të Agron Xhafajt
• Për të njoftuar autoritetet italiane për vendndodhjen e tij në Shqipëri
• Për arrestimin dhe burgosjen e tij. - 2. Fatmir Xhafaj nga pozicioni i tij si Kryetar i Komisionit të Ligjeve fallsifikoi dokumentet zyrtare për të pamundësuar me ligj ekstradimin e vëllait të tij Agron Xhafaj.
Fallsikimi pamundësoi edhe vuajtjen e dënimit në Shqipëri dhe Agron Xhafaj, i dënuar me vendim të formës së prerë me 7 vjet e dy muaj për trafik ndërkombëtar droge, nuk bën asnjë ditë burg.
3. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk zbaton Ligjin Antimafia dhe pengon që ligji të veprojë ndaj tij dhe Agron Xhafajt. Aktiviteti kriminal i trafikut të drogës, që ka kryer vëllai i Ministrit të Brendshëm e bën, automatikisht, subjekt të ligjit vetë Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.
II. AGRON XHAFAJ, VËLLAI I MINISTRIT TË BRENDSHËM VAZHDON TRAFIKUN E DROGËS
Salianji:Me 7 Tetor 2010 Fatmir Xhafaj deklaroi se “e ka ndihmuar vëllanë t’i rikthehet jetës normale, pa asnjë rekord negativ përballë ligjit”. Kjo është gënjeshtër.
Kjo është e pamundur përsa kohë Fatmir Xhafaj siguron nga posti i tij që Agron Xhafaj të mos bëjë asnjë ditë burg nga dënimi dhe të vazhdojë të jetojë me paratë e drogës, pasuri e cila nuk është sekuestruar sic kërkon ligji Antimafia.
Dje e pyetëm Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj: A e vazhdon Agron Xhafaj aktivitetin kriminal të trafikut të drogës?
Kanë kaluar 24 orë dhe Fatmir Xhafaj nuk ka kthyer përgjigje. Ne i dimë arsyet përse ai hesht. Arsyet janë se i vëllai i Ministrit të Brendshëm nuk bën një jetë normale, siç garanton Fatmir Xhafaj. Ai është një nga bosët më të fuqishëm të trafikut të drogës në Shqipëri, që drejton dhe koordinon një grup kriminal me bazë në qytetin e Vlorës.
Partia Demokratike publikon sot një material audio që tregon se Agron Xhafaj e kryen aktivitetin kriminal të trafikimit të drogës edhe gjatë kohës që vëllai drejton Ministrinë e Brendshme.