Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili, në një intervistë në Ora News është shprehur se kryeministri Edi Rama duhet të ndiqet penalisht për atë që tha dje lidhur me verifikimin e audio përgjimit.
Sipas Vasilit, deklaratat e tij tregojnë se Kryeministri është një me Prokurorinë.
“Kush është ky kryeministër? Çfarë verifikon ky? Dihet që audio përgjimi është sekuestruar nga prokuroria dhe bile janë thirrur edhe deputetët që e kanë bërë publike”-tha Vasili
Ai ngriti pikëpyetjen se si ka rënë në dorë të kryeministrit materiali, kur e ka sekuestruar vetëm prokuroria.
“Prokuroria dhe kryeministri qënkan një që i lejokërka këtij kryeministri të bëjë verifikime, të japë edhe përgjigje të mbyllë dhe proceset.
Këtu është shqetësimi më madhor që praktikisht ekzekutivi i kryeministrit me ngjyrime shumë të errëta imponon dhe udhëheq punën e prokurorisë, e cila është tashmë i paralizuar, ecën me ritmin e kryeministrit.
Çuditërisht një prokurori që në disa momente bëhet shumë e rrufeshme, atje ku merr porosinë nga kryeministri. Për çështje kaq të mëdha është e mefshtë, nuk di të flasë”, u shpreh Vasili.
Sipas Vasilit roli i prokurorit është uzurpuar nga kryeministri, i cili duhet marrë në ndjekje penale
“Nëse prokuroria është vërtet e kapur mund të vazhdojë të rrijë, ndonëse nuk duhet të rrinte. Unë po prisja nga çasti në çast të kishte një deklaratë të Prokurorisë për fillimin e hetimeve kryesisht intesive, duke filluar për çështje konkrete, por edhe për deklarimet e djeshme të kryeministrit i cili duhet marrë në ndjekje penale pasi ka marrë përsipër tu thotë shqiptarëve çdo gjë është e pavërtetë dhe i ka bërë ky verifikimet. Pra praktikisht kemi një uzurpim të rolit të prokurorit. Këto janë momente tronditëse për vendin”, shtoi ai.