Deputetja e PD-së Albana Vokshi ka denoncuar sërish sot mbledhjen e të dhënave të prindërve në shkolla nga ana e ministres Lindita Nikolla.
Vokshi u shpreh se është e ndaluar rreptësishtë marrja e të dhënave personale të individëve, pa ditur më parë funksionin për të cilën ato do të përdoren. Vokshi tha se PD-ja do ta ngrejë këtë shqetësim dhe pranë komisionerit europian për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Ministrja Nikolla e urdhëruar nga Rama vijon grumbullimin e të dhënave personale për manipulimin e zgjedhjeve. Pa ditur qëllimin qeveria nuk ka nxjerrë asnjë akt ligjor që të përcaktojë qëllimin mbledhjes së të dhënave personale.
Urdhri shkel të dhënat e prindërve. Dyshja Rama-Nikolla duhet të sqarojë publikisht se ku i dërgojnë këto të dhëna. Partia Demokratike fton të gjithë prindërit të refuzojnë të japin të dhënat e tyre personale, që kërkon që ti përdorë këto të dhëna për manipulimin e zgjedhjeve. Partia Demokratike ka të dhëna se e njëjta skenë kriminale është urdhëruar që të ndiqet dhe nga ministrja e Shëndetësisë.
Partia Demokratike ju fton të denoncojmë veprimet e paligjshme të bandës në pushtet. Me 26 maj të bashkohemi pavarësisht bindjeve politike të largojmë këtë qeveri të lidhur me krimin”.