×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Qeveria e krimi-korrupsionit pengesë për BE, më 26 maj të bashkohemi në protestë!  

E Enjte, 24 May 2018 17:56

Nga Lulzim Basha

Raporti ka të paktën një muaj që ka dalë dhe Edi Rama nuk u kujtua të ftonte për diskutimin e këtij raporti. Përkundrazi, u vërsul për të marrë meritat për këtë raport dhe për të treguar me gisht opozitën si pengesë për rrugëtimin europian te Shqipërisë.

Sot, Edi Rama e sjellë këtë raport këtu në një përpjekje të mjerë për të mbuluar atë që i ka ndodhur në Samitin e Sofjes, atë që i kanë thënë copë në sy drejtuesit e institucioneve europiane, kryeministrat e vendeve anëtare.

Ai e ka futur me ngut dhe në panik për një arsye të vetme: për të vazhduar fushatën e tij mjerane për të gjetur një fajtor për mesazhin që i kanë dhënë edhe mbrëmë për 3 orë me radhë: se ti Edi Rama, Fatmir Xhafaj dhe qeveria jote e lidhur me krimin dhe korrupsionin jeni të vetmet pengesa.

Pra, pas kthimit nga Sofja, ku ia thanë copë në sy se Edi Rama nuk ka bërë detyrat e shtëpisë, madje akoma më keq, i ka katranosur keq e më keq ato, filloi t’i bjerë dajres së shpuar se opozita, armiku i brendshëm, po saboton projektin europian të shqiptarëve. Edhe sot ka ardhur t’i bjerë kësaj dajreje për të thënë se jemi ne pengesa. Natyrisht, ky qëndrim qesharak është shprehje e panikut që të ka kapur e nuk të lëshon.

Ti e di fare mirë, më qartë se kurrë më parë se ti Edi Rama ke dështuar të plotësosh kushtet që Shqipërisë t’i hapen bisedimet për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane.

E keni parë? Nuk i mbajnë më leqet. Dridhet nga pyetja e thjeshtë e një gazetareje 25 vjeçare. I merret fryma sa herë përballet me të vërtetat. Edi Rama, ti dhe propaganda jote shkërrmoqeni nga ballfaqimi më i thjeshtë me hallexhinjtë e këtij vendi.

Paniku të ka kthyer në fis. Të ka kthyer në fis se kërkon armikun e brendshëm që, për ty, si për çdo autokrat të korruptuar e të lidhur me krimin, është opozita. Je përgatitur pra t’u thuash shqiptarëve se nëse nuk hapen negociatat në qershor, fajin e ka opozita.

Dua t’i kujtoj sot Edi Ramës, baronëve të tij të drogës dhe të krimit se nuk i quajti Partia Demokratike avionët e drogës mushkonja. Jo! Ishte ti Edi Rama.

Nuk i fshehu Partia Demokratike trafikantët që kërkoheshin në operacion ndërkombëtar në makinat e deputetëve. Ishte ti Edi Rama!.

Nuk e zhduku Partia Demokratike kërkesën e Interpolit për të ekstraduar deputetët e inkriminuar, si Mark Frroku. Ishe ti Edi Rama!

Nuk e vuri Partia Demokratike Saimir Tahirin Ministër të Brendshëm. Ishe ti Edi Rama. Nuk e lidhi Partia Demokratike Saimir Tahirin me bandën e Habilajve. Nuk ia la Partia Demokratike Audin dhe skafin e ministrit narkotrafikantëve për të bërë trafik droge me imunitet zyrtar.

Nuk e zgjodhi Partia Demokratike, por ti Edi Rama, edhe Ministrin tjetër të Brendshëm me vëlla të dënuar për  trafik ndërkombëtar droge që nuk kishte shlyer asnjë ditë dënim e vazhdonte dhe vazhdon të jetë bosi i drogës në Vlorë, një nga kokat e krimit të organizuar në Shqipëri.

Nuk i siguroi Partia Demokratike mbrojtje dhe lehtësira për të vazhduar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Nuk e ndryshoi PD ligjin për të mos e ekstraduar Agron Xhafajn. Nuk e vuri PD policinë e Vlorës dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë në varësi të Agron Xhafajt. Jo! Këtë e bëre ti Edi Rama me Fatmir Xhafajn.

Nuk i caktova unë deputetët dhe kryetarët e bashkive trafikantë, kriminelë, përdhunues nga Arben Ndoka e Mark Frroku tek Armanda Prenga dhe Elvis Roshi me shokë. Këto nuk i bëra unë, nuk i bëri Partia Demokratike. Këto i bëre ti Edi Rama. Prandaj, çfarëdo daulleje të shpuar t’i biesh sot këtu nga kjo foltore, të vërtetës nuk i ikën dot.

Ti Edi Rama, Fatmir Xhafaj dhe qeveria jote e lidhur kokë e këmbë me krimin dhe korrupsionin jeni e vetmja pengesë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Po ta them edhe një here, se ke humbur totalisht arsyen midis avujve të pluhurit të bardhë dhe delirit të ERTV-së, Bashkimi Europian nuk është ERTV. As BE, as shqiptarët nuk i hanë më broçkullat dhe gënjeshtrat që këput nga mëngjesi deri në darkë. Bashkimi Europian do dhe pranon vetëm fakte dhe rezultate.

Ti di dhe do vetëm llafe boshe, gënjeshtra, mashtrime, shpifje, trillime, poshtërime, sharje, fyerje dhe kërcënime kundër qytetarëve të tu, kundër gazetarëve, kundër opozitës, madje edhe kundër europianëve që ta thonë copë në sy të vërtetën:

Se mbreti është lakuriq

Se Shqipëria nën regjimin tënd është kapur tërësisht nga krimi dhe korrupsioni

Se ekonomia është në krizë me zero investime të huaja

me biznesin vendas nën thundrën e taksave që vetëm rriten, me papunësinë rekord me media të kapura

me një vend që eksporton drogë dhe importon plehra

me një grusht klientësh të tu Edi Rama dhe të ministrave të tu të megakorruptuar, të cilët kontrollojnë gjithçka; koncesione, PPP, inceneratorët vdekjeprurës, që po paguhen me qindra milionë euro nga lekët e taksave të shqiptarëve për të mbushur xhepat e Edi Ramës, të  Arben Ahmetajt me shokë, ndërkohë që helmojnë fëmijët e shqiptarëve,

me varfëri të shtuar,

me emigracion që rritet çdo ditë

me rini të pashpresë dhe prindër të dëshpëruar në kufijtë e panikut.

Edi Rama ti je arkitekti dhe autori i gjithë këtyre gjëmave, je ti po kështu që mohon gjithçka.

Dikush të akuzoi Ministrin e Brendshëm me dëshmi dhe material audioviziv se mbron vëllain trafikant të drogës. Ti, Edi Rama në vend që të merreshe urgjentisht me ministrin dhe vëllain trafikant të drogës, fillove sulmin ndaj dëshmitarit, ndaj denoncuesit, ndaj gazetarëve, ndaj opozitës.

Ekspertizën na e nxore brenda 12 orëve. Po ku e bëre ekspertizën Edi Rama? Kush ta dha? Ku e çove? Ti je një gënjeshtar dhe vazhdon të bësh atë që ke bërë këto 5 vjet sepse mbron kriminelët. Këtë ke bërë në çdo rast, kur kriminelët e tu janë bërë publikë, që t’i mbrosh, justifikosh dhe të shpëtosh.

Kujtohuni të gjithë, kështu bëri me Mark Frrokun, me Arben Ndokën, me Armando Prengën, me Elvis Roshin, me Saimir Tahirin, kështu po bën tani me Agron Xhafajn dhe Fatmir Xhafajn. Kështu bëri me drogën. Ju kujtohet kur u thoshte shqiptarëve këtu nga kjo sallë se “avionët janë mushkonja”. Ju kujtohet kur ju thoshte “nuk ka drogë, jeni të marrë se thoni që mbillet drogë”. Ju kujtohet se fliste për Elvis Roshin, “si një i ri i papjekur në emigracion”, njësoj siç flet sot për Agron Xhafën.

Largimi i kontrolluar dhe në fshehtësi me urgjencë i Agron Xhafajt është ekspertiza e plotë e audiopërgjimit. Agron Xhafaj nuk u largua për të kryer dënimin si njëri i penduar. Po të kishte qenë kështu, do ta kishte bërë me parë këto 15 vjet, do ta kishte bërë më parë këto 8 vjet, që nuk ka nevojë të marrë vizë për të shkuar në Itali, falë Partisë Demokratike.

E vërteta është se ai u largua si pjesë e një plani kriminal për të shpëtuar Fatmir Xhafajn dhe mbi të gjitha për t’i shpëtuar hetimit në Shqipëri të aktivitetit të tij kriminal. U largua i shoqëruar me temenara nga policia.

Veprimet e prokurorisë Rama-Xhafaj që e lanë të largohej janë skandaloze. Nëse ndaj tij ka filluar hetim, pse e lanë të ikte? Nëse nuk ka filluar hetim, pse nuk ka filluar?

Vetë largimi i Agron/Geron Xhafës, 15 vjet pasi ishtë shmangur drejtësisë, 10 orë pas publikimit të audiopërgjimit është jo vetëm prova, por është edhe akti për ta shmangur nga ballafaqimi me dëshmitarin, për t’i dhënë kohë krimit të organizuar që ta kërcënojë dhe ta blejë me para.

Njeriu që mban krimin në këmbë u zhduk në mes të natës duke i zhdukur zërin, fytyrën dhe pamjen. Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama ofruan të gjithë infrastrukturën shtetërore për ta pritur në orën 22:00 të natës në prokurori, gjoja për të dhënë zërin, në vend që t’i vinin hekurat dhe për ta degdisur, izoluar me nderime policore, larg hetimit në Shqipëri.

Ku është Agron Xhafaj?

Çfarë dënimi po vuan?

A po e vuan dënimin?

Në cilin burg ndodhet?

Përse nuk foli me zë direkt në televizion apo në telefon?

Përse e hoqën menjëherë nga Shqipëria?

Fatmir Xhafa dhe Agron Xhafaj funksionojnë si kokat e një familje mafioze, që kanë ofruar të gjithë infrastrukturën shtetërore, së pari, që i vëllai të vazhdojë të jetë, koka e krimit në të gjithë Shqipërinë dhe së dyti, të largohet i qetë jashtë Shqipërisë.

A ka biseduar Fatmir Xhafaj vetë me prokurorët e çështjes së të vëllait?

A i ka çuar fjalë veglave politike të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës, Arta Markut dhe Donika Prelës?

A u ka bërë presion të zbatojnë urdhrat e tij për të mos zbatuar ligjin, i cili detyron prokurorinë të kërkojë ndalimin e një shtetasi të dyshuar për trafik droge.

Përse policia dhe prokuroria nuk kërkuan menjëherë bllokimin e pasaportës dhe ndalimin e daljes jashtë vendit të Agron Geron Xhafajt?

Kush e njoftoi policinë? Kush e njoftoi Edi Ramën? Kush e njoftoi Fatmir Xhafën për identitetin e dëshmitarit X, menjëherë pas publikimit të videopërgjimit nga Partia Demokratike?

Natyrisht, këto janë pyetje vetëm retorike, përgjigjet sot i di dhe i njeh çdo shqiptar.

Zonja dhe zotërinj, Vëllezër dhe motra, Sot shteti ka rënë.

Familja mafioze Xhafaj me mbështetjen direkte të Edi Ramës ka shkelur dhe shkel çdo minutë ligjet dhe Kushtetutën e vendit për të mbrojtur Agron Xhafajn, për të mbrojtur Fatmir Xhafajn,

Shkelet në mes të ditës ligji antimafia. Ligji antimafia, është një ligj i miratuar në vitin 2010 me një arsye të vetme: për t’i dhënë garanci të plota Bashkimit Europian se Shqipëria e asaj kohe do të kishte jo vetëm vullnetin, por edhe kornizën ligjore për të goditur ashpërsisht krimin dhe pasuritë e krimit.

Në çdo sistem normal dhe juridik, barra e provës është tek akuzuesi, por për të luftuar mafian, shteti italian futi në forcë, Ligjin Antimafia që është një ndër ligjet më të suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar. Pak vende në Europë e kanë, por shumë vende në Europë duan ta adoptojnë. Ne e adoptuam në vitin 2010.

Çfarë thotë Ligji Antimafia?

“Nëse dikush dyshohet, ka indicie se është pjesëtar i krimit të organizuar, apo se merret me trafik droge, pasuritë e këtij personi, pasuritë e familjarëve të këtij personi verifikohen, sekuestrohen dhe nëqoftëse nuk justifikohen nga aktiviteti ekonomik, konfiskohen pa gjyq”.

Ky është Ligji Antimafia dhe ka për qëllim:

Së pari, të shkatërrojë çdo motiv të krimit të organizuar. Sepse, nëse ky ligj zbatohet, asnjë kriminel, asnjë anëtar bande, asnjë trafikant, nuk i gëzon dot frutet e krimit. Ato konfiskohen pa gjyq.

Së dyti, Ligji Antimafia ka për qëllim t’i heqë krimit të organizuar mjetet financiare me të cilat mund të vazhdojë, të rrisë dhe të thellojë perandorinë kriminale.

Ligji Antimafia nuk mbulon vetëm pasuritë e personit të dyshuar për aktivitet kriminal, por mbulon edhe familjarët e këtij personi, duke përfshirë, prindërit, fëmijët dhe vëllezërit.

Pra në bazë të Ligjit Antimafia, Agron Xhafaj dhe pasuritë e tij, Fatmir Xhafaj dhe pasuritë e tij, e gjithë anëtarët e familjes Xhafaj, duhet t’i nënshtrohen një kontrolli të imët të pasurive të tyre, pasurive në emër të tyre, pasurive të cilat dyshohet se janë fshehur në emra të tjerë dhe këto pasuri duhet të konfiskohen.

E dëgjuat Fatmir Xhafaj kur e pyetën gazetarët: A je ti subjekt i Ligjit Antimafia? Teorikisht po tha, praktikisht jo!

Lapsus apo e vërteta?

Po të ishte lapsus, gjysma e së keqes, por ishte e vërteta.

Fatmir Xhafaj siç e ka pranuar, është në parim, subjekt i Ligjit Antimafia, sepse vëllai i tij nuk është thjesht i dyshuar si anëtar i një organizate kriminale. Vëllai i tij nuk është thjesht i dyshuar si trafikant droge. Vëllai i tij është i dënuar si anëtar i një organizate ndërkombëtare kriminale. Vëllai i tij është i dënuar si një nga krerët e një organizate kriminale të trafikut të drogës.

Pra, përgjigja është, po. Fatmir Xhafaj është subjekt i Ligjit Antimafia, njësoj si Agron Xhafaj, por praktikisht jo, thotë Fatmir Xhafaj dhe këtu ose është lapsusi ose e vërteta e vetme që ka thënë këto dy javë.

Natyrisht sa kohë që ai është Ministër i Brendshëm nuk ka si Ligji Antimafia të veprojë mbi të a kohë që ai është shefi qeveritar i policisë, e cila ka për detyrë të nisë procesin e verifikimit të aseteve të dyshuara që vijnë nga aktivitete kriminale, sa kohë që ai është shefi politik i Arta Markut dhe i Donika Prelës, praktikisht ligji nuk ka fuqi mbi të, siç nuk kishte për 4 vjet fuqi mbi Saimir Tahirin.

Ligji ka fuqi vetëm për Dritan Zaganin, i cili rrëmbehet në mes të natës, burgoset, torturohet dhe detyrohet të largohet në azil. Ligji ka fuqi vetëm për të mbajtur në burg kuksianët e pafajshëm, që u ngritën për mbijetesë kundër traut që Edi Rama u vuri te shtëpia, por jo për Agron Xhafaj e aspak për Fatmir Xhafaj.

Ja pra, këtu e ka degdisur Shqipërinë ky që do të bilbilosë këtu për t’i dhënë vetes së tij alibinë se njeri tjetër nuk e beson, se opozita po bllokon integrimin europian të Shqipërisë.

Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan, Europë dhe në botë ku Ministri i Brendshëm është subjekt i ligjit antimafia. Ai që ka për detyrë ta zbatojë këtë ligj, është vetë subjekt i këtij ligji. Fatmir Xhafaj është i vetmi rast në botë ku ditë pas dite, orë pas orë, zgjat agoninë e tij dhe të shefit të tij me një arsye: të shkatërrojë provat, të kompromentojë hetimin, të garantojë pasurinë dhe pushtetin e familjes mafioze Xafaj. Dhe për këtë dje, PD ka marrë denoncime nga buyrime të sigurta me prova dhe fakte se familja mafioze Xhafaj, me inkurajimin dhe mbrojtjen e Edi Ramës, është thelluar në skenarin kriminal për të mbuluar krimin, për të mbrojtur Agron Xhafajdhe Fatmir Xhafaj.

Të paktën 200.000 euro i janë ofruar një të afërmi të Dëshmitarit X nga persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, vrasës të skeduar nga Vlora dhe Fushë Kruja për të mohuar dëshminë e bërë publike.

Ky është shteti i Edi Ramës. I gjithë shteti dhe banditët, miqtë e këtyre, me të cilët hanë e pinë dhe vjedhin vota për të vazhduar për të ushqyer pushtetin e tyre kriminal, që e kanë mbushur këtë sallë me deputetë gojëkyçur, se nuk vijnë këtu as në emër të qytetarëve dhe as në emër të socialistëve, por në emër të bandave me të cilët vodhën votat, ky shtet ka vetëm një prioritet: jo të ndihmojë qytetarët, jo të shpëtojë qindra e mijëra familja nga katastrofa ekonomike që i kërcënon ditë për ditë por të mbrojë kriminelët me të cilët ka ardhur në pushtet dhe me të cilët ndajnë pushtetin.

Kjo është arsyeja e vetme pse vazhdojnë të mbahen pas atyre karrigeve. Ky është shteti mafioz, shteti i kapur, siç thotë raporti i DASH, siç thotë deklarata përfundimtare e Samitit të Këshillit Europian të Sofjes.

Ligji antimafia nuk zbatohet. Ligji më i rëndësishëm për luftën kundër krimit të organizuar nuk zbatohet. Shkelet me të dyja këmbët ligji i vettingut në polici. Kërkohet që edhe polici roje i depos në fshatin më të largët të Ersekës, të tregojë lekët sesi ka blerë televizorin, të tregojë faturën sesi ka blerë biçikletën, ndërsa Fatmir Xhafaj, Ministri i Brendshëm nuk i nënshtrohet vettingut për këtë arsye.

Ne iu kërkuam dhe iu premtuam votën tonë në këtë sallë për ligjin e vettingut të policies, nëse do të niste nga Fatmir Xhafaj. Por ju e refuzuat, Edi Rama e refuzoi, Fatmir Xhafaj e refuzoi. Tani e kuptojmë të gjithë se pse:

Që këta gardiste dhe policët anëembanë Shqipërisë të mbahen nën terrorin e vettingut, por Fatmir Xhafaj t’i shpëtojë ligjit antimafia.

Që këta t’i heqin nga puna, nëse nuk tregojnë faturën e një motoçiklete apo një frigoriferi, por Fatmir Xhafaj dhe Agron Xhafaj të zotërojnë rrjetet e basteve, ndërtimet që ngrihen nga Vlora në Tiranë, Pogradec dhe Maqedoni, kompani që furnizojnë policinë e shtetit me pajisje, aktivitet ekonomik mafioz i shtrirë anëmbanë Shqipërisë.

Këto janë arsyet dhe të vërtetat që i dimë ne, që i di Vlora dhe i ka marrë vesh e gjithë Shqipëria. I dinë edhe partnerët, sepse Edi Ramës ia thanë copë në Sofje në sy: “Ik në shtëpi se s’ke bërë detyrat”. Dhe akoma më keq siç e ka dëgjuar edhe mbrëmë për 3 orë: “Jo vetëm që s’ke bërë detyrat, por me këto që ke bërë e po bën, ti je pengesa e vetme për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë Europiane”.

Zonja dhe zotërinj

Ligji Antimafia nuk zbatohet. Ligji i Vetingut për Policinë pret kokat e policëve të thjeshtë, por ruan Ministrin, vëllain e trafikantit të drogës. Dhe më e rënda nga të gjitha, Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama janë  drejtpërdrejt të përfshirë në një komplot shtetëror, mafioz për të mbyllur me metoda mafioze këtë aferë, këtë skandal të përmasave europiane.

Ky në vetvete është një krim i rëndë, i parashikuar nga ligjet penale të vendit. Vetë Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj me hapat që kanë ndërmarrë, me falsifikimin dhe deklaratat fallso për gjoja ekspertizën që e bëri në Surrel për 12 orë, me largimin pa i hyrë gjëmb në këmbë nga hetimi të Agron Xhafajt, përmes kërcënimit të bandave mafioze të  dëshmitarit,  të gazetarit, po konsumojnë vepra të rënda penale, më e pakta nga të cilat, është pengimi i drejtësisë. Kjo është Shqipëria.

Dy vjet më parë, në këtë sallë miratuam reformën në drejtësi. Pse e miratuam? Që politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin dhe kriminelët, anëtarët e grupeve të organizuara kriminale të dalin para drejtësisë.

Ku jemi sot?

Po bëhen përpjekje gjigande, që Sajmir Tahiri të shpëtojë pa u lagur, t’ia hedhë pa u lagur ose duke u njomur fare pak, duke u bërë presion prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Ku jemi sot?

Fatmir Xhafaj, Ministër i Brendshëm ka një detyrë dhe vetëm një detyrë, të shpëtojë vëllanë e vet dhe lëkurën e vet duke përdorur shtetin dhe bandat mafioze.

Ku jemi sot?

Edi Rama nga mëngjesi deri në  darkë merret  vetëm me këtë çështje; mbrojtjen e kriminelëve, siç bëri në të kaluarën edhe sot, vetëm me mbrojtjen e kriminelëve. Vendi është pa qeveri. Të gjitha energjitë, e gjithë koha jonë i dedikohet luftës kundër kriminelëve që Edi Rama ka sjellë në këtë parlament, në godinat e qeverisë e kudo në institucione. E gjithë energjia dhe koha e Edi Ramës merret me mbrojtjen e tyre.

Prandaj Shqipërinë nuk e vizitojnë më as delegacione ekonomike, as investitorë të huaj, por vetëm ministra të brendshëm, shefa policish, delegacione të inteligjencës, që kanë një dhe vetëm një qëllim,  të shohin sesi mund të kontrollojnë dëmin që kryen qeveria e Edi Ramës e lidhur kokë e këmbë me krimin.

Në një situatë normale Agron Xhafaj duhet të ishte sot në qeli duke u hetuar për vepra të reja penale. Fatmir Xhafaj, nëqoftëse do të kishte një fije nder, duhet ta kishte çuar atje vëllanë  e vet dhe menjëherë pas kësaj të jepte dorëheqjen dhe t’i nënshtrohej ligjit antimafia. Por kjo nuk ka ndodhur e nuk ka për të ndodhur sa kohë që Edi Rama është kryeministër.

Nëqoftëse do të ishim një vend sadopak normal, sa Maqedonia, prokuroria do të kishte marrë menjëherë në pyetje Fatmir Xhafën, Agron Xhafën, Edi Ramën, autorin e ekspertizës. Por nuk ka prokurori. Arta Marku, Donika Prela dhe ushtarët e tjerë të Edi Ramës janë aty vetëm për të garantuar që ligji të mos zbatohet. Prandaj u zgjodhën pa veting, prandaj u zgjodhën në shkelje të Kushtetutës.

Shteti ka rënë. Shteti është kapur totalisht. Ndaj vëllezër dhe motra ka mbetur ajo që I mbetet njerëzve të lirë, ajo që prej 200 vitesh ka sanksionuar Montesquie: “Kur ligji, Kushtetuta shkelen, kur qeveria qeveris jashtë ligjit dhe kushtetutës, është e drejta e Sovranit të marrë fatin në dorë”.

Unë dua sot të ftoj të gjithë shqiptarët të bashkohen me qindra mijëra protestuesit, në protestën më të madhe kombëtare, të Shtunën në 26 Maj, në orën 11. 00.

Të bashkohemi si njerëz të lirë, sepse ne nuk mund të humbasim më energjitë, kohën tonë çdo ditë duke u marrë me kriminelin e radhës që na servir Edi Rama në politikë.

Të bashkohemi të shtunën për t’iu thënë Ndal këtyre kriminelëve dhe të gjithë politikanëve të lidhur me krimin.

Ta mbyllim njëherë e mirë këtë kapitull dhe të hapim kapitullin që meritoni ju, për një jetë më të mirë për ju, për shpresë për çdo shqiptar.

Të hapim kapitujt e ekonomisë!

Të hapim kapitujt e punësimit!

Të hapim kapitujt e shëndetësisë, të arsimit, të bujqësisë, të eksporteve.

Ne duhet t’i japim fund një skenari të përsëritur të paktën 5 herë gjatë këtyre 5 viteve.

Edi Rama e mbrojti, por ne, së bashku e larguam Armando Prengën.

Edi Rama e mbrojti, por ne, së bashku, e larguam Arben Ndokën. Edi Ram e mbrojti, por ne, së bashku, e larguam Mark Frrokun.

Edi Rama e mbrojti me valle dhe me këngë, por ne së bashku e larguam me turp dhe me votë Elvis Rroshin.

Edi Rama e mbrojti, por ne larguam Sajmir Tahirin.

Sot Edi Rama po mbron Fatmir Xhafajn, por ne do të largojmë atë, ne do të largojmë krimin nga çdo hallkë e shtetit dhe vetë kupolën mafioze me Edi Ramën në krye.

Mbajtja e statusquo-së është e pamundur.

Shqipëria nuk mund të jetë më në këtë gjendje.

Shqipëria nuk e meriton më këtë.

Shqipëria ka mjaftueshëm njerëz të ndershëm, të cilët mund t’i shërbejnë asaj.

Partia Socialiste ka njerëz të ndershëm që mund t’i shërbejnë popullit.

Ndaj, sot dua t’i drejtoj një thirrje të drejtpërdrejtë socialistëve të ndershëm shqiptarë, që ndjehen të neveritur nga kapja e partisë së tyre, lënia e partisë së tyre peng i krimit dhe drogës.

Ejani, ju ftojmë edhe ju të bashkoheni!

Bashkohuni në protestën kombëtare!

Bashkohuni me qytetarët shqiptarë!

Bashkohuni për një Shqipëri me qeverisje të ndershme dhe një Parti Socialiste të ndershme.

Prej 5 vitesh pushteti i socialistëve i është lënë kriminelëve.

Prej 5 vitesh pushteti i qytetarëve u është dorëzuar kriminelëve, por kemi treguar se jemi më të fortë se ta, ndaj le ta vazhdojmë këtë betejë të gjithë së bashku.

Çfarëdo që të thotë sot ky daulleshpuari, shqiptarët dhe bota e dinë fare mirë.

Negociatat nuk hapen pa luftuar krimin dhe politikanët e lidhur me krimin.

Negociatat nuk hapen me reforma në letër, me ligje që miratohen dhe nuk zbatohen, si ligji antimafia për Fatmir Xhafajn.

Negociatat nuk hapen, pa e ndarë qeverisjen nga krimi.

Nuk hapen negociatat në një vend ku të pafajshmit përfundojnë në burg, por politikanët e të pushtetshmit ia hedhin paq.

Nuk hapen negociatat Edi Rama, siç ta kanë thënë edhe mbrëmë, pa zgjedhje të lira dhe të ndershme!

Nuk hapen negociatat kur qeveria dhe mazhoranca burojnë nga krimi dhe paratë e drogës dhe jo nga votat e ndershme të shqiptarëve.

Ky është mesazhi i Brukselit, këtë ke dëgjuar për 5 vjet. Këtë ta thanë copë në sy në Sofje, këtë ta thanë fare qartë edhe mbrëmë miqtë tanë, që i duan të mirën Shqipërisë.

Ndaj, le të jemi të hapur e të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin. Është një e vërtetë e qartë, e thjeshtë, e kuptueshme për të gjithë Shqipërinë sot:

As opozita, as BE, as Holanda, as Macroni, as Merkeli, as Krishbaum nuk janë pengesa.

Edi Rama, ti je pengesa.

Fatmir Xhafaj është pengesa.

Qeveria jote e lidhur me krimin dhe korrupsionin janë pengesa për Shqipërinë europiane.

Ju jeni tradhtarët e vërtetë të popullit, që keni tradhtuar interesat e qyetarëve të thjeshtë për xhepat tuaja dhe pasuritë tuaja, duke u lidhur dhe duke u bërë njësh me krimin e organizuar dhe trafikantët e drogës.

Ndaj, ftoj të gjithë shqiptarët pa dallim:

Bashkohuni me qindra mijëra protestuesit ditën e shtunë, më 26 maj!

Ta çlirojmë Shqipërinë nga qeveria e lidhur me krimin.

Ta çlirojmë Shqipërinë nga qeveria më antieuropiane.

Ta bëjmë realitet ëndrrën tonë Për Shqipërinë si gjithë Europa!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!.

Fjala e plote e kryetarit te Partise Demokratike sot ne Kuvendin e Shqiperise

Modifikuar më E Enjte, 24 May 2018 18:01
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...