Që nëntori është një muaj i bekuar për Arilena Arën, këtë e kemi mësuar nga kënga e saj e 2 viteve më parë “Nëntori”, suksesin e së cilës këngëtarja shkodrave vazhdon ta shijojë edhe sot me të njëjtin intensitet. Kënga që ka shëtitur dhjetëra vende të botës dhe renditet sot në toplistën e këngëve më të kërkuara, me siguri, nuk është e vetmja nga Arilena. Shumë shpejt, asaj do t’i bashkohet edhe projekti më i ri “Last Train To Paris”.
Kënga e publikuar pak javë më parë në versionin audio, është shoqëruar edhe me një videoklip, i cili është publikuar sot.
Në bashkëpunim me kddkrap, kënga e sjell Arilenën në një profil tjetër, me zë shpërthyes e performancë unike.
Nëse do të vazhdojmë ta quajmë edhe këtë vit ‘viti i Arilena Arës”, nuk do ishte e tepruar. Ngë njëra skenë në tjetrën, nga njëra këngë në tjetrën, nga njëri vlerësim në një tjetër, Arilena i ka hipur një treni ekspres për të mos u ndalur.
Pavarësisht se videoklipi u publikua vetëm sot, kënga prej disa javësh është përfshirë në klasifikimin e radiove, në renditjen e më shumë se 22 shteteve; Bullgari, Rumani, Poloni, Turqi etj.
Menaxheri i këngëtares, duke iu referuar klipit të ri, tha për Class se “Last Train To Paris” është aktualisht në top 3 këngët më të kërkuara jo vetëm për shkak të ritmit, por edhe për temën romantike e tragjike në të njëjtën kohë: “Teksti flet për një histori dashurie që ka fund tragjik. Një vajzë nga Parisi dhe një djalë nga Siria bien në dashuri me njëri-tjetrin, por dashuria e tyre ishte e destinuar të përfundonte keq. Djali shkon në luftën e Sirisë dhe humb jetën…”
Pikërisht këtij momenti të dhimbshëm të jetës i këndon Arilena për të përcjellë te fansat e saj dhe publiku një mesazh më universal për dashurinë njerëzore dhe për luftën – që njerëzit po i ndan çdo ditë e më shumë.
Nëntori i trishtë, në fakt, është një muaj shumë i dashur, por edhe fatlum për Arilenën…