Pas një largimi 13-vjeçar nga njëri-tjetri, Massimo Boldi dhe Christian De Sica rikthehen sërish bashkë në filmin “Miq si më parë”, premiera e të cilit do të paraqitet në sallat e kinemave me 19 Dhjetor.
Bashkëpunimi i tyre i parë ka qenë filmi “Yuppies”, i vitit 1986, ndërsa bashkëpunimi i fundit ka qenë “Krishtlindje në Miami”, i vitit 2005. Subjekti i filmit të tyre të fundit flet për Cesaren, të cilin e luan Christian de Sica, drejtorin e vlerësuar të “Relais Colombo”, një hotel luksoz në Milano.
Me mbërritjen e partnerëve kinezë të cilët kanë për qëllim të revolucionarizojnë gjithçka, Luciana, e bija e Massimo Colombos, të parin që pushon nga puna është pikërisht drejtori.
Cesare, i mbetur pa punë, zbulon që Luciana prej kohësh po kërkon për të atin e moshuar një grua kujdestare dhe është e gatshme të paguajë një shifër mjaft tunduese në këmbim të shërbimit. Perspektiva e një page shumë joshëse, e shtyn Cesaren të kandidohet.
I ndihmuar nga miku i tij Marco, grimier, Cesare transformohet në një grua me emrin Liza, duke e joshur Massimon që në takimin e parë, si rrjedhojë, duke fituar edhe vendin e punës.
Cesare ama nuk e ka guximin t’ua zbulojë të vërtetën e punës, gruas dhe djalit të tij, të cilët vazhdojnë ta mendojnë si drejtor hoteli. Se për sa kohë do t’ia arrijë Cesare ta mbajë të fshehur identitetin e tij të dyfishtë, kjo mbetet një surprizë e këndshme dhe plot befasi për t’u parë.