Finalja e Botërorit/ Çfarë deklarojnë trajnerët e Francës dhe Kroacisë?

Diel, 15 July 2018 10:07

Sot në orën 17:00 në Moskë të Rusisë do të luhet ndeshja finale e Botërorit, që vë për herë të parë përballë në një nivel të tillë Francën dhe Kroacinë.

Ndonëse Franca është një skuadër e madhe dhe mund të duket si favorite në këtë ndeshje, Kroacia na ka treguar që nuk duhet ti besosh deri në penalltinë e fundit, ku tre ndeshje të saj janë vendosur nga pika e bardhë e 11-metërshave.

Madje që mbetet e rëndësishme është që të dy trajnerët vlerësojnë maksimalisht njëri tjetrin dhe skuadrat.

“Ka diçka irracionale në këtë lojë të bukur. Shikoni për shembull golin e Pavardit pas krosimit të Hernandezit në ndeshjen ndaj Argjentinës. Nëse do ju kisha thënë që e kishim provuar në stërvitje, do të kishit qeshur me mua.

Ka diferenca nga një finale si trajner dhe një finale si futbollist, pasi nga pankina ke më shumë lodhje psikologjike. Varesh nga lojtarët në fushë. Grupi që kam është i ndryshëm nga ai në Europian, të paktën 14 prej atyre në finale nuk janë më me mua”, deklaroi Deschamps.

Trajneri i Francës mendon se Kroacia ka më shumë eksperiencë sesa Franca dhe fakti që vijnë për herë të parë në një finale Botërori nuk do të thotë asgjë.

“Sigurisht që ne kemi më pak eksperiencë sesa kroatët sepse Kroacia ka lojtarë veteranë. Gjithashtu, kanë vite që luajnë bashkë, ndryshe nga ne. Por, kemi gjatë gjithë Kupës së Botës që ndeshemi me ekipe me më shumë eksperiencë, pasi ne jemi shumë të rinj në moshë”, shpjegoi Deschamps.

Ndërsa trajneri kroat Dalic deklaroi në konferencën për shtyp përpara finales së Botërorit ndaj Francës se ekipi i tij nuk ka fare presion.

“Jemi krenarë kur shohim se çfarë po ndodh në vendin tonë. Njerëzit po harrojnë problemet e përditshme. Për ne nuk ka presion. E dimë që do të na shikojë e gjithë bota, por duhet të zbresim në fushë për t’u zbavitur. Është momenti më i mirë i karrierës sonë. Nëse fitojmë do të jemi të lumtur; nëse nuk fitojmë, do të përgëzojmë kundërshtarin”, u shpreh Daliç.

Në lidhje me lodhje e futbollistëve kroatë, trajneri tha: “Nëse dikush nuk është gati, do të ma thotë. Kemi disa probleme fizike, por do të jemi në formë për ndeshjen. Nëse jo, kemi lojtarë fantastikë në stol”.

Mbi kundërshtarin e finales, Dalic u shpreh se nuk duhet të mendojnë për Francën.

 “Duhet të shijojmë momentin, jo të shqetësohemi për rivalin. E rëndësishme është ajo se çfarë do të bëjmë ne në fushë. Më pas, le të fitojë më i miri. Duhet të mendojmë se jemi me fat që kemi arritur deri këtu”, nënvizoi Daliç.

Login to post comments