Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka uruar Francën për fitimin e Kupës së Botës 2018, si dhe Rusinë dhe presidentin e saj, Vladimir Putin, për organizimin e Botërorit.
Franca e fitoi Kupën e Botës për herë të dytë në histori, pasi sot në finale e mposhti Kroacinë me rezultat të thellë 4-2.
Trumpit duket se i ka lënë mbresa futbollit i luajtur nga francezët gjatë këtij muaji, të cilin e ka quajtur të jashtëzakonshëm, ndërsa organizimin nga Rusia e ka vlerësuar si madhështor apo njërin prej më të mirëve ndonjëherë.
“Urime Francës, e cila luajti futboll të jashtëzakonshëm, për fitimin e Kupës së Botës 2018. Urime edhe presidentit Vladimir Putin dhe Rusisë për organizimin e një turneu vërtet madhështor të Kupës së Botës – njëri nga më të mirët ndonjëherë!”, shkroi Trump në Twitter.