Sot është dita e skuadrave të cilat ndodhen në krye të Kategorisë Superiore për të treguar nivelin e tyre.
Java e 11-të kulmon sot me tre sfidat e fundit të këtij raundi, ku spikat padiskutim dueli mes Partizanit dhe Kamzës.
Në orën 17:00 ‘Demat e kuq’ do të sfidojnë në Selman Stërmasi skuadrën e Klodian Duros i cili në rast humbjeje mund të shkarkohet nga detyra si pasojë e rezultateve të dobëta pasi në 7 ndeshje në drejtimin e Kamzës ka grumbulluar vetëm 5 pikë.
Te Partizani rikthehet Lorenc Trashin i cili është falur nga trajneri Gega dhe do të jetë titullar sot, por te të kuqtë ekziston frika e mospjesëmarrjes së Malës pasi s’ka qenë në gjendje të mirë dhe ditën e djeshme nuk i është bashkuar stërvitjes.
Megjithatë, pavarësisht vështirësive objektivi i 15-herë kampionëve është rikthimi i menjëhershëm te fitorja për të hedhur pas krahëve disfatën ndaj Skënderbeut dhe për të mos humbur terren ndaj korçarëve që kanë një ndeshje më të lehtë në letër.
Ndërsa, nga ana tjetër në shtëpi Skënderbeu pret Kastriotin e vendit të fundit me trajnerin Shehi që pritet të bëjë edhe pak rotacion duke i dhënë mundësinë lojtarëve si Kaba Sambou, Guedj, Hoxhaj dhe John të aktivizohen titullarë.
Por ashtu si edhe të Partizani edhe të Korçarët fitorja është mision i vetëm, ndërsa Kastrioti në krahun tjetër kërkon pikët e para me trajnerin Nica në stol.
E shtuna do të hapet me përballjen e orës 14:00. Në Gjirokastër Luftëtari do të presë Laçin, me Mezanin që do të ketë përballë ish skuadrën e tij për t’i vendosur një tjetër stërkëmbësh Laçit, që vjen pas dy humbjeve radhazi dhe ka humbur edhe trajnerin.